
Nga Marsel Lela
Kultura shqiptare e të qëndruarit gjatë në kafene, e zgjidhjes së problemeve në kafene, deri edhe firmosja e marrëveshjeve apo dokumenteve të rëndësishme rreth nje filxhani kafeje, nuk është një fenomen i kohëve të sotme, e as i këtij qindvjeçarit të fundit. Ajo i përket një tradite më të hershme, gjurmët e së cilës janë ruajtur deri sot. Shumëkush mund ta marrë këtë “huq” si shenjë dembelizmi dhe kollajlliku tipik ballkanas, por në të vërtetë pas tij gjenden disa fakte mbreslënëse që tregojnë shumë për kulturën tonë, përveç “kafe e muhabet” trashëguar prej turqve.
Në Shqipëri, kafeja nuk është thjesht një pije: ajo është një gjuhë, një kod, një mënyrë për të menduar e për të ndier. Është një formë komunikimi më e lashtë se shumë institucione shtetërore, një “noter” i heshtur i marrëveshjeve, një dëshmitar i gëzimeve dhe i hidhërimeve, një shenjë e pashkruar e dinjitetit dhe e nderit. Nëse do të mund të shkruhej një histori e shqiptarëve përtej arkivave, ajo do të fillonte me aromën e një filxhani kafeje që del ngadalë nga xhezveja e bakrit, si avulli i kujtesës sonë kolektive.
Kafeja në Shqipëri është një ftesë. Jo e shkruar në letra dekorative si ato që marrim kur na ftojnë në dasmat moderne, por një ftesë e vulosur me aromën e mirë, urtësinë dhe paqen që të ofron një filxhan i nxehtë kafeje. “Eja pimë një kafe”, “kalo për kafe”, “do e pishë një kafe se s’bën” – në këto raste tjetri mund të jetë duke të të ftuar për më shumë se thjeshtë pirjen e kafesë. Mund të jetë një drekë, një birrë, apo ndonjë gotë verë, etj. “Kafeja është sebepi”, themi ne. Kafeja shqiptare është një ndërmjetës ku dy njerëz, apo dy palë ulen për të folur, ku rëndësia nuk bie tek pija, por tek bisedat që do të bëhen.
Kafeja për shqiptarin është edhe një mënyrë për të treguar apo ruajtur dinjitetin e tjetrit. Kur dikush i ofron para dikujt tjetër që e ka ndihmuar, bërë një nder, ose thjeshtë për t’i ardhur në ndihmë këtij të fundit në rast ngushtice financiare, dhurata shoqërohet me fjalët “urdhëro një kafe prej meje”, ose “pije një kafe prej meje”. Kjo, që tjetri mos të ndihej i fyer nga dhurata. Sepse kafeja asnjëherë nuk turpëron.
Historia e kafes së shqiptarëve është e vjetër dhe e rrethuar me të dhëna mahnitëse. Ajo është e pranishme në lindje, martesa e vdekje. Me pak fjalë, kafeja e shoqëron shqiptarin nga djepi në varr.
‘I është pirë kafja kësaj pune’, ‘i duhet pirë një kafe’, ‘kur do i pimë ato kafe?’ Këto janë vetëm disa nga shprehjet që tregojnë se sa e rëndësishme ishte ajo që vendosej në kafe, e që vazhdon të jetë kështu edhe sot e kësaj dite në shumë zona të Shqipërisë, nga Veriu në Jug.
Kafeja ishte vula që vendoste një marrëveshje nga e cila nuk kishte më kthim prapa. Ajo ka pasur fuqinë e një dekreti mbretëror në Shqipëri, njësoj siç kishte vula e mbretit në Angli në një dokument zyrtar.
Fjala vjen, nëse i ishte pirë kafeja një marrëveshje për martesë dhe ishte caktuar dita kur çifti do të lidhte shortin bashkë, ose më saktë, kur dy familjet do të lidhnin bashkë krushqinë, edhe nëse njëri nga të rinjtë, për një arsye ose një tjetër vdiste, apo ishte sëmurë rëndë, dasma nuk ndalej sepse konsiderohej shkelje e një besëlidhje të vulosur; dhënie e fjalës së nderit dhe “fjalën e dhënë s’e vret reja, s’e prek plumbi, s’e djeg rrufeja”.
Shqiptarët kanë pasur simbolika të shumta në ritualin e pirjes së kafesë. Ato shënjonin mesazhe pozitive dhe negative kur miqtë kishin marrëdhënie, takime apo situata të ndryshme. Po cilët janë këto mesazhe që shprehte rituali i shërbesës së kafesë.
Pirja e kafesë ka simbolet e saj në çdo rast, si kur pihet për qejf, në rast kur fton dikë në shtëpi, ose lokal, si edhe në raste ‘zyrtare’ kur bëhet fjalë për gëzim ose mort.
