Ismail Kadare
Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës. Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej. Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt.
Ai vetë ishte aty, i vemendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndieje se sa ç’ishte, aq edhe mungonte. Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu siç nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dyesia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.
Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta. Lasgushi kishte qenë gjithmonë ashtu, dhe ashtu e mbaja mend gjithmonë.
Befas, në tryezën e punës, rreth vatrës me miqtë, ose midis mitingjeve, ose në breg të detit, të vint si një kumt i papritur mendimi se Lasgushi rron. Ti e dije që rron, megjithatë shkundje kokën një grimë, si të kishe rimarrë një lajm të gëzuar. Ai është midis nesh. Ai s’është veç disa qindra hapa larg. Ai është atje.
E, megjithatë, ndonëse e dije që ishte ashtu, përse mendimi të ngjante befasues? Ç’ishte ajo shije ëndrre që e mbështillte sakaq gjithçka që lidhej me të? Ishte njëlloj sikur dikush të vinte me vrap për të thënë: ejani te rruga matanë bulevardit për të parë një betejë me shpata që rastësisht vazhdon, e ngrirë nga koha. Ose: ejani të shihni një dyluftim, një shpallje dekreti ose një ballo mbretërore. Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, e, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoj. Ishte një penegesë e tjetërfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.
Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit.
Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta, i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë, duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij. Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arki-volit.
Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mu-ndshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të. Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashi-kueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.
Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka:ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshnit diçka për kohën, shën-detin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty.
Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi. Një poeti të ri, që i shkonte vizitë prej shumë vjetësh, pasi i hapi derën e ftoi të ulej në sallon, i tha: së pari zotni më thuaj kush je? Tjetri, duke e marrë këtë për mahi, buzëqeshi, hapi krahët, por kur Lasgushi gjithë zemërim i ra dyshemesë me shkop dhe qeni i tij Cuci, që e kuptonte për mrekulli, hungëriti dhe u bë gati t’i hidhej bujtësit, i porsaardhuri tha emrin dhe mbiemrin. Siç e tregoi ai vetë më pas, nuk guxoi ta pyeste se ç’qe ajo pritje mizore, humbje kujtese apo trill, sepse Lasgushi ishte i padepërtueshëm.
Një ditë unë e pyeta për ngjarjen dhe ai, pasi më vështroi ca çaste, tha:
-Më kujtohet fare mirë që i thashë ashtu. Me siguri ka menduar që jam i krisur, por unë ia bëra atë py-etje vërtetë. Sepse vërtet ka vite që vjen tek unë dhe kujtesën, lavdi Zotit, unë e kam të fortë dhe nuk i harroj lehtë fytyrat, por ku ta dija unë atë pasdite se ishte po ai? Domethënë se nuk kishte ndryshuar gjatë dy javëve qe s’ishim parë dhe se nuk kishte bërë ndonjë gjë nga të ligat e shumta që bën njeriu? Kurse ai, më shikonte si guak, aq sa dhe Cuci e kuptoi, se Cuci siç të kam thënë është më i mençur se gjysma e njerëzve që hyjnë në këtë shtëpi.
Një ditë tjetër, porsa më hapi derën, më shpjegoi se kishte gatuar vetë makarona dhe atë gjë ma tregoi me aq shumë hollësi, saqë unë nisa të jap shenja padurimi. Ai siç duket e vuri re dhe i shtoi edhe më shumë imtësitë, dhe frazat e tij u ngjanin vërtet makaronave të gjata që nuk arrin t’i gëllti-tësh dot.
-E shoh, që u mërzite- më tha- po ti je vetë poet dhe duhet ta dish se kur një poet i bën vetë makaronat, kjo s’është një gjë dosido.
Pas ca ditësh, mora prej tij një letër, ku, siç dukej për të më torturuar gjerë në fund, më tregonte prapë, këtë herë me një prozë plot fraza të gjata e të ndërlikuara, një gatim tjetër makaronash.
Një ditë, pasi më vështroi ngultazi më tha:
-Ti je si unë. Ne të dy jemi vrasës. Të na japë dikush një armë e të na lëshojë në udhëkryq, bëjmë kërdinë mbi njerëzit. Veç nuk na lë poezia.
