Kalaja e Bashtovës, gjenden sende “me vlerë”- i takojnë së kaluarës

Bashkë me lajmin e mirë të restaurimit të kalasë unike të Bashtovës, falë programit EU4Culture, vjen dhe ai i gjetjeve të reja arkeologjike, që hapin dritare të reja mbi historinë e monumentit.

Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, sipas së cilës gjatë këtyre ditëve, krahas punës restauruese në Kalanë e Bashtovës, po realizohen edhe sondazhe arkeologjike për identifikimin e shtresave kulturore të monumentit si dhe për kontrollin e çarjeve vertikale në pika të ndryshme të tij.

Së fundmi sondazhet kanë nxjerrë në dritë gjurmë të periudhës otomane të shek. XVIII.

Janë gjetur gjyle të përmasave të ndryshme si dhe materiale qeramike të së njëjtës periudhë.

Jo vetëm gërmimet e mëtejshme, por edhe dokumentimi dhe studimi i materialeve të gjetura do të japin përgjigje më të sakta lidhur me këto gjetje./ATSH


Lexo edhe:

KALAJA E BASHTOVËS, E VETMJA KËSHTJELLË E NDËRTUAR NË NJË FUSHË NË SHQIPËRI

Kalaja e Bashtovës, një monument kulture i ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar në Shqipëri.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km. Në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta.

Kalaja e Bashtovës ndodhet në njësinë administrative Gosë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, me ndarjen e re administrative. Këtu ndahet territori i qarkut të Tiranës me atë të Fierit.

Për herë të parë, kalaja haset në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare.

Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU