Ju ftojmë të lexoni tekstin dhe ta dëgjoni këngën “Kënga e bilbilit” të Jusuf Gërvallës!
A, kjo anë e lumit
ka bilbila shumë.
Pritëm bandill, pritëm
jam e vogël shumë.
Fusha na bën lule,
mali bën furtunë.
Pritëm bandill, pritëm
sa të rritem unë.
Ç’u dehën bilbilat,
koha m’erdhi mua.
Merrëm bandill, merrëm,
në krahët e tua.
Malit mbledhim lule,
malit thithim shqotë.
Po ç’na duhet tjetër,
vallë në këtë botë.
Ikën zogjtë e vajtën,
bilbilat seç heshtën.
Ngrohmë bandill, ngrohmë,
se na zuri vjeshta.
Malet mbuloi bora,
fushës lulet ranë.
Sa shpejtë frynë kjo jetë,
vallë n’ëndërr e pamë.
Ç’u dehën bilbilat,
koha m’erdhi mua.
Merrëm bandill, merrëm,
në krahët e tua.
Fushës mbledhim lule,
malit thithim shqotë.
Po ç’na duhet tjetër,
vallë në këtë botë.
ObserverKult
——————-
Lexo edhe: