Yehuda Amichai: Provo të mbash mend disa hollësi…

Poezi nga Yehuda Amichai

Provo të mbash mend disa hollësi. Mos harro veshjet
e asaj që ti e do
kështu që në ditën e ndarjes të mund të thuash: herën e fundit
kishte veshur filan xhaketë ngjyrë kafe, mbante kapele të bardhë.
Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse ato nuk kanë fytyrë
dhe shpirti i tyre është i fshehur dhe të qarat e tyre
janë të njëjta me të qeshurat e tyre,
dhe heshtja e tyre dhe britmat e tyre ngrihen në një lartësi
dhe temperatura e trupit të tyre është ndërmjet 98 dhe 104 gradë
dhe ato nuk kanë jetë jashtë kësaj hapësire të ngushtë
dhe ato nuk kanë asnjë imazh të gdhendur, asnjë ngjashmëri, asnjë kujtesë
dhe ato kanë gota prej letre ditën e gëzimit të tyre
dhe gota letre që përdoren vetëm një herë.

Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse bota
është e mbushur me njerëz që ishin dërmuar nga gjumi
pa pasur askënd që t’ua mëkojë lotin,
dhe ndryshe nga kafshët e egra ata jetojnë
secili në vendin e tij të fshehur të vetmuar dhe ata vdesin
së bashku në fushat e betejës
dhe në spitale.
Dhe toka do t’i gëlltisë të gjithë,
e mira dhe e keqja së bashku, si pasuesit e Korahut,
të gjithë ata në rebelimin e tyre kundër vdekjes,
goja e tyre hapet deri në momentin e fundit,
duke lavdëruar dhe mallkuar në një të vetme
ulërimë. Provo, provo
të mbash mend disa hollësi.

Përktheu: Skënder Buçpapaj

ObserverKult


Bardhyl Londo itaka

Lexo edhe:

BARDHYL LONDO: MESNATË NË KORÇË

Poezi nga Bardhyl Londo

E dua këtë qytet. Dhe ai më do herë pas here.
Kur jemi larg krahët tundim drejt njëri-tjetrit si mullinj ere.

Kur jemi pranë qeshim, heshtim, qajmë,
Malli mbi katedralen e qytetit tingëllon kambanë.

Tani kalldrëmeve eci i vetëm në mesnatë,
pa një kitarë malli, pa një mall serenate.

Pa shokë, pa miq shpërndarë nëpër botë për jetë
me një hënë të huaj që nuk di ç’ndriçon as vetë.

Hapuni porta, u bërtas, s’më njihni? Jam miku juaj.
Është vonë, thonë ato, ç’kërkon kaq vonë o i huaj?

Mbi kalldrëmet e ashpër si me gurë strralli
nuk shkel këmba ime por ngadalë zvarritet malli.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult