Jorge Luis Borges: Verbëria

Jorge Luis Borges

Në ligjëratat e mia të shumta kam vënë re se njerëzit pëlqejnë të veçantën më shumë se sa të përgjithshmen dhe konkreten më shumë se sa abstrakten. Si fillim do të flas, pra, për verbërinë time modeste. Them modeste, sepse është verbëri e plotë në njërin sy, por e pjesshme në syrin tjetër. Unë ende mund të dalloj disa ngjyra si të gjelbrën dhe të kaltrën. Është një tjetër ngjyrë që nuk më doli e pabesë, e verdha. Më kujtohet se kur isha fëmijë (po qe se ime motër është këtu, edhe asaj do t’i kujtohet), rrija shumë përpara kafazeve në kopshtin zoologjik të Palermos, sidomos përpara tigrit dhe leopardit. Habitesha përpara ngjyrës së artë dhe të zezë të tigrit. Edhe sot ngjyra e verdhë nuk më ndahet. Kam shkruar një poemë që titullohet: “Arti i tigrave”, në të cilën përshkruaj këtë miqësi.
    Kalojmë tani te një fakt që zakonisht e harrojmë dhe që nuk e di nëse është kështu për të gjithë. Njerëzit e përfytyrojnë të verbrin si të ngujuar në një terr të plotë.
Një varg i Shekspirit e përligj këtë ide: Looking on darkness which the blind do see, “Duke vështruar errësirën që shohin të verbrit”. Nëse me errësirë kuptohet terr i plotë, ky varg nuk është i saktë.
    Njëra prej ngjyrave, për të cilën të verbrit (së paku unë që po ju flas) ndiejnë keqardhje se nuk e shohin më, është e zeza; kështu ndodh edhe me të kuqen. “Le rouge et le noir” janë ngjyra që na mungojnë. Unë që e kisha zakon të flija në një errësirë të thellë, kam qenë për një kohë të gjatë i shqetësuar, sepse duhej të flija në këtë botë të mugullt; një mugëtirë në të gjelbër ose të kaltëreme, me dritë të vagëlluar. Kjo është bota e të verbrit. Do të kisha dashur të çlodhesha në errësirë, të mbështetsha tek ajo.
E shoh të kuqen si në gështenjë. Pra, bota e të verbrit nuk është nata që hamendësohet. Unë flas, të paktën në emrin tim, si dhe në emër të tim eti e të gjyshes, të cilët vdiqën të verbër; të verbër, buzagaz dhe trimërisht, ashtu si shpresoj të vdes edhe unë.
    I verbri jeton në një botë mjaft të parehatshme e të paqartë, një botë nga e cila ia behin disa ngjyra: në rastin tim janë e verdha dhe e kaltra (kjo e kaltër mund të jetë në të gjelbër), e gjelbra (por e gjelbër në të kaltër) . E bardha është zhdukur ose ngatërrohet me të hirtën. Për sa i përket të kuqes, ajo është zhdukur krejt, por kam shpresë se me mjekimin që jam duke e bërë, do të kem përmisim dhe një ditë do të mund ta shoh këtë ngjyrë të madhe, ngjyrën që shndrit në poezi dhe që ka emra të bukur në sa e sa gjuhë. Të mendojmë për të kuqen e ndezur; në gjermanisht scharlach, në anglisht scarlet, në spanjisht escarlata, në frëngjisht écarlate. Janë fjalë që duken të denja për këtë ngjyrë të mrekullueshme. Ngjyra e verdhë, përkundrazi, është Amarillo, e zbehtë në spanjisht; yellow në anglisht, e që shëmbëllen shumë me fjalën amarillo; më duket se në spanjishten e vjetër thuhej amariello.
    Jetoj, pra, në këtë botë ngjyrash dhe do të pohoja se, nëse fola fillimisht për verbërinë time modeste, këtë e bëra së pari se ajo nuk është qorrim i vërtetë ashtu si pandehin njerëzit dhe, së dyti, sepse është fjala për veten time. Rasti im nuk është edhe aq dramatik. Dramatik është rasti i atyre që e humbasin të parit papritmas, që verbohen menjëherë, që pësojnë një eklips. Për mua ky muzg (kjo humbje e ngadaltë e shikimit) ka filluar që kur linda, pra është zhvilluar që më 1899, pa çaste dramtike, si një perëndim i ngadaltë që ka zgjatur më shumë se gjysmë shekulli.
    Për nevojat e kësaj ligjërate, më duhet të kërkoj një çast patetik. Marrim atë kur e mora vesh se ndërkaq e kisha humbur shikimin si lexues dhe si shkrimtar. Përse mos ta theksoj këtë datë të denjë për t’u mbajtur mend, vitin 1955? Nuk e kam fjalën për shirat epike të atij shtatori, por për një rrethanë vetjake.
    Më janë bërë në jetë shumë ndere të pamerituara, mirëpo njëri prej tyre më ka ngazëlluar më shumë se të tjerët: drejtimi i Bibliotekës Kombëtare. Për arsye më pak letrare se politike u caktova si i tillë nga qeveria e Revolucionit Çlirimtar.
    Pra, qeshë emëruar drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe u ktheva në këtë shtëpi, në rrugën Meksiko të lagjes Monserat, në Jug, nga e cila kisha ruajtur aq kujtime.
Nuk e kisha ëndërruar kurrë mundësinë për të qenë një ditë drejtor i kësaj biblioteke. Kujtimet e mia ishin të një natyre tjetër. Shkoja dikur aty me tim atë mbrëmjeve.  Im atë që ishte profesor psikologjie, kërkonte ndonjë libër të Bergson-it apo të William James-it, që ishin autorët e tij të parapëlqyer. Ose edhe të Gustav Spiller-it. Shumë i druajtur për të kërkuar ndonjë libër, unë merrja një vëllim të Encyclopaedia britannica ose ndonjë enciklopedi gjermane të Brockhaus-it e të Meyer-it. Zgjidhja ndonjë vëllim që më zinte dora, e nxirrja nga raftet dhe e lexoja.
    Më kujtohet që një natë isha shumë i lumtur, sepse kisha lexuar tre artikuj: një për druidët, pastaj për Druses dhe Dryden, dhuratë e shkronjave dr. mbrëmje të tjera kisha pasur më pak fat. E dija se edhe Groussac-u ishte në shtëpi. Mund ta kisha takuar vetë, por asokohe isha shumë i druajtur, edhe tani shumë i druajtur jam. Atëherë pandehja se druajtja ishte diçka shumë e rëndësishme, por tanimë e di se është një e keqe që duhet kapërcyer dhe se druajtja e shumtë, si plot gjëra të tjera, nuk meriton rëndësinë që i japin.
    E mora emërimin në fund të vitit 1955. Kur fillova detyrën dhe pyeta për numrin e librave. Më thanë se bëheshin rreth një milion. E vërtetova më pas se ishin nëntëqind mijë, një shifër e mjaftueshme. (Ndoshta nëntëqind mijë duket më i madh se një milion; nëntëqind mijë thuhet më ngadalë se një milion që thuhet shpejt)
    Pak nga pak e kuptova ironinë e çuditshme të fajteve.
Gjithnjë e kisha imagjinuar parajsën në formën e një biblioteke. Të tjerë e mendojnë si kopsht ose ndoshta si pallat. Isha, pra, aty. Si të thuash, në qendër të nëntëqind mijë librave në gjuhë të ndryshme. Vura re se i dalloja me vështirësi titujt dhe shpinat e vëllimeve. Shkrova atëherë Poema e dhuntive, e cila fillon kështu: “Askush të mos presë me lot a qortime/Këtë goditje prej mjeshtri të Fatit/Që me ironinë e vet të mrekullishme/Më dha njëherësh lilbrat dhe natën”.Këto dy dhunti që kundërshtojnë njëra-tjetrën:
një mori librash dhe natën, paaftësinë për të lexuar.
    Kam menduar se autori i kësaj poeme mund të ishte edhe Groussac: sepse edhe ai qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare e gjithashtu i verbër. Ai qe më i fortë se unë, ruajti heshtjen. Por unë thosha se në jetët tona deomos që kishte disa përkime, meqenëse të dy ishim të verbër dhe të dy i donim librat. Ai i kishte bërë nder letërsisë me vepra shumë më të mira se të miat. Para se gjtihash, ne sidoqoftë ishim dy njerëz të letrave që e përshkonim këtë bibliotekë me libra të ndaluar. Mund të thuhet, me libra pothuajse të bardhë, libra bosh, për sytë tanë të verbër. Shkruajta për ironinë e Zotit dhe më në fund, pyeta veten se cili nga ne e kishte shkruar këtë poemë, një “unë” në shumës apo një hije e vetme.
     Unë nuk e dija në atë kohë se një tjetër drejtori i bibliotekës, José Mármol, kishte qenë edhe ai i verbër. Këtu shfaqej numri tre, si për t’i vënë vulën e dyshimit. Dy, mund të të jetë rastësi, por tre është vërtetim i një rregulli trijar, hyjnor apo teologjik. Mármol-i ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare kur ajo ndodhej në rrugën Venezuela.
    Sot, e kemi zakon të themi për të keqen e Mármol-it, ose të mos flasim për të. Por nuk duhet harruar se ndërsa themi “koha e Rosas”, nuk mendojmë për librin e këndshëm të Ramos Mejia-s, Rosas y su tiempo (Rosas dhe koha e tij). Gjithashtu mendojmë për kohën e Rosas që përshkruan romani i bukur Amalia i José Mármol-it. T’i kesh dhënë vendit tënd imazhin e një epoke, nuk është një lavdi e papërfillshme; do të doja të meritoja një lavdi të tillë.
    Kemi, pra, tre persona me fat të ngjajshëm. Është edhe gëzimi i kthimit në lagjen Monserat në Jug. Për të gjithë Portenjët, në një mënyrë sekrete Jugu është qendra e Buénos –Àjresit. Nuk është qendra tjetër, e dukshmja, ajo që u tregojmë turistëve.
    Kur mendoj për këtë qytet, sjell në mend atë që kam njohur kur isha fëmijë: me shtëpi të ulëta, me oborre të brendshme, me puse ku jetonte një breshkë, me dritaret me grila. Është Buénos –Ajresi i dikurshëm që tani ekziston vetëm në lagjen Jugore. Unë e ndjeva se po rikthehesha në lagjen e të parëve të mi. Kur vura se se librat ishin aty dhe se duhet të kërkoja nga miqtë e mi që të më lexonin titujt m’u kujtua një thënie e Rudolf Steiner-it për antropozofinë (kështu e ka quajtur ai teozofinë). Steiner thotë se ndërkohë që përmbushet një gjë, duhet menduar se do të nisë një tjetër. Këshilla është e dobishme, por zbatimi i saj nuk është i lehtë, sepse ne dimë çka humbim dhe nuk e dimë çka do të fitojmë. Ruajmë, pra, një imazh shumë të qartë, një pamje ndonjëherë pikëlluese të asaj çka kemi humbur dhe nuk e marrim me mend se çka do ta zëvëndësojë apo do ta pasojë.
    Sidoqoftë unë mora një vendim. Thashë: meqë e kam humbur botën e dashur që duket në sy, duhet të krijoj një tjetër gjë; duhet të krijoj një botë që duhet të pasojë botën e dukshme. M’u kujtuan disa libra që kisha në shtëpi. Isha profesor i letërsisë angleze në Universitetin tonë. Çfarë mund të bëja për të dhënë mësim këtë letërsi të pafundme që, padyshim i kapërcen kufijtë e jetës së një njeriu dhe të brezave?Çfarë mund të bëja në katër muaj argjentinas, me festat e papuna dhe grevat?
    Bëra sa munda për të mbjellë dashurinë për këtë letërsi dhe shmanga sa duhej data dhe emra. Disa studentë që kishin dhënë provimin dhe e kishin marrë, erdhën për të më falënderuar. Të gjitha studentet i jepnin provimet me mua dhe unë kam bërë  një marrëveshje që mos të ngel njeri; në dhjetë vjet kam ngelur tri vajza që patën këmbëngulur të ishin ngelëse. U thashë vajzave kaluese (mund të ishin nëntë apo dhjetë): “Tashmë që kaluat dhe që unë e kam përmbushur detyrën si profesor, kam një mendim. A nuk do të ishte interesante që t’i hynit studimit të një gjuhe dhe letërsie që e njohim pak?” Ato më pyetën se cila ishte kjo gjuhë dhe kjo letërsi.“Natyrisht,bëhet fjalë për gjuhën dhe lëtërsinë angleze. Ne do të fillojmë t’i studiojmë, do t’ia nisim nga burimi tani që jemi çliruar nga kotësia e provimeve”.
    Më kujtohet se në shtëpi kisha dy libra të cilat munda t’i gjeja përsëri, sepse i kisha vënë në raftin më të lartë, duke menduar se nuk do të më hynin kurrë në punë. Ishin Anglo-Saxon Reader, i Sweet-it dhe Kronika anglo-saksone.
Të dyja veprat ishin të pajisura me fjalorth. Dhe ne u mblodhëm një ditë në Bibliotekën Kombëtare.
    Thashë: “Kam humbur botën e dukshme, por tani do të gjej një tjetër,botën e paraardhësve të mi të largët, ato fise dhe ata njerëz që përshkuan me rrema detet e stuhishme të Veriut e që u nisën nga Danimarka, nga Gjermania dhe Vendet e Ulëta për të pushtuar Anglinë, e cila quhet kështu për shkak të tyre; “England”, toka e Anglëve, e cila më parë quhej ‘’toka e Bretonëve”, e që ishin keltë.
    Ishte një e shtunë në mëngjes kur u mblodhën në zyrën e Groussac-ut dhe kishim filluar të lexonim. Pati një rrethanë që na gëzoi e na vuri në sëkëlldi, por që në të njëjtën kohë na mbushi me një lloj krenarie. Saksonët, ashtu si skandinavët përdornin dy shkronja runike për të dhënë dy tingujt: th e fjalës Thing dhe th e nyjës shquese the. Kjo i jepte faqes së shkruar një pamje të mistershme.
Unë pata mendimin që t’i vizatoja këto shkronja në një dërrasë të zezë.
Kështu u gjendëm para një gjuhe që na dukej e ndryshme nga anglishtja dhe ngjasonte me gjermanishten. Ndodhi ajo çka ngjet gjithnjë kukr studiohet një gjuhë: çdo fjalë del si të jetë e gdhendur, si të jetë hajmali. Prandaj vargjet në një gjuhë të huaj kanë një tingëllimë që nuk e kanë në gjuhën e vet, sepse çdo fjalë e dëgjojmë, e shohim: mendohet bukuria e tyre, forca apo thjesht forma e tyre e çuditshme. Atë mëngjes na qeshi fati. Zbërthyem fjalinë “Jul Qezari qe i pari Romak që u nis drejt Anglisë”. Të hasje Romakët në një tekst nordik, qe emocionuese. Po e përsëris, që ne nuk dinim asgjë nga kjo gjuhë, lexonim me lupë, çdo fjalë ishte një sekret i zbuluar.
Hasëm edhe dy fjalë na dehën nga gëzim. Vërtetë unë isha i vjetër dhe ato të reja (me sa duket këto janë dy mosha që u shkon dehja). Thosha me vete: “Po rikthehem te gjuha që flisnin stërgjyshërit e mi, pesëdhjetë breza me parë. Po e fitoj sërish këtë gjuhë. Nuk është hera e parë që e përdor.
Kur kisha emra të tjerë kam folur me këtë gjuhë”. Këto dy fjalë ishin emri i Londrës, Lundenburch, Londresburgo dhe emri i Romës, Romeburh, Romaburgo.Emocioni ynë u shtua kur menduam se mbi këta ishuj borealë kishte rënë drita e Romës. Më duket se kemi dalë në rrugë duke thirrur:
Lundenburh, Romeburh…”
    Kështu filloi studimi i gjuhës anglo-saksone, tek e cila më kishte shpënë verbëria. Dhe tani e kam kujtesën plot me vargje elegjiake, epike anglo-saksone.
    Pra, e kisha zëvëndësuar botën pamore me botën dëgjimore të gjuhës anglo-saksone. Pastaj kalova në botën tjetër, më të pasur e më të vonshme të letërsisë skandinave”
kalova kështu nga edat te sagat. Mandej shkrova: Ese për letërsinë e vjetër gjermanike, hartova shumë poema, i mbështetur në këto tema, por ndjeva ëndje sidomos nga letërsitë. Tashmë jam duke përgatitur një libër për letërsinë skandinave.
    Pra, nuk lejova të mundesha nga verbëria. Përveç kësaj, botuesi im më dha një lajm të shkëlqyer, duke më thënë se po t’i çoja tridhjetë poezi në vit, ai mund të botonte një libër. Tridhjetë poezi përbëjnë një disiplinë , sidomos kur duhet diktuar çdo varg; por njëkohësisht një liri të mjaftueshme, sepse është e pamundur që brenda një viti të mos paraqiten tridhjetë raste poetike. Verbëria nuk ka qenë për mua plotësisht fatkeqësi, ky fakt nuk duhet parë në mënyrë patetike. Duhet konsideruar si mënyrë jetese:
është një stil jete, ashtu si mund të jetë një tjetër.
    Të qenët i verbër ka ndonjë përparësi. Për vetën time, unë i detyroj disa dhunti erërsirës: prej saj kam gjuhën anglo-saksone, copëza të islandishtes, gëzimin për shumë fraza, për shumë vargje, për shumë poema, si dhe për një tjetër libër,të titulluar Lëvdatë errësirës, jo pa një farë pavërtetësie, ndoshta si sfidë.
     Do të doja tani të kujtoja të tjera raste të shquara. Do ta nisim me një shembull shumë domethënës: miqësia, peozia, verbëria; me atë që është quajtur më i madhi i poetëve: me Homerin. (Ka pasur një poet tjetër grek, të verbër, i cili quhej Tamiris e që i ka humbur vepra; këtë e thotë Miltoni, një tjetër poet i verbër, me famë. Tamiris u mund në një betejë oratorësh; muzat ia thyen lirën dhe ia morën dritën e syve).
    Oscar Wilde –i ka hedhur një hipotezë interesante, që me ç’duket nuk është e saktë historikisht, por që intelektualisht është e pëlqyeshme. Shkrimtarët përpiqen të tregohen të thellë në përgjithësi; Wilde-i ishte njeri i thellë, por që ngulmonte të mos tregohej i tillë. Gjithsesi ai dëshironte ta mbanin për një kuvendar shpirtëror, që të kishin për të, atë mendim që kishte Platoni për poezinë: “ajo gjë e lehtë, flatrore dhe e shenjtë”.  Mirë pra, ajo gjë e lehtë, flatrore dhe e shenjtë që ishte Oscar Wilde-i, thotë se Antikiteti në mënyrë të vetëdijshme e paraqiti Homerin me tiparet e një poeti të verbër.
    Ne s’e dimë në ka ekzistuar Homeri vërtetë. Mjafton fakti që shtatë qytete hahen për lindjen e tij, për t’u bërë dyshues ndaj historicitetit të kësaj figure. Ndoshta nuk ka pasur një Homer të vetëm, por shumë grekë që fshihen pas emrit të tij. Tradita thotë njëzëri se flitet për një poet të verbër, megjithatë poezia e Homerit është pamore, shpesh herë madhërisht pamore, ashtu si edhe të ishte, kuptohet në një shkallë më të vogël poezia e Oscar Wilde-it.
    Wilde-i e kuptoi se peozia e tij ishte tepër pamore dhe donte të korrigjohej nga kjo e metë: ai deshi të bënte një lloj peozie që ishte njësoj dëgjimore dhe muzikore, të themi, si ajo e Tennyson-it apo e Verlaine-it, dy poetë që ai i donte e i adhuronte. Wilde-i tha me vete: “Grekët kanë mbrojtur idenë se Homeri ka qenë i verbër për të nënkuptuar se poezia duhet të jetë dëgjimore dhe jo pamore”. Prej këtej rrjedh “muzikë para së gjithash” e Verlaine-it dhe simbolizmi bashkëkohor i Wilde-it.
    Ndoshta Homeri nuk ka ekzistuar, por është fakt që grekët deshën ta përfytyronin të verbër, për të theksuar idenë se poezia është para së gjithash muzikë, se poezia është para së gjithash lira muzikore dhe se elementi pamor nuk mund të jetë kusht i domosdoshëm te poeti. Ka poetë të mëdhenjë pamorë e të tjerë që nuk janë të këtillë: poetë intelektualë, mendtarë, nuk po citoj emra.
     Kalojmë te shembulli I Milto-it. Verbëria e tij qe e vullnetshme. Që në krye të herës ai e diti se do të ishte poet i madh. Këtë intuitë e paten edhe poetë të tjerë.
Coleridge-i dhe De Quincey-i, para se të shkruanin qoftë edhe një varg, e ditën se fati i tyre do të ishte letrar. Edhe unë, nëse mund të flas për veten time, gjithnjë e kam ndier se fati im do të ishte mbi të gjitha letrar, doemthënë se do të më ndodhnin disa gjëra të mira dhe shumë fatkeqësi.
Gjithnjë e kam ditur se me kalimin e viteve, gjithçka do të shndërrohej në fjalë, sidomos fatkeqësitë, sepse lumturia nuk ka nevojë të kumtohet: lumturia është qëllim në vetvete.
     Jemi te Milton-i, i cili e dëmtoi shikimin duke shkruar broshura në mbrojtje të së drejtës së ekzekutimit të mbretit nga parlamenti. Ai thotë se e humbi dritën e syve me vetëdije për të mbrojtur lirinë. Duke folur për këtë detyrë fisnike, ai nuk qahet se është i verbër; mendon se e ka flijuar me vullnet dritën e syve dhe kujton dëshirën e tij të parë, atë për të qenë poet. Në Universitetin e Kembrixhit është zbuluar një dorëshkrim me një mori temash që Milton-i kishte skicuar në rininë e vet, për të shkruar një poemë të gjatë.
