Kanë kaluar shumë vjet, por thashethemet s’po ndalen/ Ja ku u varros Gjergj Fishta

respekt deputet At Gjergj... Fishtën asdreni

Nga Frano Kulli

Mbamendjet, përposë emocioneve që sjellin, sidomos kur ato tregohen bukur përbëjnë një lëndë të çmuar edhe për historinë. Por, kurrsesi ato nuk janë vetë historia. Rëndesa e vlerës së tyre ka një raport proporcional me rëndësinë e ngjarjes a personit, i cili ka pasë çukitë në memorjet e bashkëkohësve.

Sa më me peshë publike të ketë qenë personi përreth të cilit vërtiten mbamendjet që tregohen, aq të shumta e të larmishme janë ato. Mirëpo, jo kurdoherë gjithëçka mbahet mend e thuhet si mbamendje është vetë e vërteta.

Madje ato, varësisht prej mënyrës sesi rrëfehen e ngjyresës së përshkrimit bisedor, gjithmonë i largohen të vërtetës dhe dashtë e pa dashtë kthehen në legjenda e fillojnë e krijojnë mitet.

Kjo ka ngjarë edhe me At Gjergj Fishtën. Terratisja e figurës dhe emrit të tij e veprës gjithashtu, përreth 50 vjet e ka thelluar hendekun midis të vërtetave përreth tij e miteve të krijuara.

Për do vite të mira në fillimvitet ’90 të shekullit që shkoi, flitej e përmendej, me rend e pa rend, i mvisheshin atij edhe lavde që s’kishin qenë të tijat e s’kishin pasë lidhje me të, e s’ishte nevoja për to, kurse ajo çka vetë Fishta ishte, vetë shkaku i përmendjes, ajo që e kishte pasë kthyer emrin e tij në një mit qysh në gjalljen e vet, pra vepra e tij letrare e të gjitha gjinive, që ai kishte lëvruar dhe veprimi i tij publik në dobi të Shqipërisë e shqiptarëve, vijonte të ishte prap e strukun në harresë e nuk e kishte kapërcyer ende pragun e dritës.

Sikurse nuk ishin rikthyer ende kronikat e shkruara e të botuara në bashkëkohësinë e tij, ata që kishin zënë fill atë çast mbasi ai kishte mbyllë sytë.

Tani kjo ështe e shkuara, vepra e tij e plotë qarkullon lirshëm, sikurse edhe mbamendjet e bashkëkohësisë janë ribotuar rishmësi e janë në duart e kujtdo që dëshiron t’i ketë ato.

Por, po ndodh prapë rendja kurreshtare mbas thashethemeve edhe, mbasi kanë kaluar 34 vjet prej atëhere dhe, tani nuk më duket se ka arsye të ndodhë. Tani, rrëfimet si mbamendje, që, duke kaluar gojë m’ gojë, në formën e thashethemeve, patën ndërtuar dikur mitin, kanë rënë e nuk vlejnë përpara dëshmive autentike të risjella e publikuara si atëherë kur kanë ndodhë.

Dhe këtë e dëshmojnë të shkruarat e françeskanëve bashkëkohës, të cilat, pa kurrfarë mëdyshje janë ku e ku më të pranueshme si të vërteta historike sesa “biseda me qytetarë të moshuar shkodranë të cilëve u kishin folur për këtë fakt ende të panjohur priftat franceskanë që kanë jetuar deri në vitet 2000”.

Të cilët paskan pohuar se: “Vetëm pak muaj pas vdekjes së tij në varrezën e kishës së Shirqit në Shkodër, në pranverë të vitit 1941, kanë ardhur me një makinë 2 ushtarakë italianë të SIM, e kanë zhvarrosur dhe i kanë marrë trupin ende të patretur me vete.

Në vijim, këta të fundit e kanë transportuar në Romë, ku edhe e kanë djegur në bazë të urdhrit të dhënë nga Musolini, të cilit nuk i mjaftoi as eliminimi fizik i Gjergj Fishtës vetëm për një shpotitje, por egoja e tij prej diktatori duhej që të ngopej edhe me veprimin makabër të djegies së eshtrave të tij…” Domethënë, Fishta qenka varrosur në Shirq?!

Në të vërtetë, françeskani i parafundit prej “françeskanëve të m’dhaj [mëdhenj]”, bashkvëlla në Urdhërin e Shën Françeskut i Fishtës, po dhe ndër bashkëpunëtorët më të afërt të tij, përkujdestari i vetëm gjuhësor i veprave të Poetit Kombëtar, të cilin ai e çmonte shumë: At’ Viktor Volaj, ka vdekë në 1995, me 5 nëntor.(I fundit është At Leon Kabashi, që ka vdekur me 11.11.1998) Njëri ndër dëshmitarët e frymës së fundit e i varrimit të tij, po se po.

Edhe kronikani i gjithë ngjarjes së përmortëshme, gjithashtu. Dhe kronika e tij, gjendet e shkruar. E ndoshta në një rast mëdyshjesh e për davaritjen e tyre, kur vjen fjala për saktësime të fakteve të së shkuarës, vlen ma shumë se kurrë sentenca latine: “Scripta manent, verba volant” ( E shkruara mbetet, fjala fluturon).

Në “At Gjergj Fishta, 1871-1940 ” përgatitur nga At Benedikt Dema në 1941- shin ai na dëshmon: “N’orën 10 në mbramë shkova edhe njiherë me e pa…Mbas nji ore kthyem në Kuvend, tue lanë në rojë At Antonin Fishten e A. Sebastjan Deden.

N’at gjendje të zhgrehunit, mâ fort fjetë se zgjuet kishte vijue deri n’orën 00:35, kur pa pritë e pa kujtue, mbas nji trandjeje nji çasi të vetem, u shkim prej nji sulmit kardjak, tue pasë përbri vllazent e siperpërmendun….Dhe derisa ka mbyllë sytë, prej tij nuk kemi asnjë dëshmi tjetër të ndryshme nga kjo. As me gojë as me shkrim.

Ndërsa, At Benedikt Dema, përkujdestari e përgatitësi i librit në fjalë shkruan: “Korteu i gjatë e i madhnueshëm, msa gjithnji kjáte qiell e tokë, u leviz për të mbramen herë kah Kisha e Françeskanëve me atë shumicë kunorash e me dekorata, qi dishmuen veprimtarín tanë meritime të Poetit Kombëtar, përpara qerrit të përmortshëm të terhjekun prej gjashtë kualsh së pështjellun në pëlhurë të zezë; arkën e dekës e mbëlote flamuri kombëtar e aj i Italís, qi e bani pjestarin e Akademís së vet.

U vendue rishtas në katafalkun e përparshëm në mjedis të kishës deri qi mâ vonë Sivllazent e vet e vorruen në fund të Tempullit-n’anën e majtë prej të himit (hyrjes)…”./ panorama.com

ObserverKult


Lexo edhe:

YEHUDA AMICHAI: PROVO TË MBASH MEND DISA HOLLËSI…

Poezi nga Yehuda Amichai

Provo të mbash mend disa hollësi. Mos harro veshjet
e asaj që ti e do
kështu që në ditën e ndarjes të mund të thuash: herën e fundit
kishte veshur filan xhaketë ngjyrë kafe, mbante kapele të bardhë.
Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse ato nuk kanë fytyrë
dhe shpirti i tyre është i fshehur dhe të qarat e tyre
janë të njëjta me të qeshurat e tyre,
dhe heshtja e tyre dhe britmat e tyre ngrihen në një lartësi
dhe temperatura e trupit të tyre është ndërmjet 98 dhe 104 gradë
dhe ato nuk kanë jetë jashtë kësaj hapësire të ngushtë
dhe ato nuk kanë asnjë imazh të gdhendur, asnjë ngjashmëri, asnjë kujtesë
dhe ato kanë gota prej letre ditën e gëzimit të tyre
dhe gota letre që përdoren vetëm një herë.

Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse bota
është e mbushur me njerëz që ishin dërmuar nga gjumi
pa pasur askënd që t’ua mëkojë lotin,
dhe ndryshe nga kafshët e egra ata jetojnë
secili në vendin e tij të fshehur të vetmuar dhe ata vdesin
së bashku në fushat e betejës
dhe në spitale.
Dhe toka do t’i gëlltisë të gjithë,
e mira dhe e keqja së bashku, si pasuesit e Korahut,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


enver sulaj

ENVER SULAJ: MURET PA NGJYRË

Nga Enver Sulaj

Në këtë dhomë pianoja thyen muret pa ngjyrë
Fjalët memece janë lidhur nyjë në ujë
Tretur je fushave të vetmisë.

Ani,
Muzika sjell çdoherë tinguj perëndie
Miklon faqe
E sjell dashuri
Në lugina tërbuar errësire.

Fjala
Edhe muzikë ishte në fillet e saj
Edhe zë perëndie e shprese
Kur filloi rruzullimi…

ObserverKult