E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena ndërmjet viteve 1796-1798, kalaja e Libohovës, Monument Kulture i kategorisë së parë, është gati të presë turistët.
Specialistët e Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër kanë përfunduar rehabilitimin e murit të “Kalasë së Libohovës” në pjesën jug-lindore, i cili ishte shembur dhe kishte krijuar probleme si për qëndrueshmërinë e pjesës tjetër të murit ashtu edhe për banorët.
Me punën e tyre të specializuar specialistët e DRKK Gjirokastër ngritën këtë mur duke ruajtur stilin dhe karakteristikat e murit origjinal.
Kalaja e Libohovës ka qenë dhuratë e Ali Pashë Tepelenës për motrën e tij, Shanisha e martuar në Libohovë. Është objekt i vizitueshëm dhe me interes për turistët e dhënë pas historisë.
Kalaja ka katër kulla shumëkëndëshe nëpër qoshet dhe murin që rrethon një sipërfaqe të gjerë, qe është një fortesë me përmasa të konsiderueshme. Motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanisha, u martua me një nga anëtarët më të rëndësishëm të familjes Libohova dhe kalaja ishte paja e Ali Pashës për të motrën.
Kalaja kishte një pozicion strategjik dhe kontrollonte gjithë luginën e Drinos. Në qendër te Libohovës ndodhet rrapi mbi 560 vjeçar, një monument i rrallë i natyrës, i cili është i rrethuar nga rrepe të tjerë. Gjithashtu, bien në sy, në qendër të qytetit, sarajet e bejlerëve të Libohovës.
Sot kjo kala është objekt, ku turistë të shumtë e vizitojnë atë për historinë e saj dhe për kuriozitetin intrigues. Ndërsa motra e Ali Pashë Tepelenës, Shanishaja, prehet në varrezat në jug të kalasë./ATSH