Jorgo Bllaci: Lamtumirë, o mëmë e mjerë

jorgo bllaci mbytet

Dëgjo ç’thonë gjethet më të rënë,
Këtë natë vjeshte me stuhi:
“Lamtumirë, e shtrenjta degë mëmë, –
Tokë e ftohtë po na merr në gji!

Ah, moj tokë, tokë! Kur bleronim
E të bënim fllade plot hare,
Ti na deshe, se të hijeshonim...
Po tani? Medet, të ngratat ne!

Na këput nga dega erë e fortë.
Ah, moj erë, pse kështu po fryn?
Mirë toka, që na pret e ftohtë,
Po ti pse me kaq rrëmbim na shtyn?

Si të deshte qejfi ty, moj erë,
Ne dikur u drodhëm pa pushim…
Lamtumirë, o degë, o mëmë e mjerë!
Ti na ndje për këngën plot ankim!

ObserverKult

————

Lexo edhe:

JORGO BLLACI: EJA KËNGA IME, S’KEMI Ç’RRIMË…

Eja kënga ime, s’kemi ç’rrimë
Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,
Vrasësi ku hiqet për viktimë
Dhe viktimës i kërkon shpagim.

Ku të përdhunuarat gjykohen,
Me të rrugës ligj nga prostitutat,
Ku të marrë e t’urtë përgojohen
Dhe servilët, porsi minj nga skutat.

Dalin, rrahin gjokset dhe mburren
Se luftuan vrimash si heronjtë,
Kuajve të ngordhur tek u turren
Për t’iu hequr me tërbim patkonjtë.

Ku gjithkush klith e shfryn paprerë
Me një duf që, mëshirona, o Zot!
Eja, këngë e dashur! Kaq poterë,
Unë e ti nuk e durojmë dot,

Se jo pakëz jeta na ka vrarë…
Ndaj, le t’ikim ku s’na sheh njeri:
Ndoshta larg, në pyjet magjistarë
Do të gjejmë prehje, qetësi!

ObserverKult