Asnjëherë nuk arrita të marr vesh ç’donte të thoshte me këto fjalë, sepse me të ndodhte përherë e njëjta gjë, sa më shumë të përpiqeshe ta kuptoje, aq më larg ikte.
Por këto nuk ishin veçse çastet e para me të. Merrej me mend se ç’ndodhte në bisedat e gjata, e sidomos kur ai kishte dëshirë për to. Duke e dëgjuar të fliste për gratë, artin, Gëten, Manastirin e Shën-Naumit, poezinë e vjetër indiane, Kantin, Budën, ki-nezët, Krishtin, Minsitrinë e Brendshme, Parisin, dashurinë, prapë Manastirin e Shën-Naumit ku e kishin çuar në rini për t’i hequr xhindet, linjën ajrore Tiranë-Korçë në vitet ‘30, Shopenhauerin, Holandën, qeverinë e sotme, Pjetër Bogdanin, gatimin e makaronave, pikturën, parajsën etj., etj. Me vete thosha: nga ç’botë e panjohur vinte kjo mënyrë e veçantë e të folurës së tij, nga ç’sallone të Saturnit a të Jupiterit?
Kisha bindjen se ai kishte një kohë të veçantë, zemreku i së cilës nuk përkonte me tonën. Kjo ishte, ndoshta, dhe arsyeja që kisha përshtypjen se shkoja rrallë. Ditët nuk përputheshin. Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë mbetej në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte për-sëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilë-simi. Ai ishte aristokrati dhe fsahtari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve’30, Aleks-andër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papën Gjon Pali II.
Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtarë të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm, më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij. Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr.
Duke e parë dhe sidomos duke e dëgjuar gjithmonë, mendoja se, si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.
Vepra e tij poetike është nga më të bukurat në le-tërsinë shqipe dhe atë europiane të viteve ‚30, por ai vetë si një makinë njerëzore e kapërcente atë. Mirëpo, përderisa në botën tonë nuk gjendet një matje tjetër vlerash, një tregues më i plotë se shkrimi, ose notat muzikore, që të mund jo vetëm të kapte por edhe t’i bënte të dukshme e të vlef-shme për të tjerët vlerat e natyrës njerëzore, (pasionet, forcën e dashurisë, origjinalitetin etj.), jemi të detyruar që vlerat e krijuesve t’i matim kryesisht me shenjat e shkronjave mbi të cilat shkri-mtarët ngulin, pra vdesin, një pjesë të asaj që duan të thonë. Një nga humbësit më të parë në këtë sistem, do ishte padyshim Lasgush Poradeci. Një ditë në vitin 1985, një poet i ri kishte trokitur te porta e shtëpisë së Lasgush Poradecit, një vilë njëkatëshe në pjesën perëndimore të Tiranës. Që brenda ai kishte dëgjuar zërin e të zotit të shtëpisë:
-Nuk e hap dot derën se çelësin e ka marrë gruaja.
Gruaja kishte dy vjet që kishte vdekur. Ishte ky episod që m’u kujtua një padite shkurti të vitit 1989, në shtëpinë e Klod Simonit, në Sheshin Monge, në Paris, ndërsa flitej për Samuel Beketin. E njohura ime, gazetarja dhe artistja H. Bishop, në shtëpinë e së cilës, gjatë një darke, isha njohur me Rob Grijenë, më kishte sjellë bashkë me time shoqe te Klod Simoni, njeriu i parë që, siç më kishte treguar ajo. I kishte folur pesëmbëdhjetë vjet më parë për romanin tim Gjenerali i ushtrisë së vdekur.
Nobelisti 75-vjeçar ishte shumë i gjallë e i thjeshtë si rrallëkush dhe ndonëse biseda e kishte të siguruar ritmin e gjallërinë, veç të tjerash, për arsye se gru-aja e Simonit, Rhea ishte greke, dhe nga ky shkak ata kishin qenë shumë herë së bashku në Korfuz (madje, sipas një njehsimi të përafërt, dilte se një verë, pushimet tona në Sarandë, përballë Korfuzit, kishin përkitur me të tyret, atje), megjithatë, ndonëse, pra, ngjante e panevojshme, biseda kthehej e stërkthehej te një person i tretë, dhe pikërisht te Samuel Beketi. Ai ishte miku i tyre i përbashkët dhe H. B. më kishte premtuar se do të më çonte një ditë te mjeshtri 84-vjeçar, që ndërkaq ishte bërë legjendë.
Ata flisnin për të me dhimbshuri dhe me njëfarë qortimi per vetveten. Bota letrare franceze ende s’e kishte marrë veten nga vrasja e ndërgjegjes, që poeti më i madh i gjallë i saj René Shar, sapo kishte vdekur diku në jug në një… azil. Pendimi për mosvëmendjen, (si u hutuam kështu, si nuk pyetëm ku ndodhej, ku qe zhdukur kohët e fundit), shfaqej kudo. Dhe ja, një tjetër mjeshtër i madh, ndodhej prapë në… azil.
S’u bënte zemra ta saktësonin, por nënkuptohej që ashtu si në rastin e René Sharit, azili ishte për turbullime psikike. Ndonëse, për hir të së vërtetës, duhej thënë se rasti ndryshonte pak, ndërhynte Rhea, për të sjellë një notë shpresëdhënëse në bisedë. Beketi kishte familje, grua, dhe në fund të fundit …
-Ah, e di unë punën e gruas së tij- ndërhynte dikush- Ajo është tani nëntëdhjetë e dy vjeçe, dhe e dini ç’bën, qyshse Samueli është shtruar në az… në spital? Mblidhet me shoqet e saj, me siguri me të gjitha ato që ai nuk i duronte dot, dhe duke përfituar nga mungesa e tij, pijnë çaj e ia krisin kuvendimit gjithë ditën. Duket sikur, mezi ç’paska pritur që ai të shtrohej në spital, madje dyshoj se ka bërë çmos që…
I dëgjoja dhe vazhdimisht më kujtohej Lasgush Poradeci, marrëdhëniet e tij tejet të çuditshme me të shoqen, legjendat, episodet groteske që tregoheshin për ta, gjer në ditën e vdekjes së saj në verën e vitit 1983, në Pogradec.
Kishte shumë shkrimtarë të ardhur për verim atë vit. Lasgushi si përherë ishte atje, i ndryrë në kullën e tij. Në orë të caktuara, në mëngjes dhe në muzg, shëtiste i vetëm në breg të liqenit me qenin. Atë mëngjes, siç e tregoi vetë më pas, pasi qe zgjuar, i kishte thënë së shoqes: Ngrehu më bëj një kafe. E shtrirë në shtrat ajo nuk qe përgjigjur. Atëherë ai i kishte përsëritur kërkesën, dhe shtuar:
-Ngrehu, mos bëj sikur ke vdekur.
Në të vërtetë ajo kishte vdekur, por ai, ndonëse k-shte dyshuar, nuk qe afruar për ta parë. Ishte veshur dhe tërë zemërim kishte dalë shëtitje me qenin. Kur qe kthyer pas dy orësh, me sa dukej e kishte kuptuar që as mospranimi i vdekjes, as loja kukamçefti me të, me një shpresë të fundit se mund ta largonte, nuk mund të vazhdonin më.
Tek përcillte arkivolin, veshur me kostumin e zi të dikurshëm, ai qe bërë prapë i ngurtë e i padepërtueshëm dhe vetëm një çast, kur qe ulur mbi një gur, bri varrit të porsambuluar, vetëm një grimë, kur kishte vënë duart në kokë dhe kishte thënë: ç’më gjeti mua!, këto fjalë bashkë me leshrat e tij të thinjura që ia merrte era, dukej se rrihnin ta ulnin në tokë e ta bënin si të tjerët, atë, që gjithë jetën kishte qenë ndryshe. Por çasti kishte qenë tepër i shkurtër. Ai qe ngritur, kishte vënë në kokë borsalinën e zezë si për të shkëputur çdo lidhje të panevojshme dhe kishte ikur drejt kullës.
Të gjitha këto m’u kujtuan, ndërsa flitej për Samuel Beketin. Gjithmonë më qe dukur se ishte i vetmi që i shëmbëllente Lasgushit.
