Kur shfleton poezinë popullore…ke dëshirë të jetosh e vdesësh si në këngë!

ti ishe per mua, poezi nga ismail kadare observerkult

     Nga Ismail Kadare

Ishte më shumë se art…Duke përsëritur si në iso këtë frazë, desha të ndalesha në të për të shtjelluar diçka më tepër.
Poezinë popullore është vështirë ta quash thjesht poezi. Do të ishte më e saktë të quhej sistem poetik popullor. Ajo e ka të gjithë atë plotëri dhe ato përmasa që janë të nevojshme për të krijuar një sistem. Është një botë e pajisur me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome. Nga kjo pikëpamje i ngjan një kështjelle që është përgatitur për një rrethim mijëravjeçar. Ledhet e saj janë gati të pakapërcyeshme, karakollët i ka nxjerrë larg.
  Kjo poezi, e ngritur gjer në shkallën e një sistemi, është e gjithëgjendshme në hapësirë dhe në kohë. Mbin kudo si bari, mbi faqe shkëmbinjsh e mbi faqe ngjarjesh e luftërash. Siç thotë një këngë arbëreshe:

             Fjalët e mia një grusht grurë
             Të mbjella mbi një mur


Dhe si bari përtëritet stinë më stinë e shekull më shekull.
Përtëritet vazhdimisht brenda asaj që mund të duket monotoni e saj, por që në vërtetë s’është monotoni, por fytyra e përjetshme që krijohet prej ligjësisë së gjërave. Atë monotoni ka blerimi, atë përtëritje kanë, në fund të fundit, fytyrat e brezave njerëzorë.

 Kur shfleton poezinë popullore provon një ndjenjë përjetësie, njëmendësie, hapësire. Ke dëshirë të jetosh, të dashurosh, të lindësh fëmijë, të jesh nënë, të jesh atë, të jesh dhëndërr, të shkosh në luftë, të kthehesh prej saj, madje të vdesësh si në këngë. Një kompleks i tillë ndjenjash e ndjesish s’mund të krijohet veçse prej një sistemi të plotë, një universi poetik.
Për shumë shekuj me radhë poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, kumti i tejçuar nga brezi në brez. Ajo zëvendësonte shkollën, botimet, gazetat, universitetin, akademinë.


Kjo poezi nuk druhet përpara asgjëje dhe nuk tërhiqet përpara asgjëje. Siguria e saj për t’u dhënë përgjigje problemeve filozofike e letrare, ekonomike e politike, religjioze e historike nuk është shenjë kokëfortësie, por shenjë sigurie. Dhe kjo siguri është rrjedhim i një përvoje mijëravjeçare. E përbërë nga vjersha, balada, epose të tërë, proverba, vaje, këngë djepi, këngë stinësh, britma, ligje, lodra etj., etj. poezia popullore, më tepër se çdo dukuri tjetër artistike, të kujton pluhurin kozmik, prej të cilit janë krijuar e krijohen botërat.

Ndoshta s’është e rastit që edhe dy hipotezat për prejardhjen e saj, njëra prej të cilave e merr atë si grimcim të pafund elementesh poetike, prej bashkimit të të cilave janë krijuar shpesh monumente madhështore, kurse tjetra, përkundrazi, thotë se s’është veçse mbeturinë e një eposi unik vigan të thërrmuar me kalimin e shekujve; pra s’është e rastit që të dyja hipotezat ngjasojnë me teoritë e krijimit të universit.

Sado që në kundërshtim me njëra –tjetrën, të dyja hipotezat bashkohen në një pikë-që sistemi poetik popullor është diçka kolosale. Dhe s’mund të ishte ndryshe. Ky është një rrëfim i pafund për breza të pafundmë njerëzorë. Cilat mushkëri do ta përballonin një titanizëm të tillë? Përgjigjja është e qartë: askush.

Duheshin mushkëri të përbashkëta të mijëra e mijëra poetëve anonimë për të plotësuar këtë rrëfim. Anonimati në rastin e poezisë popullore nuk është një rastësi ose një mungesë e shkaktuar nga arsye objektive (mungesa e informacionit për emrat e rapsodëve apo mungesat arkivale etj.) Siç do ta shohim më tutje, sasia e informacionit që jep poezia popullore shqipe është saq e madhe, saqë emrat e autorëve s’do t’ishin veçse një pikë uji në të. Megjithatë, ata mungojnë. Kjo ndodh, sepse anonimati është formë e ekzistencës së poezisë popullore. Ai është një nga mekanizmat bazë të këtij sistemi. Ai është në çdo qelizë të tij.

Në këngën polifonike të Jugut, isoja, pavarësisht se nuk ka fjalë (dhe kjo tregon se ajo është një formë edhe më e vjetër se kori antik), nuk është vetëm formë ekzekutimi, por bën pjesë në përmbajtjen e këngës.
Kënga polifonike e Jugut nuk mund të ekzistojë veçse e rrethuar prej isos. Madje, kjo murmurimë kolektive, anonime, është ndoshta më e rëndësishme se vetë kënga. Ajo është elementi në të cilin noton kënga. Në qoftë se isoja ndërpritet , kjo do të thotë se kënga duhet të ndërpritet. Pra isoja është mbështetje, miratim, unanimitet. Me anë të isos, populli jep të drejtën për të vazhduar këngën. Me ndërprerjen e saj, ai e heq atë të drejtë.
 Anonimati ka lidhje të drejtëpërdrejtë me unitetin e sistemit poetik popullor. Ai është me të vërtetë i habitshëm.
Universaliteti i tij, karakteri i tij enciklopedik nuk shkaktojnë elkektizëm brenda këtij sistemi, përkundrazi, theksojnë më shumë unitetin e tij. Po të shikojmë me kujdes baladat popullore, muzikën që i shoqëron ato, kostumet e njerëzve që i këndojnë, do të gjejmë të shprehur në mijëra forma këtë unitet.
Ai është krijuar dalëngadalë mundimshëm, përmes një lufte të brendshme, shekullore dhe të padukshme. Mijëra individualitet poetike, trille dhe lavdira janë shkrirë në të. Si një fushë e magjepsur, poezia popullore i bindte poetët të hiqnin shenjat dalluese porsa hynin në kufijtë e saj.
Kështu, si rrjedhim i këtij procesi qindravjeçar, është ngjizur ajo palcë e përbashkët prej së cilës u krijua pastaj gjithë kjo anketë e pashembullt. Sepse i marrë thjesht, gjithë sistemi poetik popullor është si një autobiografi. Veçse një autobiografi milionash.

*Shkëputur nga libri Ismail Kadare: “Autobiografia e popullit në vargje”, Onufri, 2002

Përgatiti: ObserverKult 

Lexo edhe:

KADARE NË “LE MONDE”: KAM KRIJUAR LETËRSI NORMALE NË NJË VEND ANORMAL

kadare

Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde”, kohë më parë, i ka kushtuar faqen e parë dhe një intervistë dyfaqëshe shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare. Në një rubrikë të sezonit të verës të titulluar “Shkrimtarë të mëdhenj, biseda të mëdha”, gazetarja Florence Noiville i ka lënë Kadaresë vendin e katër mes një cikli me pesë intervista. E tija titullohet: “Në diktaturë të jetoje, për mua do të thoshte të bëje letërsi”.

Gazetarja ka qenë në Shqipëri dhe ajo e ka intervistuar shkrimtarin Ismail Kadare në shtëpinë e tij në Tiranë. Në hyrje ajo flet për ish-apartamentin e tij në rrugën e Dibrës, tashmë të shndërruar në muze; për Gjirokastrën, kohën e diktaturës komuniste dhe jetën e shkrimtarit sot.

Tekstin e plotë e gjeni KETU