Kur ishte fjala për ndonjë fejesë, pajtim, falje gjaku apo çështje të tilla të rëndësishme, i zoti i shtëpisë nuk e pyeste mikun se si e do kafenë. Mesazhi rreth ecurisë së çështjes merrej në mënyrë simbolike nga ëmbëlsia apo hidhësia e kafesë. Nëse kafja ishte e ëmbël, miku e kuptonte se çështja kishte marrë një rrjedhë pozitive në mënyrë të pakthyeshme. Ai e kishte marrë ‘dritën jeshile’ për të diskutuar rreth asaj çështje. Nëse kafeja servirej e mesme, mesazhi ishte se çështja kishte mbetur pezull. Kjo tregonte se ecuria e saj nuk mund të parashikohej dhe miku duhej të bënte kujdes se si e sillte bisedën rreth çështjes. Në mënyrë shumë diplomatike ai duhej t’i zgjidhte fjalët se si duhej ta hapte bisedën.
Kur kafeja servirej e idhët, kjo tregonte se çështja për të cilin ishin mbledhur kishte marrë përgjigje negative në mënyrë të padiskutueshme. Miku e merrte mesazhin dhe në të tilla raste pirja e kafesë shoqërohej me heshtje nga të dyja palët.
Në të tilla raste shfaqet qartë fuqia prej dekreti mbretëror që kishte kafeja në kulturën shqiptare, kryesisht tek malësorët. Ëmbëlsia dhe hidhësia e kafesë ishte e pranishme edhe në rastet e ceremonive mortore, në shumë krahina të Shqipërisë. Shkalla e ëmblësisë së kafesë shprehte në mënyrë simbolike keqardhjen për të ndjerin, moshën e tij dhe shqetësimet familjare që shkaktonte largimi i tij nga kjo jetë.
Nëse personi i vdekur ishte i moshuar dhe me fëmijë të rritur, të martuar dhe në gjendje ekonomike të stabilizuar, servirej kafe e ëmbël; nëse i ndjeri ishte në moshë mesatare dhe me fëmijë pjesërisht të martuar dhe të pamartuar, servirej kafe e mesme; dhe, nëse personi i vdekur ishte i ri ose e re, me fëmijë të vegjël ose i pamartuar servirej kafe fare e hidhur, pa sheqer.
Sipas paragjykimeve të përhapura gjerësisht në shoqërinë shqiptare paramoderne, në filxhanin e kafesë pasqyronin edhe mjaft element të personalitetit, të mënyrës së jetesës dhe të gjendjes shpirtërore të personave që pinin kafenë.
Për shembull, nëse burri e pinte kafenë e nxehtë, mendohej se ai sipas bestytnive ishte aq frikacak saqë kishte frikë edhe gruan. Gjithashtu, sipas bestytnive, nëse personi e pinte kafen e ëmbël, kishte jetë të hidhur dhe e kundërta, nëse pinte kafen e hidhur, kishte jetë të lumtur.
Si rregull, servirja e kafesë shënonte simbolikisht përfundimin pothuajse të çdo lloj ceremonie gëzimi dhe rrezatonte mesazhe simbolike komplekse dhe mjaft të nuancuara në ceremonitë mortore.
Përveçse në mjedise të tilla dhe në bar-kafe e restorante, kafeja ishte ndoshta e vetmja pije, e cila në një pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare servirej edhe në varreza. Një zakon ky që për të huajt mund të duket i çuditshëm, por për ne është një formë e nderit.
Por, çfarë mesazhi përcillte kafeja e servirur në vareza, fill pas varrosjes së të ndjerit?
Një kafe e tillë, sidomos në krahinat veriore të Shqipërisë, dëshmonte simbolikisht se i ndjeri kishte kryer funksione shoqërore të rëndësishme për anëtarët e fisit, banorët e fshatit, krahinës etj., pra ishte burrë i shquar. Pra, një lloj “dekreti pas vdekjes”.
Në këtë ritual, kafeja nuk është më pije, por medium midis botëve – një ofrim i heshtur për të ndjerin dhe një kujtesë për të gjallët se gjithçka është kalimtare, kushdo qofsh dhe pavarësisht pozitës që mund të kesh pasur.
Gjithashtu, servirja e kafesë me dorën e majtë dhe sidomos nën gju konsiderohej një fyerje shumë e rëndë, veçanërisht për burrat që kishin vonuar marrjen e gjakut në emër të ndonjë anëtari të familjes ose të afërmi të vrarë.
Kafeja shqiptare është pasqyrë e njeriut shqiptar: e hidhur, e ëmbël, e nxehtë, e ngadaltë – por gjithmonë e vërtetë. Në filxhanin e saj lexohen shekujt e një populli që s’ka pasur gjithmonë institucione, por ka pasur gjithmonë kode nderi, rituale respekti dhe mënyra të holla për të komunikuar. Nëse Europa ka mbretër që vulosnin me kurorë e skeptër, ne kemi pasur filxhanin që vuloste me besë.
Në çdo tavolinë shqiptare, qoftë në mal apo në qytet, kafeja është më shumë se një zakon – është një formë qytetërimi. Një qytetërim i vogël, i përqendruar në një filxhan të bardhë, ku bashkëjetojnë e kaluara dhe e tashmja, besa dhe fjala, ëmbëlsia e jetës dhe hidhësia e fatit. Sepse për shqiptarët, edhe kur jeta është e hidhur, kafeja duhet të pihet me nder.
ObserverKult
Lexo edhe:






