Jorgo Bllaci: Oh, të jeshë i lirë…

jorgo bllaci mbytet

***
Oh, të jeshë i lirë
Të mbushësh kraharorin
Me ajrin e luginave
Dhe fushave të viseve prindore,
Të thithësh kundërmimn’ e trëndelinës
Dhe të barit,
Që pranverës vesh kodrinat e lëndinat,
Të rendësh, me vështrimin, horizonteve
Gjer larg nëpër të thellat kaltërsira,
T’i shuash shpirtit etjen për hapsirë,
Të rendësh
E pa ndrojtje t’i thërrasësh sendet n’emër,
T’u shprehësh i shpenguar
Dashurinë apo urrejtjen
Ashtu siç ndjen në zemër,
Ashtu siç ke dëshirë!

Oh, të jesh i lirë,
Nga vehtja të çlirosh ti veten tënde, –
Për emërin “Njeri” të jeshë i denjë!
E di kush janë prangat më të rënda?
Ato që vetë i hedhim mendimit apo ndjenjës,
Për hir të qetësisë,
Të unit kryeneç, apo të cmirës,
Për hir të thashethemeve,
Që s’janë veçse muret e qelisë,
Ku ftohtas mbyll rëmeti n’errësirë
Gjeniun e lirisë…

Oh, të jeshë i lirë! I lirë!