Herën tjetër, kur të kalosh në Paris do ta takojmë me siguri më tha H. B. Pas dy muajsh kalova nëpër Paris, po përsëri nuk e takova dot. Kishte dalë vetë nga spitali, por ishte gruaja e tij tani që ndodhej në shtratin e vdekjes.
Pas ca ditësh H. B. më tha në telefon se zonja Be-ket kishte vdekur. E shkreta!, tha ajo dhe ndonëse nuk vazhdoi, unë e kuptova ç’donte të thoshte: E shkreta, dukej sikur gjithë jetën nuk pati pritur veç të mbetej ca kohë vetëm në shtëpi, të pinte çaj e të bënte bisedë me shoqet sa të donte dhe pastaj, pas kësaj, të vdiste. Herën tjetër do ta takojmë me siguri Samuelin, vazhdoi ajo. Këto ditë s’është fare në rregull. Nuk flet me askënd. është e kotë të shkojmë. Herën tjetër që shkova në Paris ai ishte në varrezën e Monparnasit.
Lasgushi kishte ndërkaq një vit që ndodhej gjithashtu nën dhé, në një kodrinë të butë ndanë liqenit të Ohrit. Po të isha fatalist, do të besoja se kishte qenë e thënë që të mos e takoja, atë që ndoshta ishte, së paku në mendjen time, dyzimi i Lasgushit, Samuel Beketin. Nga fëminia më kujtoheshin këshillat e gjyshes lidhur me pasqyrat. Kishte ca rregulla që tani s’i mbaj mend, ca orë që kurrsesi s’duhej të shikoheshe në pasqyrë… Irlandezi Beket dhe shqiptari Poradeci, s’duhej, me sa dukej, të shiheshin, në këtë mbarim shekulli, qoftë edhe nëpërmjet një syri të tretë.
Më 1944, kur Shqipëria u çlirua, Lasgush Poradeci ishte, jashtë çdo diskutimi, shkrimtari më i madh që jetonte në vend. I madhi tjetër, Fan Noli, ndodhej në SHBA. Pas luftës, nga shtatë shkrimtarët më të mëdhenj të gadishullit Ballkanik, tre i përkisnin Greqisë: Kazanzaqisi, Seferisi dhe Elitisi, dy Shqipërisë, Poradeci dhe Noli dhe dy Jugosllavisë Andriçi dhe Kerlezha.
Qysh më 1929, Eqrem Çabej, në një artikull të tij, pasi e përqaste me poetë të shquar të kohës si Rilke, D’Anunzio etj., shkruante se poezitë e tij të gjera e plot gremina ishin si tragjedi të vogla, me stil të rëndë e ziplot, dhe dalloheshin nga ato të Naim Frashërit siç ndryshonte muzika bethoveniane nga ajo e Moxartit. Çabej e shpallte poet të madh shqiptar e europian, të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkri-mtari, të cilin Shqipëria do t’ia falë një herë botës.
Për fat të keq, paralajmërimi i gjuhëtarit të madh nuk u dëgjua dhe Lasgushi ra pre e forcave të errëta që mohonin vlerat e kombit shqiptar. Më 1945, kur u krijua Lidhja e Shkrimtarëve të Shqi-përisë, drejtuesit e saj, në atë kohë e më pas, në vend që ta afronin, bënë sikur e harruan. Cmirëzinj e meskinë, ata u përpoqën ta zhvlerësonin, ta mbanin sa më larg, në mënyrë që ai të mos ishte i pranishëm në festë. Ngucjet kundër tij që, për fat të keq, u vazhduan edhe nga poetë që hiqeshin të shquar e që përligjeshin me gjoja parime të artit të ri, nuk kishin veçse një bazë: cmirën. Dukej sikur ishte e lehtë ta harroje Lasgush Poradecin. Ai vetë, dukej se të grishte për këtë mënjanim, ngaqë vetzhdukej herë pas here, tretej në mjegull.
