Kadare: Gjuha shqipe është një gjuhë shumë e vështirë

Për ndjesinë që japin veprat e tij dhe për faktin se e kanë bërë jurinë e çmimit “Pak Kyongni 2019” të mendojë për ngjarje të caktuara historike, shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shpallur fituesi i këtij çmimi korean. Ai e pranoi atë të shtunën në një ceremoni ku bisedoi për letërsinë e gjuhën.

Kryetarit i komisionit përzgjedhës, Kim Uchang, në ceremoninë e pranimit të Çmimit ka thënë se shkrimtari Ismail Kadare është autor, i cili do ta lartësojë më shumë këtë çmim. Çmimi ndahet qe nëntë vjet dhe u krijua në vitin 2011 nga “Toji Fondation of Culture”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ismail Kadare gjatë pranimit të çmimit ka thënë se është i nderuar që ka marrë këtë shpërblim që mban emrin e nobelistes së njohur nga Koreja e Jugut, Pak Kyongni.

“Jam me të vërtetë krenar që marr këtë çmim që mban emrin e zonjës së madhe të kulturës koreane dhe jo vetëm kaq, por edhe të letërsisë, shpirtit dhe moralit të popullit tuaj. Ajo që më prek veçanërisht është dashuria e popullit korean për letërsinë dhe përfaqësuesen e tij”, ka thënë ai.

Sipas tij, misteri i madh i letërsisë botërore është fakti se si ajo ka mbijetuar për mijëvjeçarë të tërë, se si populli e ka mbrojtur atë, sepse kundër saj ka pasur gjithmonë ushtri armike që kanë dashur që ta shkatërrojnë çdo ditë.

“Unë vetë kam jetuar në një regjim shumë të vështirë, i cili në kujtesën e njerëzve tanë ka mbetur një kujtim i ferrit të Dantes, ka qenë një koincidence shumë e çuditshme, mes të dy popujve tanë, popullit tim shqiptar dhe popullit tuaj korean. Sot në botë është shumë e rrallë që të ketë dy shtete që t’i përkasin një kombi. Në Evropë është pikërisht shteti evropian i Shqipërisë dhe shteti tjetër po ashtu evropian dhe ballkanik njëkohësisht”, ka thënë ai.

Kadare para të pranishmëve ka biseduar edhe për pikëpamjet e tij filozofike për letërsinë, si dhe ka lexuar një ese në gjuhën shqipe për Eskilin. Nuk ka lënë pa pamenduar as gjuhën shqipe. “Gjuha shqipe është një gjuhë shumë e vështirë, por për shkrimtarin kjo është një gjë e mirë, sepse një gjuhë e vështirë shndërrohet në aleatin më të mirë të atyre që bëjnë letërsi”, ka thënë ai.

Që në shtator të këtij viti ishte bërë i ditur lajmi se Kadare ishte fitues i çmimit korean. Kryetarit i komisionit përzgjedhës, Kim Uchang, kishte shkruar se “veprat e Ismail Kadaresë na bëjnë të mendojmë dhe të ndiejmë marrëdhënien me ngjarje të caktuara të historisë”.

“Ekzistenca është thelbi i gjithë jetës njerëzore. Ajo qarkohet nga implikime të mëdha ideologjike në mënyrën tonë të të menduarit, në mënyrën e kuptimit shoqëror dhe në institucionet tona. Cila është e vërteta e dëshpëruar e jetës në këto kushte?”, kishte shkruar ai.

Më 31 korrik ishte bërë e ditur pesëshja pretenduese për këtë çmim. Pos shkrimtarit shqiptar, juria në listën e ngushtë kishte përfshirë edhe shkrimtarët nga Spanja, Antonio Muñoz Molina dhe Eduardo Mendoza, shkrimtaren kanadeze, fituese të shumë çmimeve, Margaret Atwood, dhe shkrimtarin nga Kina, Yan Lianke.

Sipas kryetarit të jurisë së çmimit “Pak Kyongni”, shkrimtarët e përzgjedhur “rezonojnë thellësisht me strukturat politike të shekullit njëzet. Në veprat e tyre ata e kanë bërë të njëmendtë natyrën tragjike të politikës dhe jetën e personave që rropaten nën natyrën tragjike të politikës”.

Ndarja e çmimit do të bëhet në Qendrën Kulturore Toji në Wonju të Koresë së Jugut. Sponsorizuar nga “Toji Fondation of Culture”, ai vlerësohet si çmimi kryesor letrar në Korenë e Jugut. Vlera e tij prej 100 mijë dollarësh e bën atë të jetë një nga çmimet më të shtrenjta letrare në botë.

Më 2011, ky çmim iu nda shkrimtarit koreanojugor Choi In-hun. Më 2012 atë e mori shkrimtarja ruse, Ludmila Ulitskaya. Në vitin pasues këtë çmim e mori shkrimtarja amerikane Marilynne Robinson, përderisa më 2014 atë e mori gjermani Bernard Schlink. Shkrimtari nga Izraeli, Amos Oz, e kishte marrë këtë çmim më 2015, ai nga Kenia, Ngũgĩ wa Thiong’ po më 2016, britanikja A. S. Byatt më 2017, kurse vitin e kaluar këtë nder e pati shkrimtari amerikan Richard Ford.

Paraprakisht javën e kaluar Kadare pikërisht nga Koreja e Jugut kishte komentuar “Nobelin” e sivjetmë për kolegun e tij Peter Handke. Për Ismail Kadarenë, Handke e ka kaluar vijën të cilën letërsia nuk duhet ta kalojë. Gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Shtypit në Seul të Koresë së Jugut është përgjigjur para gazetarëve edhe për “Nobelin” që nxiti goxha debat, pasi Handke njihet si përkrahës i Slobodan Milosheviqit.

“E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë”, citohet të ketë thënë Kadare. Ky ka qenë komenti i tij i parë për laureatin e sivjetmë të çmimit, për të cilin edhe Kadareja qe përmendur disa herë si favorit./koha