Ka humbur respekti për mësuesin!

Namir Lapardhaja

Nga Namir Lapardhaja

Në vend të një urimi për mësuesit, prindërit dhe nxënësit

Shkolla është një ndër mjetet edukuese të individit, por familja, shoqëria, konteksti social dhe kulturor, janë po aq të rëndësishëm. Madje, këto luajnë rol parësor në formësimin e personalitetit të fëmijës.
Rrugëtimi i çdo viti të ri shkollor nis me një marrëdhënie tripalëshe: mësues-nxënës-prindër.

MËSUESI duhet ta shohë fillimin e vitit të ri shkollor si një mundësi të artë për të shprehur talentin dhe pasionin e tij në edukim dhe mësimdhënie. Nëse profesioni nuk do të shihet si mision, por si një punë e rëndomtë, për të marrë rrogën dhe për të mbajtur frymën gjallë, viti shkollor do të duket shumë i gjatë, puna shumë e lodhshme dhe nuk do të marrë si shpërblim kurrfarë kënaqësie.

Mësuesia është shndërruar në një profesion të lodhshëm për shkak të burokracive dhe vështirësive që dalin gjatë rrugës dhe që në shumicën e rasteve nuk kanë lidhje me edukimin dhe mësimdhënien, mirëpo mësuesi i mirë është githmonë i aftë të bëjë dallimin mes kotësisë dhe të vlefshmes.

Ashtu siç i kërkonte A. Lincolni mësuesit të fëmijës së tij, çelësi i sekretit të çdo edukuesi të mirë është stimulimi i talentit që gjendet brenda çdo fëmije dhe, mbi të gjitha, “të gjeturit të forcës për të mos ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit”.

Por që të arrish të përçosh këtë filozofi tek fëmija, së pari, duhet ta besosh dhe realizosh vet më parë një gjë të tillë. Përndryshe, do jesh thjesht një rrogëtar, shpeshherë nën nivelin e nxënësve të tu, të cilët, pavarësisht se do të respektojnë gjatë periudhës së shkollës, kur të rriten dhe të ndërgjegjësohen më tepër, do ta bëjnë dallimin dhe vlerësimin real.

PRINDËRIT shpeshherë “shpëtojnë” duke i çuar fëmijët në shkollë dhe duke “i plasur” atje. Se çfarë bëhet më tej, as që duan ta dinë. Kur bëhen problem, të kërkojnë edhe llogari, sikur nuk janë ata që jetojnë nën të njëjtën çati me fëmijën e tyre. Sigurisht, ka edhe përjashtime. Ka prindër të mrekullueshëm, të cilët orë e çast “të bezdisin” me interesimin e tyre.

Këta janë prindërit shembullor. Në të gjitha rastet, prindërit e nxënësve shumë të mirë, të cilët edhe pa interesimin e tyre janë model. Prindi në raport me mësuesit është përpara një paradoksi: nga një anë ai e kupton se diçka me fëmijën e tij nuk shkon, nga ana tjetër ai është i predispozuar të besojë fëmijën dhe të kërkojë më shumë se ç’duhet dhe më tepër se sa i takon. Në të gjitha rastet, fëmijët janë mishërimi më i gjallë i prindërve të tyre. Ka edhe përjashtime nga rregulli.

NXËNËSIT në ditët e sotme, në shumicën e rasteve, e shohin mësuesin si armik. Ka humbur ai respekt i dikurshëm për figurën e mësuesit. Në këtë marrëdhënie problemi nuk është vetëm i tyre, ngase edukimi është një raport dinamik i vazhdueshëm dhe i përhershëm. Ka nxënës model dhe me synime të qarta, ashtu siç ka nxënës hileqar, dembelë dhe që kërkojnë më shumë seç japin. Shpeshherë këta të fundit “i prishin” edhe prindërit e tyre, të cilët e “ndihmojnë” fëmijën në krijimin e një figure të urrejtur për mësuesin në sytë e tyre.

Të japësh receta në këtë marrëdhënie tripalëshe nuk është aspak e lehtë, mirëpo çdo fillim i ri është një motiv dhe arsye më tepër drejt përmirësimit dhe drejt realizimit të qëllimeve.

Ndaj urimi im për kolegët është të jenë vetvetja, të mos lejojnë t’i shkelin dinjitetin e tyre dhe të jenë kurajoz dhe të qëndrueshëm në ato që japin dhe kërkojnë.
Fëmijët t’i shohin me përgjegjësi dhe t’i trajtojnë ashtu siç do të deshën që të tjerët të trajtonin fëmijën e tyre.

Për prindërit e fëmijëve urimi është që të jenë të interesuar për fëmijët e tyre përgjatë gjithë vitit shkollor, ta ndjekin ecurin e tyre në vazhdimësi dhe të kërkojnë aq sa meritojnë, sepse çdo kërkesë më tepër mund të jetë diçka e thjesht për ta, mirëpo mund të shndërrohet në padrejtësi për fëmijët e tjerë.

Për nxënësit urimi është të punojnë shumë, fort dhe në mënyrë sistematike. Të kenë respekt për shokun dhe, mbi të gjitha, për mësuesin. Mësuesit nuk janë aty për të qenë kundër, por për të ndihmuar. Ndaj shihini mësuesit si partnerë për të bashkëpunuar, në punë të mira dhe të dobishme.

ObserverKult

———————————–

Lexo edhe:

KUSH ËSHTË GRUAJA QË ‘JA MORI’ ZEMRËN, JORGE LUIS BORGESIT?