Qysh nga viti 1929, në gjithë Shqipërinë letrare s’flitej veç për një sëmundje të tij të rëndë, (Çabej e ndërmend në artikullin e tij), kështu që bashkë me lavdinë, qysh në ato vite, (ai ishte 33 vjeç), u paralajmërua vdekja e tij e parakohshme. Ai vdiq më 1987, pra pas 58 vjetësh! Megjithatë, vula e vdekjes, një vulë aspak e rëndomtë, por fine, luksoze, i mbeti qysh atëherë. Ai nuk e përmend kurrë në vjershat e tij, nuk shkroi, p.sh., vargje të tilla si në vdeksha i ri më varrosni këtu apo atje etj., etj., tundim ky, që një poet me fatin e tij, vështirë se do t’i bente ballë. As në biseda nuk e përmendte kurrë, jo vetëm atë, por as vdekjen në përgjithësi. E, megjithatë, hija e saj, e tjetërfartë, si çdo gjë tjetër e tij, ishte përherë pranë.
Ai ishte kështu i dyzuar dhe ndokujt mund t’i dukej se mund të merrte cilën të donte prej anëve të tij: të gjallën ose të vdekurën. Këtë gënjim pësuan dhe ata që e sulmuan pa fre. Kujtuan se mund të komplotonin me atë vetë, me vetmohimin e tij, me vetmënjanimin e tij, për ta shtyrë në harresë.
Mirëpo, aq sa i lehtë ngjan harrimi i një shkrimtari të tillë, aq i pamundur është. Ashtu si mali që befas zbulohet nga mjegulla, ashtu ata faniten papritur në horizont, të mëdhenj, më shtypës dhe më kërcënues se ç’kujtohej. Lasgush Poradeci nuk u fut luftë me tufën e mediokërve dhe as kërkoi kurrë drejtësi nga askush. Përbuzëz gjer në fund ndaj tyre, i ndërgjegjshëm për vlerën e veprës së tij, ai e dinte se ishte i pashkatërrueshëm. Ajo që më ha-biste më shumë se çdo gjë, ishte ndjenja sovrane që kishte për veten.
Çdo poeti tjetër, në vend të tij, do t’i pëlqente që në rrethin e ngushtë të miqve të qahej për mënjanimin, të ankohej për shtetin, t’i quante ata zyrtarët e lartë e kështu me radhë. Mi-rëpo ai, duke qenë një antikonformist më i madh, nuk ngashnjehej kurrë nga kjo lloj disidence. Dhe këtë nuk e bënte për kurrfarë frike ose kujdesi. Ishte aq mospërfillës e i pakujdesshëm, sa një grup gazetarësh, që kishin ardhur për ta intervistuar më 1985 ikën të tmerruar nga shtëpia e tij.
Ai nuk ankohej, sepse, ndonëse i mënjanuar, e qunate veten njeri kryesor i Shqipërisë, pra përgjegjës për gjithçka që ndodhte në vend. Mund të dukej më se e çuditshme, por nga biseda dilte se ai së brendshmi e quante veten udhëheqës, ministër, peshkop dhe prokuror i shtetit.
Një ditë më tha:
-Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçens Prenushin, ai ishte 76 vjeç. Më bëri pështypje folja e dënuam dhe duke kujtuar se e dëgjova gabim i thashë:
-Ju thatë e dënuam, në mos gaboj? Atëherë e futni edhe veten në dënimin e tij? Ai më vështroi gjate siç e kishte zakon në kësi rastesh dhe u përgjigj:
-Sigurisht. Poeti përgjigjet për çdo gjë.
Shpeshherë, në mendjen tij qeveria, poetët, shtabi i ushtrisë, ministria e jashtme, bëheshin njësh.
-Në ç’regjim jetojmë?, më pyeti një ditë.
-Në socializëm, zoti Lasgush.
Nje copë herë heshti, pastaj ia bëri hm. Më pas e pyeta se vërtet e kishte harruar në ç’regjim jetonim, apo ishte një trill? Ai më vështroi gjithë zemërim:
-E kisha harruar vërtet- tha- poetit i lejohet çdo gjë.
Ishte shumë vështirë të ndaje tak ai harresat ose ngatërrimet e kohës qe shkaktoheshin prej moshës, nga ato që truri i tij i jashtëzakonshëm i filtronte apo i përzgjidhte pas mënyrës së vet.
Kur fliste për studimet e tij në Austri, të cilat kishin zgjatur rreth dhjetë vjet, ai herë e thoshte shifrën e saktë, e pak më pas e dyfishonte. Por habia ime arriti kulmin, kur një ditë nguli këmbë që studimet e tij në Austri kishin vazhduar dyzet vjet. Kundërshtimit tim, iu përgjigj me ironi therëse:
-Nga të tjerët e prisja këtë- më tha-mund ta prisja edhe nga i dashuri Çabej, sepse trurin e tij e ka mbyllur shkenca, por nga ti që je poet, kurrsesi. Sepse ti duhet ta dish që koha këtu, (dhe i ra me gisht tëmthit), në kokën e poetit është ndryshe. Edhe herë të tjera më kishte folur për trurin e poetit, që, ndryshe nga i gjithë të tjerëve, ishte sipas tij i hapur, i çarë. Tek vështroja flokët e tij të hirnosur, shpesh mendoja se me anë të ç’krisjeje vallë truri i tij jepte e merrte me zonat e paarritshme për të tjerët. Nëpër ç’të çarë fironte ajo pjesë e rëndomtë dhe e panevojshme e mendimeve, e ndjesive të zakonshme, për t’u zëvëndësuar aty për aty nga të tjera, qä kushedi nga ç’hapësirë astrale rridhnin për të mbushur zbrazëzinë?
Duke dëgjuar ato që thoshte për të çarën e trurit të poetit, mendoja se asnjë gjuhë tjetër në botë nuk e kishte një sinonim aq të bukur për fjalën i çmendur, sesa në gjuhën shqipe. Kjo ishte fjala i krisur, që për nga tingëllimi ngjante aq shumë me crazy të anglishtes.
Në shumicën e gjuhëve evropiane, fjala i çmendur, vinte nga latinishtja, dementis, (i çmendur) dhe follis (kaçup me ajër).
Në gjuhë të ndryshme sino-nimet e shumta për këtë fjalë, që me sa dukej e cyste tepër mendjen njerëzore, bazoheshin me idenë e çrregullimit, të zhvendosjes, daljes prej hullie, të humbjes së drejtpeshimit, të lehtësisë prej zogu, të ikjes, të kapërcimit të masës etj. Shqipja, përveç këtyre, (i çmendur, i marrë, i lojtur, i lajthitur, i rrjedhur, i shkalluar, firifiu etj.), kishte krisjen, fjalë në të cilën marrëzia takohej me gjeninë, sipas një perftimi të vjetër që vetëm pak njerëz në botë e kanë të çarën, ma anë të së cilës komuniko-jnë me të pakomunikueshmen.
Më tregonte vetë se, qysh në rini, e quanin të krisur, madje për këtë e kishin çuar në manastirin e Shën-Naumit, ku qe njohur me murgjër rusë, të çmendur vërtet, që i kishin folur së pari për Dostojevskin.
S’ishte vetëm koha që rridhte ndryshe në mendjen e tij. Shumë gjëra i tregonte çuditshëm, megjithatë përcaktimet e tij kishin në të shumtën e herës një saktësi të pashoqe. Një poeti të njohur për vjershat e tij entuziaste i tha në sy të të gjithëve, si për ta lavdërtuar, se ishte bori e Partisë, kurse poetë të rinj lirikë i quante nimfa të Partisë. Por të gjitha këto i thoshte me hije të rëndë dhe nuk e kishte zakon kurrë që të pranonte se kishte ironizuar dikë.
Biseda e tij, sa e turbullt dhe mistike ngjante një herë, aq e kthjellët bëhej herën tjetër. Bisedën mund ta bënte lirisht në katër-pesë gjuhë, ndonëse parapëlqente gjermanishten dhe frëngjishten. Por po aq lirshëm fliste italishten, greqishten e rumanishten, ndërsa lexonte anglisht, rusisht e sanskritisht!
Një ditë, tek bisedonim, nisi të fliste gjermanisht dhe unë me kujdes, si me ata që kemi drojë mos i trembim kur i zgjojmë nga gjumi, i thashë:
-Zoti Lasgush, po flisni gjermanisht!
Një vit, gjatë gjithë pranverës ngatërronte një ngjarje të jetës së tij me atë të Gëtes. Ishte fjala për një ballo, në Korçë ose në Vjenë, ku ai ose Gëte, u zemërua pa të drejtë me mikeshën e vet.
Ma përsëriti këtë disa herë, por në mënyra aq të ndryshme, saqë ishte e pamundur të ftilloje diçka. Më tepër do të besoje se kishin qenë rivalë që të dy për atë vajzë shqiptaro-gjermane, në një shekull që s’ishte as i njërit e as i tjetrit. Nganjëherë bëhej aq i padepërtueshëm, sa të fuste frikën. Një ditë ishim në shtëpinë e tij në Tiranë dhe ime shoqe, duke parë portretin që ia kishte bërë një piktor gjerman i viteve tridhjetë, për të nxitur, me sa dukej, bisedën që nuk po ecte, tha: Sa i bukur ky portret. Një copë herë u fol për autorin e portretit, kur befas Lasgushi ngriti kryet dhe me zë të ftohtë tha:
-Këtë portret nuk e ka bërë asnjë gjerman: por e kam bërë vetë.
Vështruam njëri-tjetrin, por vajza e tij e quajti të nevojshme të ndërhynte:
-Kjo dihet që e ka bërë një piktor gjerman, baba.
-S’është e vërtetë- tha Lasgushi, krejt i sigurt.
Heshtja që pllakosi ishte e padurueshme. Ai ndenji sa ndenji ashtu me sytë nga dritarja, pastaj tha:
Ja të ngrihem ta shoh edhe njëherë! U ngrit nga kanapeja, iu afrua portretit, që kishte dyzet e ca vjet që gjendej në atë dhomë. Tregoi me gisht emrin e autorit gjerman që dallohej fare qartë dhe tha:
Ja ku shkruan: Lasgush Poradeci. U bindët tani?
Ne s’dinim ç’të përgjigjeshim, vetëm i bëmë shenjë vajzës të mos e acaronte më.
-Eshtë ndërgjegjja jote e keqe që të shtyn të vësh në dyshim atë që them unë, iu drejtua vajzës dhe me kaq biseda u mbyll.
E vrava mendjen shumë herë më pas të shpjegoj, qoftë dhe përafërsisht, logjikën e sjelljes së tij, por ajo ishte e pashpjegueshme. Një mister, nga të shumtat, që mori me vete.
Por, nganjëherë, ishte fare ndryshe. Më fliste shpesh për të fejuarën e tij të parë, një piktore që ishte leshverdhë sa ishte e fejuara ime dhe pastaj u bë e zeshkët kur u ndamë. Kurse vajzën holandeze, që e kishte sjellë nga jashtë shtetit dhe që iku befas një ditë, nuk e zinte ngoje kurrë. Ç’kishte ndodhur brenda tij, ç’shpërthim i brendshëm, si ato që ndodhin brenda diellit, e kishte hedhur atë vajzë në sferat qiellore, për ta yllësuar? Dihej nga të gjithë, se ndjekjen që ai i bëri asaj me aeroplan nga aeroporti i vogël provincial i Korçës në atë në Tiranë, nga ky i fundit në atë të Romës e pastaj atë të Budapestit, të Kopenhagenit, atë ndjekje të dëshpëruar e të pashpresë, ai e shndërroi në poezinë e tij në një ndjekje yjsh, që nuk arrijnë dot kurrë njeri-tjetrin. E kishte nxjerrë kështu nga vetja e tij, dhe jo vetëm nga vetja, por nga krejt sistemi diellor, ndaj dhe ndoshta nuk e përmendte më.
Nuk fliste as për dashurinë e fundit të tij, që e kishte përshkruar për çudi në prozë, në një nga prozat e rralla të mrekullueshme që kam lexuar prej tij: Vizitat e zonjushës Ana X. në kullën time. Një njeriut, që nuk e njihte Lasgushin, do t’i dukej e folura e tj për prozën përçmuese. Por, duke mos njohur kodin e tij, duke mos ditur, p.sh., se ç’quante ai prozë, nga njëra anë dhe ç’mund të ishte përçmimi lasgushian nga ana tjetër, ishte vështirë të gjykoje për të. Ai e quante prozën vdekje të poezisë, baltë, dhe kur një ditë ia kundështova këtë mendim, ai duke më hedhur vështrimin e zakonshëm në kësi rastesh, atë vështrim që mund të cilësohej si: dhe ti o Brutus?, më tha:
-Unë thashë vdekje dhe baltë, po a ka gjë më të gjerë e fisnike se vdekja dhe balta?
Më pas, shpesh kam menduar se ai e shkroi pasionin e tij të fundit në prozë, ndoshta pikërisht ngaqë po i afrohej vdekja.
E donte shumë liqenin e Pogradecit, që i kishte kushtuar disa nga perlat më të bukura. Rrallë, një mase uji, i është kënduar me aq thellësi, përkushtim dhe zi të përndritur së brendshmi.
Kur shëtiste në breg të tij, ndonëse qyteti ishte plot turistë e verues, nuk guxonte ta shqetësonte askush. Dukej sikur vazhdimisht kërkonte diçka, ndoshta vendin e varrit të tij. Si të gjithë poetëve të mëdhenj edhe atij këmbët i venin vetvetiu te varri apo shtatorja e tij e ardhshme. Përherë e më tepër ngjante qenie e të gjitha kohërave, që gjendej këtu dhe atje, njëkohësisht, ashtu siç kishte shkruar në vjershat e tij. Por ngjashmëria e tij ishte e vërtetë dhe jo shtihane, dhe fakti që ai paguante gjithmonë për të, flijonte rëndshëm për të, i vinte asaj vulën e së vërtetës.
Si për të bërë të besueshme afërinë e tij me tragjikët e lashtë, filluan, që në gjallje, hum-bjet e veprës së tij. Shumë fletore të tij u zhdukën gjatë stinëve, kur ai e braktiste kullën e Pogradecit, për të kaluar dimrin në Tiranë. Një prej humbjeve është proza Vizitat e zonjushës Ana X. në kullën time! [Shënim i redaksisë: Në kohën kur është shkruar nga autori Portreti Lasgush Poradecit, ky ditar konsiderohej i humbur. Tani e disponojnë vajzat e poetit]. Një person, që nuk e di në ç’rrethana kishte arritur t’ia merrte, ma dha për ta le-xuar vetëm për një natë. Më pas, kur pas vdekjes së tij e pyeta për fatin e dorëshkrimit, ma mohoi. Nuk ju kam dhënë kurrë një dorëshkrim të tillë dhe as e kam patur kurrë në dorë, më tha duke më vështruar si të më thoshte: ndoshta e keni parë në gjumë.
Me Lasgush Poradecin mund të ndodhte gjithçka, dhe që nga thellësia ku qe varrosur ai mund të dërgonte mbi tokë dyzimin e tij, misterin dhe ëndrrën që e kishte rrethuar sa qe gjallë. Do të besoja se isha sëmurur prej tij dhe ta kisha parë vërtet në ëndërr dorëshkrimin e tij të paqenë, sikur të mos kisha dëshmitare time shoqe, me të cilën i lexuam bashkë ato faqe të paharrueshme. Diçka e papërballueshme, fatale e shtynte përherë të shkonte në Pogradec. Vitin e fundit, kur nuk qe në gjendje ta bënte rrugën e gjatë për atje, i thanë se ndërkaq ndodhej atje, madje për t’ia bërë të besueshme, vunë ca degë molle në dritare që ta bindnin se përtej dritares ishte kopshti me mollë i atjeshëm.
U varros sipas dëshirës atje. Ishte dymbëdhjetë nëntor 1987, por koha qe e bukur. Ndërsa i mbu-lonin arkivolin me dhé, dielli përndritte si ditë të kremte copërat e baltës përpara se të binin mbi të. Ai po futej kështu nen dhé veshur me diell, mbathur me hanë, siç kishte shkruar në një vjershë të tij Pjetër Bogdani, treqind vjet më parë.
ObserverKult