    “Do të doja t’u lija trashëgim brezave të ardhmë diçka që mos ta harrojmë lehtë”, ka deklaruar ai. Ai kishte mbajtur tashmë shënime për dhjetë a pesëmbëdhjetë tema, midis të cilave njërën, pa e ditur, e shkroi në mënyrë profetike.
Është tema e Samsonit. Asokohe poeti nuk e merrte me mend se fati i tij do të ishte në një farë mënyre i njëjtë me atë të Samsonit, që ashtu si njoftonte Krishtin Dhiata e Vjetër, i bënte të ditur fatin vetes në mënyrë të përpiktë.
Kur e mori vesh se ishte verbuar , Milton-i e nisi punën me dy vepra historike: Histori e Moskovisë dhe Histori e Anglisë, të cilat mbetën të pambaruara. Pastaj vjen poema e gjatë Parajsa e humbur. Ai kishte kërkuar një temë që mund t’u interesonte të gjithëve dhe jo vetëm anglezëve. Kjo që tema e Adamit, që është ati ynë, ati i të gjithëve.
    Milton-i e kaloi një pjesë të mirë të jetës në vetmi, duke thurur vargje, të cilat i zhvilluan kujtesën. Ai mund të mbante mend dyzet apo pesëdhjetë njëmbëdhjetë rrokësha që ua diktonte më pas njerëzve që i shkonin për vizitë.
Kështu e kompozoi poemën, duke kujtuar dhe menduar fatin e Samsonit, aq të ngjashëm me fatin e vet, atëherë kur Cromwell-i kishte vdekur dhe kishte tingëlluar ora e Restaurimit . Milton-i u përndoq  dhe duhej të ishte dënuar me vdekje se e kishte përligjur ekzekutimin e mbretit.
Por Karli II, i biri i Karlit I, “të Ekzekutuarit”, kur i sollën listën e të dënuarve me vdekje , mori penën që i zgjatën dhe fisnikërisht tha: “Te dora ime e djathtë ka diçka që kundërshton të firmos një dënim me vdekje”. Kështu shpëtoi Milton-i, ashtu si shumë të tjerë.
     Ai shkroi, atëherë, Samson Agonistes që deshi t’i jepte formën e një tragjedie greke. Ngjarja zhvillohet në një ditë, dita e fundme e Samsonit dhe poeti qe habitur nga ngjashmëria e fateve të tyre; ai kishte qenë si Samsoni njeri i fortë dhe përfundimisht qe mundur. Edhe Milton-i ishte i verbër. Dhe shkroi këto vargje që sipas Landor-it ua kanë vënë keq shenjat e pikësimit e që duhej të lexoheshin kështu: Eyless, in Gaza, at the mill, with the slaves; “O i verbër në Gaza ( Gaza është qytet i Filistinëve, një qytet armik), në rrotën e mullirit, bashkë me skllevërit”. Dukej sikur fatkeqësitë mblidheshin njëra pas tjetrës dhe e godisnin Samsnonin.
    Një sonnet i Milton-it flet për verbërinë e tij. Njëri prej vargjeve të tij duket sheshit që është nga një i verbër.
Kur përshkruan botën, Milton-i thotë: “In this dark world and wide”, “Në këtë botë të errët dhe të paanë”, që është saktësisht bota e të verbërve, të cilët janë fillikat dhe ecin duke kërkuar ku të kapen me duart e shtrira. Këtu kemi shembullin (shumë më të rëndësishme se imi) e një njeriu që e kapërcen verbërinë e që e përmbush detyrën e vet:
Parajsa e humbur, Parajsa e fituar, Samsoni Agonistes, sonetet e tij më të arrira, një pjesë e librit Historia e Anglisë, që nga origjinat deri te pushtimi norman. Të gjitha këto ai i shkroi duke qenë i verbër, i detyruar t’ua diktonte vizitorëve të rastësishëm.
    Aristokratikun Prescott nga Bostoni e ndihmoi e shoqja.
Ai kishte humbur njërin sy dhe tjetrin pothuajse e kishte verbuar në një aksident kur ishte student në Harvard.
Kështu vendosi t’ia kushtonte jetën letërsisë. Studioi , mësoi letërsinë e Anglisë, Franës, Italisë, Spanjës. Spanja perandorake e nxiti të gjente universin e tij të vërtetë, atë univers që i shkonte kundërshtimit të tij të papërkulshëm në ditët republikane. Nga njeri i ditur, ai u bë shkrimtar dhe ia diktonte gruas së vet që ishte edhe lexuesja e tij, historinë e pushtimit të Meksikës e Perusë, mbretërimin e mbretërve katolikë dhe Filipit II. Kjo ishte një punë e lumtur, thuajse e përsosur, që i kërkoi më shumë se njëzet vjet.
    Dy shembuj të tjerë janë më pranë nesh. E kam përmendur tashmë Groussac-un. Ky burrë është lënë padrejtësisht në harresë. Njerëzit shohin gjithnjë te ai një francez, një ardhacak në vendin tonë. Thonë që vepra e tij historike është e tejkaluar, sepse sot ka një dokumentim më të mirë. Por harrojnë që Groussac-u si çdo shkrimtar, ka shkruar dy vepra: njëra është tema që propozohet, tjetra është mënyra si trajtohet. Përveç veprës historike dhe kritike që na ka lënë, ai e ka përtërirë prozën spanjolle.
 Alfonso Reyes , prozatori më i mirë i gjuhës spanjolle , më tha një ditë: “Nga Groussac-u kam mësuar si duhet shkruar spanjishtja”. Ai e kapërceu verbërinë e tij dhe na ka dhuruar disa nga faqet më të mira në prozë që janë shkruar në vendin tonë. Dua ta kujtoj gjithmonë.
    Të ndalemi te një shembull tjetër, më i shquar se ai i Groussac-ut. Fjala është për James Joyce, vepra e të cilit është gjithashtu e dyfishtë. Kemi dy romane, të mëdha, dhe le ta themi, të mezilexueshme që janë Uliksi dhe Zgjimi i Fineganëve.Gjithsesi kjo është vetëm gjysma e veprës së tij ( që përmban, veç kësaj, poema të bukura dhe të mrekullishmin Dedalus, Portreti i artistit në rini). Gjysma tjetër, mbase më e vlefshmja-siç thuhet sot-qëndron te fakti se ai përdori atë, të pafundmen gjihë angleze. Kjo gjuhë që në mënyrë statistikore ua kalon gjithë të tjerave dhe që i jep aq mundësi shkrimtarit, veçanarisht me foljet aq konkrete, nuk i mjaftoi. Irlandezi Joyce u kujtua që Dublini qe themeluar nga Vikingët danezë. Ai mësoi norvegjishten, i shkroi një letër në norvegjisht Ibsen-it, pastaj studioi greqishten, latinishten…I mësoi gjuhët dhe shkroi në një gjuhë të spikur nga vetë ai, në një gjuhë që kuptohet vështirë, por që e shquan një muzikë e çuditshme. Joyce i solli një muzikë të re anglishtes.
Dhe shpalli trimërisht (por që nuk është e vërtetë): ”Nga gjithë gjërat që më kanë ndodhur, besoj se më pak e rëndësishmja është verbëria”. Një pjesë e veprës së tij të madhe që ka lënë, është mbruajtur në errësirë: duke lëmuar frazat në kujtesë, duke punuarndonjëherë vetëm një frazë gjatë gjithë ditës, për ta shkruar e korrigjuar mandej. Në mënyrë analoge, pafuqia e Boileau-së, e Swift-it, e Kant-it, e Ruskin-it dhe George Moore-it qenë një instrument melankolik për përmbushjen e veprës së tyre; sot mund të flitet për çoroditje, kur përfituesit kujdesen vetë që gjithkush t’i mësojë emrat e tyre. Demokriti i Abderës, i kërreu sytë në një kopsht që të mos hutohej nga pamja e realietit të jashtëm; Origéne-i e trodhi veten.
    Numërova mjaft shembuj. Disa janë aq të shquar sa më vjen turp që fola për rastin tim vetjak; mirëpo njerëzit duan gjithnjë mirëbesime dhe unë nuk kam ndonjë arsye të mos flas për të miat. Edhe pse kjo gjë tingëllon absurd, sigurisht, kur e vë emrin tim përkrah atyre për të cilët fola .
    Thashë se verbëria ishte një mënyrë jetese, një mënyrë jo krejtësisht fatkeqe. Le të sjellim ndërmend këto vargje të më të madhit prej poetëve spanjollë, Fray Luis de Lèon:

    Dua të jetoj me veten fillikat
    Të shijoj lumturinë që me jep qielli i lartë
    Pa dëshmitar, pa njeri pranë,
    I lirë nga dashuri dhe mallëngjime,
    Nga mëri, shpresë dhe llahtarime.

