Jorge Luis Borges: Për njeriun që prore është fillikat…

Jorge Luis Borges

Një njeri vetëm ka lindur, një njeri vetëm ka vdekur në tërë botën.
Të pohosh të kundërtën s’është veç statistikë, një tendosje e pamundur.
Jo më pak e pamundur se të karfosësh erëmimin e shiut me ëndrrën tënde të dy netëve më parë.
Ai njeri është Uliksi, Abeli, Kaini, njeriu i parë që shqoi shejzat, që ndërtoi piramidën e parë, njeriu që shkroi hekzagramet e Librit të Ndryshimeve, farkëtari që gdhendi runat mbi shpatën e Hengisit, Einar Tamberskelveri, harkëtari. Librashitësi që birësoi Semuel Xhonsonin, kopshtari i Volterit, Darvini në kuvertën e Bigëllit, një hebre në dhomën e hekës e, me kohë, ti dhe unë.
Një njeri vetëm ka vdekur në Trojë, në Metaur, në Hastings, në Austerlic, në Tarafalgar, në Getisburg.
Një njeri vetëm ka kundruar pafundësinë e agullimit.
Një njeri vetëm ka ndjerë në gjuhë freskinë e ujit, shijen e frutave dhe të mishit.
E kam fjalën për njeriun e përveçëm, për të vetmin, për atë që është prore fillikat.

Përktheu : Azem Qazimi

Përgatiti: ObserverKult