Juliana Pasha: Çmimin “Vaçe Zela” e ruaj në zemër si vlerësimin më të madh që kam

Juliana Pasha, këngëtarja e njohur shqiptare, në secilën shfaqje të sajën në skenë shkëlqen. Ajo njihet edhe si këngëtarja e Festivaleve pasi pikërisht nga aty edhe e nisi rrugëtimin në muzikë.

Juliana, pjesëmarrëse në Festivale të shumta, rrëmbyese e shumë çmimeve, njëra nga mentoret e ‘X Factor’, që dha gjithçka të mirë për anëtaret e grupit të saj që të shkëlqejnë në skenë, në një intervistë për ObserverKult ka treguar se për nder të Pavarësisë së Kosovës do ta lansoj një këngë, kompozim shumë i bukur i Edi Balilit dhe Muza Production.

Për këto dhe shumë gjëra të bukura të rrëfyera nga ajo mund t’i kuptoni në intervistën në vazhdim:

Intervistoi Lindita Canolli –Fejzullahi/ObserverKult

Si lindi dashuria për muzikën?

Juliana Pasha: Muzikën e kam dashur që fëmijë dhe jam rritur me të falë familjes time që më ka zbuluar talentin e këngës dhe më ka dhënë suportin që në moshën 5-vjeçare.

Hapat e parë të këngës kanë qenë Festivalet e këngës për fëmijë në vendlindjen time Burrel.

Ju ka mbetur peng për ndonjë profesion tjetër përveç muzikës…?

Juliana Pasha: Edhe pse kam qenë fëmijë i shkathët sidomos në sporte apo kërcim, vendin kryesor në zemrën time e ka patur vetëm muzika, ndaj nuk kam asnjë peng për profesionin tim.

A keni shkruar tekst të ndonjë kënge deri më tash…ndoshta ndonjë ngjarje apo histori e juaj që ju ka pëlqyer dhe e keni ‘shkrirë’ në këngë?

Juliana Pasha: Disa nga këngët e mia të para kanë qenë kompozime të bashkëshortit tim Altinit dhe tekste të shkruara nga unë.

Mund të përmend “Të humbas në ëndërr” – Kënga magjike 2004, apo “Milje Larg” – Mikrofoni i artë 2005.

Festivali i Këngës në RTSH, aty ku keni marrë pjesë shumë herë, ka patur edhe kritika lidhur me mbarëvajtjen, tekstet, këngëtarët. A mendoni se ka ndryshuar shumë nga vitet e mëhershme?

Juliana Pasha: Festivali i Këngës është skena ku ka nisur rrugëtimi im i mirëfilltë në muzikë. Aty jam rritur artistikisht dhe kam përjetuar lumturi dhe zhgënjime. Një event i madh i këngës shqipe sigurisht që gjithmonë shoqërohet edhe me kritika pasi të gjithë pjesëmarrësit duan të jenë fitues. Ndër vite ka patur patjetër ndryshime që shpesh herë janë pritur mirë nga publiku e shpesh janë kritikuar. Në dy vitet e fundit çmimi i parë dhe kënga që përfaqëson Shqipërinë në Eurosong janë dy çmime të ndryshme dhe kjo i jep vlerë festivalit pasi krijon larmi si në kompozimet e këngëve ashtu edhe në pjesëmarrjen e artistëve.

Në Festivalin e Këngës jeni vlerësuar me disa çmime, po i përmend  çmimin special të jurisë, si “Zëri më i mirë”,  vendin e tretë me këngën “Nje qiell i ri”,  vendin e dytë në një duet me Luiz Ejlli dhe po ashtu u zgjodhët për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision me këngën “It’s all about you”. Gjithashtu në Kënga Magjike jeni vlerësuar me shumë çmime duke përmendur dhe çmimin e parë me “Sa e shite zemrën” nje duet me Luiz Ejlli. Si ishin ato eksperienca ?

Juliana Pasha: Festivali i Këngës dhe Kënga magjike mbeten dy skenat kryesore për çdo artist që do të zhvillojë karrierën e tij dhe të provojë aftësitë e tij para publikut. Unë i kam dashur gjithmonë kompeticionet dhe jam e lumtur që prej tyre kam marrë më të mirën duke u vlerësuar me çmimet më të rëndësishme. Kam patur fatin të bashkëpunoj me kompozitorë të njohur si Ardit Gjebrea, Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Endri Sina etj… gjithashtu dhe dy duete të vlerësuara në maksimum me Luiz Ejllin.

Për disa vite keni qenë mentore në ‘X Factor’ , si e kujtoni atë kohë.

Juliana Pasha: Ka qenë një periudhë shumë e bukur por dhe shumë e lodhshme për mua. Unë jam njeri që përkushtohem në maksimum kur marrë përsipër diçka. Dëshira për t’i mësuar dhe drejtuar artistët e rinj që konkurronin në ‘X Factor’ bëri që të mos kurseja asgjë dhe të gjithë kohën time ta shpenzoja me 4 vajzat e kategorisë time në vitin 2010 Sheila, Xhesika, Festina dhe Savjava. Lumturohem sa herë i shoh vajzat në skenë sot dhe uroj që gjithçka që u kam mësuar t’u ketë vlejtur në rrugëtimin e tyre.

Tashmë në tregun muzikor në Shqipëri e Kosovë është duke u bërë ‘luftë’ se kush po lanson këngë më shpesh dhe me videoklipe. Si qëndroni ju në këtë aspekt?

Juliana Pasha: Nuk bëj këngë shpesh pasi këngët bëhen si ato shprehjet: “Pak e saktë” e “Shumë e për lumë”

Cilën nga këngët e tua e ke shijuar më shumë?

Juliana Pasha: Nuk i ndaj dot pasi çdo këngë e re zë një vend të veçantë në zemrën time.

Po cila është kënga juaj që ka kaluar pritshmëritë, pse ?

Juliana Pasha: “Sa e shite zemren” ishte një surprizë pasi që pas 10 vitesh u rikthye në vëmendjen e publikut pasi që Luiz Ejlli fitoi simpatinë e të gjithë shqiptarëve.

Jeni vlerësuar me shumë çmime, në mesin e tyre po e përmendi çmimin për zërin më të mirë “Vaçe Zela”. Çka do të thotë ky çmim për ju?

Juliana Pasha: Është çmimi që e ruaj në zemër si vlerësimin më të madh që kam.

Çka ju pengon juve në tregun muzikor, diçka që mendoni se po e shkatërron muzikën e mirëfilltë dhe kush kishte me qenë ‘shpëtimi’?

Juliana Pasha: Më bëhet shpeshëherë kjo pyetje dhe realisht është vështirë për t’u përgjigjur. Kjo sepse askush nga ne nuk e përcakton dot se kush është muzika e mirëfilltë. Unë mund të pëlqej diçka që ti nuk e pëlqen dhe anasjelltas. Nuk ka muzikë të mirë apo të keqe. Muzika çfarëdo rryme apo stili që të jetë nëse pëlqehet edhe vetëm nga një person ka vlerën e saj.  

A duhet të jenë ligjet më të ashpra për ata që vjedhin këngët e dikujt …?

 Juliana Pasha: Në ditët e sotme asgjë nuk vidhet dot pa leje sidomos të kompozitorëve të këngëve. Ajo që ndodh është që këngët e popullit (këngë që nuk u dihen autorët) merren dhe transformohen në forma nga më të ndryshmet.

Evoluimi i teknologjisë, muzikës po vazhdon, por pas një dekade si mendoni se do të shkojnë gjërat në këtë aspekt…?

Juliana Pasha: Gjithçka duket se do të shkojë drejt futurizmit. Një nga shembujt më konkret është koncerti i grupit ABBA. Mendoj se do të ketë më shumë koncerte të tilla duke lënë në hije artistët botërorë që janë ende aktive.

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri, a presim ndonjë këngë së shpejti?

Juliana Pasha: Jemi në prag të pavarësisë së Kosovës dhe po bëj gati këngën time më të re kushtuar Kosovës. Një kompozim shumë i bukur i Edi Balilit dhe Muza Production. Jam dashuruar me këtë këngë që në momentin e parë që e dëgjova dhe jam shumë e lumtur që m’u ofrua mua ky bashkëpunim . Mezi pres ta dëgjoni!

Mesazhi juaj për artistët e rinj që janë në fillet e tyre të karrierës?

Juliana Pasha: Bëni muzikën që ju pëlqen pavarësisht rrjedhës që shpeshëherë mund t’ju drejtojë tregu muzikor. Mbi të gjitha mundohuni të njihni mirë tabanin e muzikës shqiptare që të mos humbisni rrënjët e muzikës shqipe./ ObserverKult


Lexo edhe:

JULIANA PASHA & LUIS EJLLI: SA E SHITE ZEMRËN/ KËNGA QË PATI TRIUMFUAR NË “KËNGA MAGJIKE” MË 2010

Juliana Pasha dhe Luiz Ejlli me këngën e tyre “Sa e Shite Zemrën”, u patën shpall fitues në Festivalin “Kënga Magjike” më 2010.

Muzikën dhe tekstin e kësaj kënge e ka bërë Pirro Çako, kurse orkestrimi: Darko Dimitrov.

Po ta lë ty radhën
që ta puthësh frikën
ose mbyllim të dy sytë
dhe njeri ikën…

Merri ti me vete
fjalët dhe muzikën
se të gjitha këngët
kanë shtatë nota
Por ajo që mbeti
si një kujtim është ky motiv.

Jo nuk ka gjithmonë
vetëm ditë me shi
ka dhe ditë me diell
kur nuk je më ti
kush shpëton i gjallë
bëhet më i fortë tani

Arratisja jote më befasoi
koha ty sekretin do ta zbulojë
Sa e shite zemrën unë s’e di.

Pse e humbe sensin
ku duhet drejtimi?
Një avion mbi re
nuk dihet drejtimi
As rebeli i fundit
nuk ta ndali ditën
se ti kishe kohë per të ikur

Tekstin e plotë të këngës mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult