Kanga e lahutës së Kreshnikëve

Epika historike shqiptare dhe krijimtaria gojore poetike e Shqipërisë së Veriut, kanë vlerat e një trashëgimit të vyer, por fatkeqësisht të pastudiuar siç duhet nga etnomuzikologët. Malësorët janë ata që i kanë dhënë jetë Mujit dhe Halilit, Plakut Qefanak e Zukut Bajraktarit dhe që këndoheshin nga i madh e vogël, që mezi prisnin sa të kishte ndonjë festë apo dasmë që të mund të dëgjonin lahutarët e Shalës, që e njihnin më mirë se kushdo lahutën, apo vendasit tek interpretonin me aq pasion e dashuri legjendat nën tingujt e instrumentit më të vjetër në Evropë.

Ajo që këngët e kreshnikëve përfaqësojnë, janë vlerat e një vendi që shenjtin e ka tek besa e burrëria, tek jeta e atdhedashuria, tek shpresa dhe përjetësia.

Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj shprehet në një shkrim të tijin se do të jap disa vlerësime e arritje rreth gjuhës së eposit si përmendore madhështore e kulturës së gjuhës. “Rreth “ndiç-it” epik si tregues i plotvlershëm i pushtetit dhe i peshës shumë të madhe shpirtërore të eposit të kreshnikëve në zemrën e malësorëve dhe, së andejmi, edhe në figurshmërinë dhe bukurinë e gjuhës së tyre”, transmeton ‘konica.al’.

Profesor Gjovalini i ka ndarë në pika dhe ja tek janë:
“1. Epika popullore është një gjini e poezisë popullore që ka si veçori rrëfimin dhe që përmbledh: epikën legjendare dhe epikën historike. Në epikën legjendare përfshihen këngë që bëjnë fjalë për bëma, rite, doke e marrëdhënie shoqërore të hershme; aty zenë vend të gjerë trimëritë dhe bëmat zullumqare të kreshnikëve, si Muji e Halili, Gjergj Elez Alija, Omeri i Mujit, Plaku Qefanak, etj. Këto këngë shquhen për një stilizim të gjerë epik, për realizimin e tyre sipas modeleve artistike të moçme dhe me një pleksje të mahnitshme të reales dhe të joreales, të fakteve dhe të imagjinatës.
Këngët e kreshnikëve janë krijimet më të gjata të poezisë popullore shqiptare. Ato mund të arrijnë deri në disa qindra vargje, kryesisht dhjetërrokëshe, po edhe me përmasa të tjera. Vargjet janë të bardha, por me kadenca ritmike e aliteracione të zhdërvjellëta, që pasqyrojnë edhe natyrën fonike të gjuhës shqipe, posaçërisht të dialektit të gegërishtes veriperëndimore. Në mënyrë të veçantë aty janë me interes dy faktorë: a) gjatësia e zanoreve të theksuara, ndonjëherë edhe e të patheksuarave, si një tipar fonologjik vetëm i gegërishtes dhe i ndonjë së folmeje skajore a anësore të toskërishtes (si labërishtja dhe ndonjë nga të folmet e diasporës arbëreshe të Italisë e të Greqisë); b) zgjatimi i zanoreve për arsye stili, bashkë me disa ndërrime e kalime fonetike në gjuhën e këngëve, që kryhen thjesht për arsye muzikaliteti e kumbueshmërie më të lartë.

