Ç’kërkon thundra jote në avenytë e shpirtit tim?
Ç’kërkon surrati yt në horizontin e pikëllimit tim?
Ç’kërkon mëkati yt në shenjtërinë e kujtimit tim?
Kush je ti që do ta falësh gjakun
E pesë dritave të syve të mi?
Kush je ti që do ta falësh lotin
E syve të syve të mi?
Ty të plasshin sytë!
Të plasshin e të rrjedhshin gjak e qelb,
More syplasur!
T’u nxiftë dita e t’u bëftë natë e përjetshme,
More ditëzi!
T’u nxiftë e t’u sterroftë udha, more udhëzi!
Ç’kërkon zgërdhirja jote në pikëllimin tim?
Ç’kërkon turiri yt në lulet e dashurisë sime të vrarë?
Ç’kërkon dora jote e zezë në dorezën e portës së kujtimit tim?
Kush je ti që guxon të falësh
Ëndrrat e vrara të katër djemve të mi,
Dashurinë e burrit tim për mua, për djemtë,
Dashurinë e tij të flaktë për qytetin
E brengën e madhe për fatin e atdheut?
Kush je ti?
He ti vafsh në skëterrë me soj sorollopin tënd
E mos e gjetsh kurrë rrugën e kthimit!
Kush je ti që do të falësh
Edhe eshtrat e burrit dhe katër shtatlisave të nënës,
Të drejtën time t’i kem varret e tyre
Për ta derdhur këtë liqe lotësh
Të mbledhur në shpirtin tim?
Bre, ty të vraftë reja prej së kthjellti
E atdheu i djemve të mi mos t’i dhashtë
As dy metra dhe për varr
E korbat t’i hangshin sytë tu prej gjarpri
E shpirti t’u shndërroftë në pluhur shkretëtire!
Në pluhur shkretëtire t’u shndërroftë shpirti
Nëse ke pasur ndonjëherë!
Kush je ti që do ta falësh dorën e zezë të krimit,
Që m’i mori për të mos i kthyer
As të gjalla e as të vdekura
Pesë shtyllat e shtëpisë?
Kush je ti që do ta falësh dorën e zezë,
Dorën që ma mbylli përjetësisht derën e shtëpisë?
Bre ty t’u mbylltë dera me ferrë e mos t’u haptë kurrë,
More derëmbyllur!
Të huptë fara e mos t’u gjettë kurrë,
More farëpagjetur!
A e di ti se mallkimi i nënës vret?
Vret mallkimi i nënës,
Vret, vret, vret!