Jorge Luis Borges: Koha…

dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

Koha… Po të mendojmë se bota është thjesht në imagjinatë, po të mendojmë se çdokush nga ne ëndërron një botë, përse të mos hamendësojmë se shkojmë nga një mendim në tjetrin dhe se këto nënndarje nuk ekzistojnë meqë nuk i përceptojmë?

Ekziston vetëm ajo që ndjejmë. Ekzistojnë vetëm përceptimet tona dhe emocionet tona. Kjo nënndarje është imagjinare, nuk është e vërtetë… Është e çuditshme se nga të tria kohët: e shkruar, e tashme dhe e ardhme, ashtu e kemi ndarë, më e vështira për t’u perceptuar, më e pakapshme është koha e tashme.

E tashmja është e pakapshme si pika. Sepse po ta imagjinojmë pikën pa sipërfaqe, ajo nuk ekziston. Të tashmen mund ta mendojmë si pak të shkuar dhe pak të ardhme.

Domethënë se e ndjejmë kohën që kalon. Kur flas për kohën që kalon, unë flas për diçka që e përjetojmë të gjithë, ndërsa kur flas për të tashmen, flas për diçka abstrakte. E tashmja nuk është një e dhënë e atypëratyshme e vetëdijes… …E tashmja nuk gozhdohet. Një e tashme e kulluar nuk mund të mendohet: nuk do të ekzistonte.

Ajo përmban gjithmonë një ngastër të kaluar dhe një ngastër të ardhme. Duket se kjo është e domosdoshme për kohën… Ideja e së ardhmes do të vërtetonte idenë e hershme të Platonit, se koha është imazhi në lëvizje i asaj që është e përjetshme.

Nëse koha është imazh i asaj që është e përjetshme, e ardhmja do të ishte, pra, lëvizja e shpirtit drejt së ardhmes. E ardhmja, nga ana e vet, do të ishte kthimi i asaj që është e përjetshme. Jeta jonë do të ishte, kështu, një agoni e pandërprerë. Kur Shën Pali thotë: “Unë vdes çdo ditë”, ky nuk është një imazh patetik.

Ne vdesim dhe lindim pareshtur. Ja përse problemi i kohës na prek më shumë se problemet e tjera metafizike. Sepse problemet e tjera metafizike janë abstrakte. Problemi i kohës është problemi ynë. Kush jam unë?

Cilët jemi ne? Mbase një ditë do ta mësojmë. Mbase edhe jo.

Por, ndërkohë, siç thotë Shën Agustini, shpirti im digjet, sepse dua ta di.

(“Ligjërata”, përktheu nga frëngjishtja: Ferida Papleka)

ObserverKult


Lexo edhe:

BISEDË MES JORGE LUIS BORGES DHE ERNESTO SABATO

Në vazhdim mund ta lexoni një bisedë mes Jorge Luis Borges dhe Ernesto Sabato

Borges: – Më kujtohet një frazë e famshme e Paul Groussac (shkrimtar franko-argjentinas), kur thoshte se Sarmiento (shkrimtar, president i Argjentinës)  dinte latinisht dhe çoku përtypte edhe greqishten…

Sabato: – Siç thuhet: “Filani zotëron disa gjuhë”. Në përgjithësi sidoqoftë, as gjuhën e vet njeriu nuk e zotëron dot.

Borges: – Gjuhët e zotërojnë njeriun në fakt..

Sabato: Për më tepër, edhe mes gjuhëve simotra ka nuanca të vogla që bëjnë ndryshimin e madh. Me kohën, fjalët marrin kuptime krejt të ndryshme: “nimio” nga “e madhe” sot domethënë “e vogël”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult