Nga Carl Gustav Jung
Vetëdija e njeriut të qytetëruar është një pjesë e psikikës, e ndarë vendosmërisht nga instiktet parësore, të cilët në fakt nuk kanë shkuar kurrkund. Ata vetëm se kanë humbur kontaktin me vetëdijen dhe janë të detyruar në rrugë të tërthortë të tregojnë se nuk janë zhdukur. Për shembull, përmes simptomave të neurozës ose bile të tilla të papriturave, si harresa, sjellja e papërgjegjshme.
Njeriut i pëlqen ta konsiderojë veten zot të shpirtit të tij.
Por derisa ai nuk është në gjendje të kontrollojë gjendjen e vet shpirtërore dhe emocionet e veta ose të ndërgjegjësohet lidhur me një mori rrugësh (mënyrash) të fshehta që përdorin formimet e të nënvetëdijshmes për të siguruar që ne të japim zgjidhjen ose rregullin, për të cilin ato kanë nevojë, ai kurrsesi nuk mund të quhet zot i fatit të vet.
Këta faktorë të pakonceptueshëm ekzistojnë falë mëvetësisë së arketipave. Njeriu bashkëkohor e mbron veten e vet nga ndeshja me bigëzimin e vet duke krijuar sistemin e sektorëve të izoluar, ku ai vendos sipas një rregulli të caktuar ngjarjesh që ndodhin me të dhe rreth e rrotull tij.Në këtë mënyrë ato, si të thuash, ruhen në sirtarë të ndryshme dhe nuk kryqëzohen.
Si shembull të kësaj psikologjie “sirtarësh” do të doja të tregoja për një alkoolist që pat rënë nën influencën mirëbërëse të një lëvizje fetare, i cili ishte frymëzuar aq shumë nga entuziazmi i pjestarëve të saj, saqë për njëfarë kohe e kishte harruar fare pijen. Këtë e shfrytëzuan pa vonesë klerikët e shkathtë, duke shpallur me të madhe një shërim të çuditshëm, që vërteton mëshirën e zotit ose efektivitetin e punës së tyre. Mirëpo, disa javë më vonë risia e pendimeve publike për pijanecin filloi të venitet, kështu që atij iu desh pija alkoolike për të marrë veten.
Ai u deh sërish, kurse bamirësit e tij fetarë vendosën që ky rast ishte i pandreqshëm, krejtësisht i papërshtatshëm për ndërhyrje hyjnore, dhe e çuan në spital duke arsyetuar që mjeku do të rregullojë më mirë se Krijuesi.
Tipari i sapo përshkruar i të menduarit “të qytetëruar’’ bashkëkohor meriton një studim më të thellë. Sepse ai dëshmon që disharmonia e personit dhe katrahura psikologjike kanë marrë përmasa të rrezikshme. Sikur t’i hedhim sytë një çast njerëzit si një personi të veçantë, kemi për të parë që atë po e çojnë drejt rrjedhjes fuqi të pakonceptueshme, kështu që ai gjithashtu ka prirjen t’i fshehë sa më larg disa probleme nëpër sirtarë të ndryshme. Ja përse neve na duhet ta vrasim mirë mendjen lidhur me çka të bëjmë. Se njerëzimin e kërcënojnë probleme, të cilat ai i ka krijuar vetë, dhe ato probleme përbëjnë një rrezik vdekjeje, kështu që vija ndarëse konvencionale është perdja e hekurt.
Duke qenë i ndërgjegjshëm lidhur me synimin për sundim që vjen nga Lindja, Perendimi është i detyruar të armatoset jashtë mase për mbrojtjen e vet duke ngritur në qiell në të njëjtën kohë virtytet e veta dhe qëllimet e mira që ndjek.
Perendimi nuk e sheh që defektet e tij, të cilat ai i maskon me një etiketë të paqortueshme dhe me një protokoll në marrëdhëniet ndërkombëtare, atij ia demonstron metodikisht dhe pa e vrarë ndërgjegjja sistemi komunist. Ajo që në Perendim është lejuar nën mbulesën e sekretit dhe me njëfarë droje (mashtrim diplomatik, simulim sistematik, kërcënime të maskuara), vjen tek ne haptas nga Lindja duke na lidhur me fije neurotike. Që nga prapa perdes së Gjenevës Perendimin po e vështron duke u zgërdhyer hija vet ogurzezë.
Kjo situatë është shkaku kryesorë i ndjenjës së veçantë të pafuqisë që ka pushtuar shumë njerëz që jetojnë në Perendim.
Ata kanë filluar të kuptojnë që vështirësitë, me të cilat po ndeshemmi, më tepër kanë karakter moral, dhe që orvatjet për t’i kapërcyer ato duke grumbulluar male armësh bërthamore ose me anën e ‘’garës’’ ekonomike, nuk japin rezultate, sepse janë thikë me dy presa. Tani shumë prej nesh e kuptojnë që është më e parapëlqyeshme të përdore etika dhe arsyeja, mbasi ato na sigurojnë imunitetin psikologjik nga infeksioni që po shtohet pafundësisht.
Mirëpo të gjitha orvatjet e këtij lloji deri sot kanë demonstruar një paefektshmëri të tejskajshme dhe të pashmangshme përderisa ne përpiqemi të bindim veten tonë dhe tërë botën për gabueshmërinë e veprimeve të tyre (domethënë të oponentëve tanë). Ne do t’i ofroheshim më shpejtë qëllimit sikur të përpiqeshim të pranonim hijen tonë bashkë me bëmat e saj të neveritshme.
Duke e njohur këtë hije, që përfaqëson në vetvete anën e errët të natyrës sonë, ne do të fitonim imunitet nga gjithfarë gërbulash dhe intrigash morale dhe mendore. Por në situatën e tanishme ne jemi të ekspozuar para çdo murtaje, përderisa jemi duke e marrë në fakt po me ato, me çka merren edhe ata. Të gjitha këto rëndohen edhe nga fakti, që nuk e kuptojmë dhe nuk duam të kuptojmë se çfarë jemi duke bërë nën maskën e sjelljes së mirë.
Sistemi komunist ka një mit të madh (atë që ne e quajmë iluzion, duke shpresuar më kot se ai mund të zhduket nën trysninë e pikëpamjes sonë më të drejtë). Kjo është ëndërra arketipike e përforcuar nga koha mbi ‘’shekullin e artë’’(ose mbi Parajsën ), ku njerëzimi argëtohet me bllokun e gjithçkaje nën udhëheqjen e madhe, të drejtë dhe të urtë të prirjes që kryeson këtë kopsht fëmijësh kolosal.
Ky arketip i fuqishëm në formën e tij infantile deri tani i ruan pozitat e veta në mendjet e banorëve të bllokut lindor, dhe nuk është e thënë që ai të zhduket për shkak të epërsisë së ideve tona. Përkundrazi, ne vazhdimisht e ushqejmë atë me papjekurinë tonë, mbasi qytetërimi perendimor është pushtuar po nga kjo mitologji. Duke mos u ndërgjegjësuar për këtë gjë, ne po ashtu kultivojmë paragjykimet, shpresat dhe ëndërrat. Edhe ne besojmë në shtetin e mirëqenies së përgjithshme, në paqen e përgjithshme, në barazinë, në të drejtat e përjetshme të njeriut, në të vërtetën dhe drejtësinë dhe (pa e deklaruar këtë me zë të lartë), ne Mbretërinë Hyjnore mbi tokë.
Kurse e vërteta e hidhur qëndron në faktin, që jeta reale është plot kundërshti që veprojnë në mënyrë të pamëshirshme:
dita zëvëndësohet nga nata, lindja-nga vdekja, lumturia-nga hidhërimi, e mira-nga e keqja. Dhe ne nuk mund të besojmë që njëra do të fitojë mbi tjetrën , e mira do ta mund të keqen, kurse gëzimi do t’ia kalojë dhimbjes. Jeta është një fushë betejash.
Kështu ka qenë kurdoherë dhe kështu do të jetë, përndryshe jeta do të ndërpritet.
*Shkëputur nga eseja “Shpirti i njeriut”, botuar brenda librit “Njeriu dhe simbolet e tij” të Carl Gustav Jung, Fan Noli, Tiranë, 2010, të përkthyer nga Myfit Mushi
Përgatiti: ObserverKult