Kadare, un’ hiçi kam një lutje për ty që je gjithçka…

Nga Edison Ypi

Zoti Kadare,
Jam një Hiç nga ata që u ka mbetur ora te Gazeta Drita, te Gazeta Rinia, Revista Nëntori, Lidhja e Shkrimtarëve, mbledhjet, plenumet, kritikat e sinqerta, autokritikat e thella.

Te Dritëroi i lavdishëm i cili nuk na lejonte të ishim një nga të dyja, vetëm shkrimtarë ose vetëm spiuna. Por na deshte të ishim të dyja, edhe shkrimtarë edhe spiuna, shkrimtarë-spiuna, centaurë, trupi shkrimtar, koka spiun.

Un’ Hiçi kam një lutje për ty që je gjithçka.

Më lejo të shpif, të intrigoj, të përgojoj, të shaj ty.

Pak, fare pak.

Aq i madh sa je ti, s’të prish asnjë punë, s’të kushton asgjë.

Ji ti Univers, s’ka problem, e pranoj, ama prano që unë të jem një grimcë.

Ji ti elefant, vetëm mos refuzo që unë të jem milingonë.

Ji ti Mur Kinez, por mos kundërshto që unë të jem një tullë.

Ji ti Sfinks, le të jem unë një kokrrizë rëre shkretëtire.

Ji ti cunam, mos u mërzit që unë të jem puhizë.

Ji ti Histori, lemë mua të jem episod.

Sa lart je ti, sa poshtë jam unë, bëj sikur s’kupton.

Sa gjenial je ti, sa budalla jam unë, bëj sikur s’e di.

Nuk ka rëndësi, si e sa, vetëm prano që edhe unë isha, edhe unë frymova, edhe unë ekzistova.

Pranë teje, afër teje, rrotull teje, s’ka rëndësi kur, s’ka rëndësi ku, s’ka rëndësi sa. Vetëm më prano kështu si jam, kaq sa jam.

Sado i vogël, sado i papërfillshëm, sado i parëndësishëm. Si mizë, si insekt, si pafundësisht i vogël, si pambarimisht i papërfillshëm, si bajgë lope, si shurrë qeni, si copë muti, si kakë kalamani.

Më lejo pra o Zoti Kadare që duke u marrë me ty, duke shpifur për ty, duke intrigu për ty, unë hiçi të dukem diçka.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: TI QË NUK LEXON I BËN TË GJITHA TË ZEZAT- SHET VOTËN, VJEDH, SPIUNON…

Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, udhëton, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa.

Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Këto taksirate do t’i kesh deri sa të ngordhësh. Sepse ti nuk lexon.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult