Josif Papagjoni flet për aktorin e ndjerë, Pandi Siku: Humbje e madhe…

Pandi Siku

Pak ditë më parë u nda nga jeta aktori Pandi Siku, i cilësuar mjeshtër karakteresh në skenë dhe ekran. Kritiku i artit Josif Papagjoni që e ka pasur shok kursi në Fakultetin e Arteve tregon fillimet e Sikut në art.

“Siku si student ishte një djalë tiranas gazmor, shumë i gjallë, dinamik dhe krijonte humor dhe këtë natyrë gazmore e energjike të gjallë e të qeshur e sendërtoi edhe në teatër”, shprehet Papagjoni.

Papagjoni veçon dramën e Ekrem Kryezit “Epoka para gjyqit” ku Pandi Siku kishte rolin e një djali që sillte mesazhin e qëndresës së Kosovës. Për rolet e tij ai ka marrë edhe çmime ndërsa nuk mungonin pjesët ideologjike.

“Pavarësisht nga ngarkesa dhe veshja ideologjike, drama dhe shfaqja Komunisti e Ruzhdi Pulahes me regji të Pirro Manit, ai solli një fshatar tiranas entuziast”, tha ai.

Nëse me pjesët teatrale ai u shfaq para një publiku më të reduktuar dhe vetëm të kohës së tij, me filmat e Kinostudios, Siku ra më shumë në sy.

“Ai e nisi me ‘Brazdat’ ku kishte rol kryesor dhe ishte një traktorist”.

Siku pati disa role në filmat shqiptarë ku portretizoi personazhet e miratuara nga sistemi në filmat që u lejuan të xhirohen. Rënia e sistemit çoi pashmangshmërisht edhe në shkërmoqjen e degëzimeve. Disa qëndruan e disa ikën duke marrë me vete brengën.

“Humbja e tij është humbje e madhe për teatrin dhe e shoqëruar me një trishtim sepse ai e ndërpreu karrierën e tij në vitin 2001 kur u largua dhe nuk e sublimoi veten deri në fund siç do të kishte dëshiruar sepse kriza e teatrit ishte një krizë shumë e thellë dhe shumë e madhe”, tha Papagjoni.

Siku u shua në moshën 73-vjeçare në SHBA siç thonë miqtë, me pengun e një arti që nuk e luajti deri në fund./BW


Lexo edhe:

“BABAI U BË NJË ËNGJËLL NË PARAJSË”, NJOFTIMI EMOCIONAL I FËMIJËVE PASI PANDI SIKU NDËRROI JETË