reklamë

Kalaja e Prizrenit mbyllet përkohësisht për vizitorët

Kalaja e Prizrenit do të mbyllet përkohësisht për vizitorët, pas fillimit të punimeve për zbatimin e masave emergjente në këtë aset të trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës njoftoi se mbyllja do të zgjasë për një periudhë prej dy javësh, duke filluar nga dje. Vendimi është marrë nga Njësia Menaxhuese e Kalasë së Prizrenit, me miratimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas njoftimit, masa është ndërmarrë me qëllim të krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e punimeve dhe mbrojtjen e vizitorëve gjatë ndërhyrjeve në kala.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit bëri të ditur se çdo ndryshim lidhur me afatin e mbylljes, si dhe datën e rihapjes së kalasë për vizitorë, do të bëhet i ditur me kohë për publikun.

Kalaja e Prizrenit është një nga asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit dhe një nga pikat kryesore turistike të Prizrenit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe vizitorëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë periudhës së punimeve.

ObserverKult


Lexo edhe:

Kalaja e Elbasanit mes trashëgimisë dhe “betonit”: Banorët kundër projektit të rivitalizimit