Jorge Luis Borges: Ç’është pagjumësia e ç’është jetëgjatësia?

Nga Jorge Luis Borges

Ç’është pagjumësia?

Pyetja është retorike; e di mjaft mirë përgjigjen.

Është të të frikësojnë dhe t’i numërosh, në natën e thellë, kumbimet e thata e të pashmangshme të lavjerrësit të orës; është të përpiqesh, me mrekulli të kotë, të arrish një frymëmarrje të njëtrajtshme; është barra e një trupi që shkreptimthi kthehet në anën tjetër; është të shtrëngosh qepallat; është një gjendje e ngjashme me ethet, që, padyshim, nuk është të qenit zgjuar; është të përmendësh fragmente paragrafësh të lexuar qyshkur; është të ndihesh fajtor që ti po e gdhin kur të tjerët flenë; është të duash të zhytesh në ëndërr dhe të mos mund të zhytesh dot; është tmerri që ekziston dhe vazhdon të ekzistosh; është agimi i pasigurt.

Ç’është jetëgjatësia?

Është tmerri i të jetuarit në një trup njerëzor, aftësitë e të cilit perëndojnë; është një pagjumësi që matet me dekada dhe jo me akrepa çeliku; është pesha e deteve dhe piramidave, e bibliotekave antike dhe dinastive, e agimeve që këqyri Adami; është të mos e shpërfill dot se jam rob i mishit tim, i zërit tim të urryer, i emrit tim, i një rutine kujtimesh, i kastejanos, që nuk di ta përdor, i nostalgjisë për latinishten, që nuk e di, i dëshirës për t’u zhytur në vdekje dhe të mos mund të zhytem dot; është të jem i dënuar të ekzistoj dhe të vazhdoj të ekzistoj.

*Titulli i origjinalit:”Dy trajta të pagjumësisë

Në shqip nga: Erion Karabolli

ObserverKult


dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

Lexo edhe:

JORGE LUIS BORGES: KOHA…

Koha… Po të mendojmë se bota është thjesht në imagjinatë, po të mendojmë se çdokush nga ne ëndërron një botë, përse të mos hamendësojmë se shkojmë nga një mendim në tjetrin dhe se këto nënndarje nuk ekzistojnë meqë nuk i përceptojmë?

Ekziston vetëm ajo që ndjejmë. Ekzistojnë vetëm përceptimet tona dhe emocionet tona. Kjo nënndarje është imagjinare, nuk është e vërtetë… Është e çuditshme se nga të tria kohët: e shkruar, e tashme dhe e ardhme, ashtu e kemi ndarë, më e vështira për t’u perceptuar, më e pakapshme është koha e tashme.

E tashmja është e pakapshme si pika. Sepse po ta imagjinojmë pikën pa sipërfaqe, ajo nuk ekziston. Të tashmen mund ta mendojmë si pak të shkuar dhe pak të ardhme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult