Pavarësisht situatës së vështirë nga COVID-19 dhe dëmeve të tërmetit, Kalaja e Krujës vijon të mirëmbahet.
Hapësirat e gjelbra, kalldrëmet në rrugicat e kalasë dhe muret shekullore pastrohen nga bimësia, duke ofruar një pamje të qetë dhe relaksuese.
Kjo pasi prej vitit 2019, Kalasë së Krujës iu shtua një mirëmbajtës i cili është dhe banor i Kalasë.
Shkëlzen Topçiu, mirëmbajtësi i kalasë shprehet për ATSH-në “se unë po pastroj shtëpinë time, këtu jam lindur e rritur”.
Ai shton se “këtë punë e kam bërë kur isha emigrant në Itali, por këtu është ndryshe dhe ora ime e punës nis në orën 5 të mëngjesit”.
Lajm po i mirë është se edhe në qytetin antik të Albanopolisit, në vendbanimin Ilir, pas 30 vitesh është punësuar një mirëmbajtës.
Prej 15 shekujsh, Kalaja qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftrave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës, një herë e një kohë, qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi,ndërsa pranë saj ndodhet Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.
Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princërve, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./atsh