Ka njerëz – që në vend të zemrës kanë gurë!, kolazh poezish nga Denata Ndreca

Denata Ndreca

Cikël poetik nga Denata Ndreca

Heshtja

Unë hesht
në heshtjen tënde,
ti hesht
në heshtjen time.

Të dy heshtim.

E heshtja,
hesht
në heshtjen tonë.

Loja

Sa herë të pyes
e nuk më përgjigjesh;
sa herë më përgjigjesh
pa të pyetur kurrë.

Sa herë afrohem
ti më largohesh,
e kur largohem
kthehesh tek unë.

Njerëz

Ka njerëz – që në vend
të zemrës kanë gurë;
ka njerëz – që në vend
të gjakut kanë ujë…

ka njerëz të mplakur
nga pritja, ka njerëz
të tulatur nga frika.

Ka heshtje në mes
të ekstazave njerëzore,
ka dhe qeshje
mes krimeve çnjerëzore.

U gërshetuan të gjitha –
pelhurë me absurditét.

Toka nën këmbë po plasë,
por nuk bërtet…

Gjithkund e askund

Kam qenë kudo
e s’kam qenë askund.
Kam parë e kam qeshë,
në shi e ftohtë –
pallton kam heçë;
e duart jeta me litar –
fort m’i ka ngjeshë.

Mbi trup kamxhikë –
hije të padukshme,
dhëmbë në qafë
të zogjve grabiçarë;
në gjoks ngulur
heshtat e stacioneve,
për varrin që njerëzit –
më hapën gjallë.

E fytyrën e duart
ia kam dhuru qiellit,
si guaska e vogël
nën shkumën e detit,
e pas vdekjes time –
kam lindur përsëri,
pa humbur shpirtin
e kaltër –
ngulur në thellësi.

Lutje

Mos e ulni zërin,
le të bijnë këmbanat.
Mos e ndalni zhurmën
që heshtjen e çmendur –
mbytë;
mos e fikni dritën
që terrin jua bën dritë.

E mos i thani lulet,
prej toket mos i zhgulni,
mos i vrisni ëndrrat
që ju zgjojnë prej gjumit.

E mos harroni bukën,
të mbesë e bardhë – si bora,
e të bekuarat përkëdhelje –
deri kur t’ju dridhet dora.

 ______________________________

*Denata Ndreca (Shkodër 1976) poete, shkrimtare, përkthyese letrare, gazetare, pedagoge, është një nga zërat lirikë më autentikë dhe më të fuqishëm në panoramën kombëtare të poezisë bashkëkohore. E diplomuar në Shkenca të formimit – Pedagogji.   U largua nga Shqipëria në 1999, pas një bashkëpunimi të gjatë me Radio Shkodrën dhe projektet për zhvillimin e zonës me aftësi të kufizuara në Shqipëri.
Në vitin 2000 do të vendoset përgjithmonë në Firence, qytet ku ajo ende jeton dhe shkruan, duke arritur tek lexuesi  me emocione që zgjojnë nga “gjumi”  – me forcë dhe delikatesë, shuplakë dhe përkëdhelje. “Në gjendje të zhveshë zemrën e saj si grua, shpirtin e saj, ajo zbulon ndjenjat e veta, na merr përdore dhe na çon  në prag të indinjatave të saj civile.  Një zë që mbart  brenda vetes vuajtjet e lashta të një populli  të provuar thellë … Por edhe aq shumë dashuri –  dashuri e cila është si vaji që Ndreca derdh mbi të gjitha plagët. Pra, le ta dëgjojmë këtë zë urtësie. Dhe duke shijuar vargjet e saj, të marrim një mësim për paqe, vëllazëri  midis popujve, marrëdhëniesh  të forta dhe të sinqerta ndërpersonale, interes për të mirën e përbashkët. Me një fjalë, të çmojmë ndjenjat e larta dhe të mira që dalin nga poezia e saj”, shkruan shkrimtari dhe gazetari Mimmo Muolo (zëvendës kryetar  i redaksisë  të gazetës  Avvenire – Roma).

Autore e disa vëllimeve me poezi, si La ragazza del Ponte Vecchio; Tempo negato; Calicanto; Un faro nella nebbia; Senza paura, dhe teksteve me tema shoqërore dhe historike për fëmijë: Karroca magjike; Jam unë; është përkthyer në anglisht, frëngjisht, spanjisht, shqip, tajlandisht. Tekstet për fëmijë  janë përfshirë në programin shkollor në qytete të ndryshme të Tajlandës.

Të gjitha veprat e saj kanë marrë çmime dhe vlersime  të rëndësishme letrare ndërkombëtare dhe kombëtare; është anëtare  e  Akademisë Vesuviane të Arteve dhe Akademisë La Pergola Arte të Firences. Merret me të drejtat e njeriut dhe bashkëpunon me gazeta të ndryshme.

ObserverKult

Lexo edhe:

DENATA NDRECA, PJESË E “PASSAGGI FESTIVAL” NË MBRËMJEN KUSHTUAR DANTES
FJALIMI PREKËS I SHKRIMTARES SHQIPTARE DENATA NDRECA NË SENATIN ITALIAN