Fan Noli: Anës lumenjve

Fan Noli

Anës lumenjve, poezi nga Fan Noli

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirrem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Larg prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Ëndërronj pa fund, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

ObserverKult

—————————————

Lexo edhe:

FAN NOLI: GJENDJA E MJERË E GRUAS SHQIPTARE

Nga Fan Noli

https://observerkult.com/fan-noli-gjendja-e-mjere-e-gruas-shqiptare/

Nuk dua të hyj në esencën e çështjes, pse kjo është një çështje e cila duhet zgjidhur prej vëllazërisë sonë muhamedane edhe nuk duhet të trazohemi në punë të tyre.

(…) Zakonet e mbulesës së gruas nuk i kanë pasur vetëm popujt e besimit muhamedan, por edhe popujt e krishterë e se po të shikojmë librat e Shën Palit, do të shohim se mbulesa e gruas ka qenë një mëkati madh; këto zakone i kanë pasur edhe bizantinët e venecianët.

Në të gjithë popujt evropianë, gratë kanë dalë me një farë veli shumë më shpesh se këtu.

Megjithatë ne nuk kemi pasur asnjë urdhër, asnjë sinodh me të cilin të jetë shkaktuar zbulimi i gruas, ky zbulim ka ardhur vetvetiu e evolucioni social ka sjellë ndërrimin gradual të zakoneve të shoqërisë dhe ato ndërrime që kanë ndodhur gjetkë do të vijnë edhe këtu.

Zoti Ali Këlcyra kapi një çështje me shumë rëndësi, për të cilën nuk duhet të qeshim, por të qajmë, pse është një gjë që i përket higjienës e jetës së fëmijës.

Gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet gruaja shqiptare

Se a duhet të dalë gruaja e zbuluar apo e pazbuluar, kjo nuk na intereson shumë, por duhet të na tërheqë vërejtjen gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet gruaja shqiptare. Dhe për këtë do t’ju sjell një shembullse sa heqin edhe ato gra që janë të zbuluara.

Kur kam vajtur nga Vlora në Tepelenë, Elbasan e Tiranë dhe gjetkë, kam parë katundarka të zbuluara, të cilat punonin e mundoheshin si shtaza, sa të vinte të qaje, kurse burrat e tyre rrinin pa punë e prisnin që për çdo gjë t’u ngriheshin në këmbë ato të mjera.

Po të doni një shembull më konkret se sa vuan gruaja shqiptare, mund të shkoni të shikoni në një ditë pazari këtu në kryeqytet.

Tekstin e plotë e gjeni KETU

ObserverKult