Tjetrit, Borhesit, atij i lindin idetë. Unë eci nëpër Buenos Aires dhe vonohem, ndoshta mekanikisht, për të këqyrur harkun e një oborri dhe portën me kangjella; për Borhesin marr lajme me postë dhe e shoh emrin e tij në një treshe profesorësh apo në një fjalor biografik. Më pëlqejnë orët e rërës, hartat, tipografia e shekullit XVII, etimologjitë, shija e kafesë dhe proza e Stevensonit; edhe tjetri ndan të njëjtat shije, por në një mënyrë sqimatare që i shndërron ato në cilësi të një aktori. Do të ishte e tepruar të thuhet se marrëdhënia jonë është armiqësore; unë jetoj, unë e lejoj veten të jetoj që Borhesi të mundë të trillojë letërsinë e tij dhe kjo letërsi më përligj. Nuk më kushton asgjë ta pranoj se ka arritur të shkruajë disa faqe me vlerë, por ato faqe nuk mund të më shpëtojnë dot, ndoshta pasi e mira nuk i përket askujt, as atij tjetrit, por gjuhës dhe traditës. Sa për të tjerat, unë jam i destinuar të humbas përfundimisht dhe vetëm ndonjë çast imi mund të mbijetojë tek ai tjetri. Pak nga pak po i dorëzoj gjithçka, edhe pse e di zakonin e tij të mbrapshtë për të trilluar dhe madhëruar. Spinoza kuptoi se gjithë gjërat duan të qëndrojnë me ngulm në qenien e tyre; guri përjetësisht do që të jetë gur dhe tigri tigër. Unë kam për të ngelur tek Borhesi, jo tek unë (nëse jam dikush), por më pak e gjej veten tek librat e tij se sa në shumë të tjerë apo se sa në rënkimin e mundimshëm të një kitare. Para disa vitesh u mundova të çlirohesha prej tij dhe kalova nga mitologjia e rrethinave tek lojërat me kohën dhe me të pafundmen, por tani këto lojëra janë të Borhesit dhe do të më duhet të shpik të tjera gjëra. Kësisoj jeta ime është një arratisje dhe gjithçka e humbas dhe gjithçka i përket harresës, ose atij tjetrit.
Nuk e di cili nga të dy e shkruan këtë faqe.
Përktheu: Erion Karabolli
*Titulli i origjinalit: “Borhesi dhe unë”
———————-
Lexo edhe:
Borges: Dashuria kërkon prova, prova të mbinatyrshme
ObserverKult