Do të iki… poezi nga Juan Ramon Jimenez
Do të iki… Dhe do të mbeten zogjtë
me këngë në gojë,
do të mbetet kopshti im, pemët e gjelbra
dhe pusi në oborr.
Çdo pasdite qielli do të jetë i kaltër e i qetë
dhe fshati do të përtërihet çdo vit,
dhe n’atë kënd të kopshtit me lule e gëlqere
do të bredhë i përmalluar shpirti im.
Do të iki… Dhe do të mbes vetëm, pa vatër,
pa pemë të gjelbër, pa pus në oborr,
pa qiell të kaltër e të qetë…
Dhe do të mbeten zogjtë me këngë në gojë.
Përktheu nga spanjishtja: Aurel Plasari
————————————————————————————————–
LEXO EDHE:
Juan Ramon Jimenez: Kur duart e tua ishin hënë
Kur duart e tua ishin hënë
morën nga kopshti i qiellit
sytë e tu, dy vjollca hyjnore.
Ç’nostalgji, kur sytë e tu,
kujtojnë, natën, gonxhen e tyre
në dritat e vdekura të duarve tua!
Gjithë shpirtin tim, me botën e tij,
E vë në sytë e mi të tokës,
që të të admiroj ty, grua e hatashme!
Nuk do të takojnë dy vjollcat e tua
vendin e rehatshëm të krijuar për ty
duke mbledhur në shpirtin tim joqenien?
Përktheu: Skënder Buçpapaj
————————————————————————————————-
LEXO EDHE: Juan Ramon Jimenez: Udhëtimi i fundit
…Edhe unë do të iki.
Dhe do të mbeten vetëm zogjtë duke kënduar;
Do të mbetet kopshti im, me pemën e gjelbër
dhe me pusin e bardhë.
Të gjitha pasditet
qielli do të jetë i kaltër dhe i qetë;
dhe do ta prekin kambanat e kambanores,
siç e preknin atë ditë.
Do të vdesin ata që më deshën;
dhe qyteti do të përtërihet çdo vit;
dhe në atë qoshe të kopshtit të lulëzuar dhe të bardhë,
shpirti im nostalgjik do të gabojë…
Po unë do të iki; dhe do të jem vetëm, pa vatër,
pa pemë të gjelbër, pa pus të bardhë…
TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU