“Jul Cezari”, nesër para publikut

Tragjedia “Jul Cezari” e Shekspirit do të vijë mbrëmjen e datës 6 korrik për publikun. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rinis aktivitetin artistik, me këtë shfaqje në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve në Tiranë. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se risjell për publikun një nga veprat teatrore, që ka marrë vlerësimin e kritikës dhe më parë, një shfaqje që nuk duhet humbur. “Shfaqja që tronditi publikun, që në premierën e saj. E vlerësuar maksimalisht nga kritika. Me regjinë e të mirënjohurit Ivica Buljan vjen për t’ju magjepsur sërish. Mos e humb”, shprehet institucioni për këtë vepër teatrore, që në orën 21:00 të mbrëmjes së datës 6 korrik do të luhet nga aktorët në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Vepra teatrore me regji nga Ivica Buljan sjell në role aktorët e njohur si Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Ilia Kaçi, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Alert Çeloaliaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Anxhelo Shkreli. Drejtori i këtij teatri Kiço Londo shprehet se kjo vepër teatrore e Shekspirit pas Tiranës do të jetë dhe në qytete të tjera të vendit. “Në e sjellim veprën “Jul Cezari” në 6 korrik në Tetarin Veror në Universitetin e Arteve, por më pas do të vijojë edhe në qytete të tjera si në Shkodër, Lezhë, etj, atje ku ka kështjella”, tregon mes të tjerave drejtori Londo për këtë vepër të Shekspirit. Kostumografe në shfaqje është Sofi Kara; skenograf Beqo Nanaj; regji ndriçimi Sonda Trinajst dhe as/regjisor Mateo Dervishaj. Biletat shiten në “ArTurbina” nga ora 9.00-13.00 dhe 16.00-19.00, dhe më 6 korrik ora 19.00-21.00 në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, ku gjithashtu pranë institucionit mund të bëhen dhe rezervime.

Tragjedia e Shekspirit

Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qendrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Më herët në një reagim të tij kur kjo shfaqje pritej të ishte premierë në Tiranë, regjisori Ivica Buljan u shpreh mes të tjerave se kjo pjesë është aktuale jo vetëm për Shqipërinë, por dhe në botë. ““Jul Cezari” është i pari thrriller politik në çdo kohë, madje kjo vepër është aktuale jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”, pohuar më herët regjisori. Shfaqjet e regjisorit Ivica Buljan kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Duke u mbështetur në filozofinë krijuese të Antonin Artaud, teatri i tij fokusohet në protagonizmin e aktorit dhe ruan linjat klasike të teatrit. Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte, Teatri Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Evropian. Buljan është gjithashtu bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit Mini në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb. “Jul Cezari” është një tragjedi historike nga Uilliam Shekspir, e cila besohet të jetë shkruar në vitin 1599. Është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, tragjedinë e Shekspirit regjisori Ivica Buljan e solli jo në skenë në korrik të 2019, por në sheshin e teatrit.