Jorge Luis Borges: Duhet ta ndërtoj sërish këtë jetë…

Jorge Luis Borges


Poezi nga Jorge Luis Borges


Duhet ta ndërtoj sërish këtë jetë të pafundme
që edhe tash është pasqyrë jotja:
çdo mëngjes duhet ta ndërtoj përsëri e përsëri.
Prej se je larguar,
sa vende janë shndërruar në të kota,
pa kuptim, ashtu si
dritat gjatë ditës.

Mbrëmjet që ishin kamare të imazhit tënd,
këngët në të cilat më ruaje gjithmonë,
fjalët e asaj kohe,
duhet t’i shkatërroj me duart e mia.

Në cilën humnerë duhet ta fsheh shpirtin
që të mos e ndiejë mungesën tënde
që si një diell i tmerrshëm, pa perëndim,
shkëlqen përjetësisht dhe shkatërrimtare?

Mungesa jote më rrethon
si litari rreth qafës,
si deti atë që po mbytet.

Përktheu: Orjela Stafasani

ObserverKult

——————————-

Lexo më shumë nga Borges:

Jorge Luis Borges: Një lutje…

Buzët e mia kanë shqiptuar dhe do të shqiptojnë me mijëra herë dhe në të dy gjuhët e mia intime, Atin Tonë, por unë e kuptoj vetëm pjesërisht. Këtë mëngjes, të një korrikut të 1969-s, dua të provoj një lutje personale dhe jo të trashëguar.
E di se bëhet fjalë për një sipërmarrje që kërkon një sinqeritet më tepër se njerëzor. Në radhë të parë, është e qartë se nuk më lejohet të kërkoj. Të kërkoj që të mos erren sytë e mi, do të ishte një marrëzi; e di se mijëra njerëz që shohin nuk janë domosdoshmërisht të lumtur, të drejtë a të ditur.
Tekstin e plotë e gjeni – KETU

Lexo edhe:

Jorge Luis Borges: Kam kryer më të tmerrshmin e mëkateve…

Kam kryer më të tmerrshmin e mëkateve
Që njeriu mund të kryejë. Nuk kam qenë
I lumtur. Akullnajat e harrimit
Pa mëshirë më gllabërofshin.

Prindërit më lindën për lojën
Rrezikzezë e të bukur të jetës,
Për dheun, ujin, ajrin e zjarrin.
Por i zhgënjeva, nuk qeshë i lumtur.

Poezinë e plotë e gjeni – KETU

ObserverKult