    Edgar Allan Poe e dinte përmendësh këtë strofë.
    Për mua, të jetosh pa urrejtje , është gjë e thjeshtë, sepse nuk e kam përjetuar kurrë këtë ndjenjë. Por të jetosh pa dashuri, më duket se për të gjithë është e pamundur, lumturisht e pamundur. Sidoqoftë ky fillim: “Dua të jetoj me veten fillikat, të shijoj lumturinë që më jep qielli i lartë”, nëse e pranojmë që në këtë qiell, mund të ekzistojë mugëtira , atëherë kush mund të jetojë më shumë me veten, kush mund ta njohë më mirë veten, sipas shprehjes sokratike, cili mund ta njohë veten më mirë se një i verbër?
    Shkrimtari jeton. Detyra e poetit nuk mund të përmbushet sipas një orari të përcaktuar. Askush nuk mund të jetë poet nga ora tetë deri në dymbëdhjetë të drekës dhe nga ora dy deri në gjashtë të pasditës. Por një poet nuk pushon së qeni poet. Ai është i pushtuar orë e çast nga poezia. Ashtu si një piktor, të cilit nuk i ndahen ngjyrat dhe format. Apo një muzikant që ndien botën e çuditshme të tingujve-bota më e çuditshme e artit-ta shoqërojnë përherë, që meloditë dhe kundërmeloditë nuk pushojnë asnjëherë. Për veprën e artistit, verbëria nuk është një fatkeqësi e pandreqshme: ajo mund të jetë instrument . Fray Luis de Léon i ka kushtuar një nga odet e tij më të bukura Francisko Salinast-it, muzikant i verbër.
    Një shkrimtar ose çdo njeri, duhet të shoh te ajo që i ndodh një instrument, të mendojë se të gjitha gjërat i janë dhënë me njëfarë qëllimi, veçanarisht kur është fjala për një artist. Gjithçka që ndodh, duke përfshirë edhe poshtërimet, dështimet, fatkeqësitë, të tëra i jepen si deltinë, lëndë për artin e tij; ai duhet të nxjerrë prej tyre përfitim. Ja përse kam folur në një poemë për shujtën antike të heronjve që janë: poshtërimi, fatkeqësia, grindja.
Këto gjëra na jepen që ne t’i shndërrojmë, që të mbrujmë me rrethanën mjerane të jetës sonë, gjëra të përjetshme, ose që mund të bëhen të tilla.
    Po qe se i verbri mendon kështu, ai ka shpëtuar. Verbëria është një dhunti. Unë, tashmë ua kam lodhur veshët me dhuntitë që më ka sjellë: ajo më ka dhuruar gjuhën anglo-saksone, pjesërisht skandinavishten, ajo më bëri të njihja një letërsi mesjetare që mund të mos e kisha njohur, asaj i detyrohem që shkrova sa e sa libra të mirë a të këqij, por që e përligjin çastin kur janë shkruar. Për më tepër, i verbri ndihet i rrethuar me dhembshurinë e të gjithëve.
Gjithmonë provohet mirësi për një të verbër.
    Do ta mbyll me një varg të Goethe-s. Gjermanishtja ime është e mangët, por besoj se kam mundur t’i sjell pa gabime fjalët e mëposhtme: “Alles Nahe werde fern”, “Gjithçka që ishte afër, largohet”. Poeti e shkroi këtë duke menduar muzgun e mbrëmjes. Gjithçka që ishte afër, largohet, është shumë e saktë. Kur bie muzgu gjërat më të afërta largohen nga sytë tanë, ashtu si u largua bota pamore nga sytë e mi, mbase përgjithnjë. Goethe-ja mund t’i jetë drejtuar jo vetëm muzgut të mbrëmjes, por edhe muzgut të jetës. Të gjitha gjërat na braktisin pak nga pak. Pleqëria mund të jetë vetmia e madhe, çka do të thotë se vetmia e madhe është vdekja…”Gjithçka që ishte afër, largohet”, kjo gjë i ndodh edhe procesit të ngadaltë të verbërisë, për të cilën desha të flisja sonte e t’u tregoja se kjo nuk qe fatkeqësi e plotë, se verbëria duhej të qe një instrument më tepër në morinë e atyre që na dhuron fati dhe rastësia.

*Marrë nga libri i Jorge Luis Borges “Ligjërata” që e përktheu nga frëngjishtja: Feride Papleka

Përgatiti: ObserverKult