Nga kërkimet e bëra deri më sot rezulton se këngët epike të ciklit të kreshnikëve i gjejmë në Shqipërinë Veriore, kryesisht në trevat mbi lumin Drin, në këtë shtrirje: Malësia e Madhe (Hot, Kelmend, Grudë, Triesh, Kastrat, Shkrel), Kraja, Rranxat e Mbishkodrës, Dukagjini, Postrripa, Shllaku, Nikaj-Mërturi, Malësia e Gjakovës (Krasniq, Gash, Bytyç, Berishë), Kosova. Kjo është vatra kryesore apo treva e mirëfilltë e ciklit të kreshnikëve, po përhapja e tij është edhe më e gjerë; ajo kalon edhe poshtë Drinit, si në Pukë, Kukës, Dibër e Mat, deri në disa fshatra të Shqipërisë së Mesme.
3. Karakteristikë themelore e eposit shqiptar është shoqërimi me lahutë, vegël që, sipas etnomuzikologëve shqiptarë e të huaj, është nga më të lashtat dhe “përfaqëson arkeotipin më të lashtë të veglave kordofone me hark të kontinentit evropian”.
Lahuta, në dialektin e Malësisë së Madhe, sidomos në anët perëndimore të tij, shqiptohet edhe lavd-a : mej ra lavds. Në anët verilindore shqiptohet lahut-a. Kjo vegël bashkë me këngët që shoqëron, ka luajtur rol të rëndësishëm etik, po edhe është kthyer në simbol etnik. Malësorët tanë e kanë vështruar lahutën si objekt kulti, prandaj edhe e kishte çdo shtëpi. Shtëpia pa lahutë quhej shpi e lânun “shtëpi e lënë”. Mbi lahutë (kryesisht në kokë, po edhe në bishtin e saj) malësorët gdhendnin figura mitologjike që lidhen me besime popullore të ndryshme, si: gjarpër, kokë dhie, përkrenarja e Gjergj Kastriotit etj. Gdhendja e kokës së dhisë lidhet me besime të hershme popullore. Në këngët e kreshnikëve bëmat e heronjve kushtëzohen nga prania e figurave të besimit popullor, nga forca magjike e zanave dhe e orëve, të cilat i pajisin heronjtë me fuqi të mbinatyrshme. Në një nga këngët e kreshnikëve flitet për dhitë e egra të Zanave, që rrinë në Lugje të Verdha e i kanë brirët prej floriri; ato simbolizojnë fuqinë e zanave. Në ndonjë këngë këndohet për djalin gjarpër, kurse në shumë këngë gjarpri del nga gjoksi i kundërshtarëve të Mujit e të Halilit kur vriten, si p.sh. nga barku i Behurit, i Gjurit Harambash; nga barku i Bajlozit të Zi që vret Gjergj Elez Alija etj.
Lahuta shqiptare, në dallim nga guslla e sllavëve, është vegël popullore masive e njerëzve të thjeshtë, e këngëtarëve joprofesionistë. Guslla është vegël profesioniste e këngëtarëve që paguhen për këtë mjeshtëri. Me lahutë shoqërohen këngët epike, midis të cilave shquhen ato të Mujit e të Halilit. Lahuta dhe kënga shkrihen në një të vetme. Nuk mbahet mend që në malësitë tona lahuta të jetë përdorur veçmas. Ajo vetëm shoqëron këngët duke spikatur dy momente:
Hyrjen apo introduksionin e këngës, si dhe interludet midis rreshtave muzikorë.
Kur shoqëron këngëtarin gjatë interpretimit të tij. Gjatë shoqërimit të këngës (fjalëve) lahuta ka një kufizim të ndjeshëm të funksioneve të saj, me që, në këtë rast, vëmendja përqendrohet kryesisht në një ligjërim sa më të bukur.

Këngët e kreshnikëve këndohen në tubime popullore me rëndësi, në dasma, në oda të burrave, në mjediset familjare, festat kombëtare a fetare etj. Kur këndohen këngët e kreshnikëve auditori dëgjon me nderim e vëmendje të madhe. Burrat e moçëm përhumben në kujtime e derdhin lotë. Eposi është, pra, një krijim hijerëndë e burrëror, që nuk i qas vulgarizmat dhe fjalët e pakrehura. Në mbarim të këngës, të gjithë dëgjuesit e prani-shëm e urojnë njëzëri këngëtarin me fjalët: “Të lumtë goja!”, “Të këndoftë zemra!”, “Ia laç djalit!” etj.
Gjithmonë ky epos është vlerësuar si një krijimtari me peshë ndikuese edukative. “Këngët e kreshnikëve e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim, i shtien zemër të durojë plumbat, gjakun, luftat ku tresin mashkujt”. Mund të themi se malësori shqiptar është ushqyer me këngët e kreshnikëve, jo vetëm nëpërmjet auditorit të tyre të mirëfilltë ku ato këndoheshin, po edhe nga përcjellja gojë më gojë, e nënave te fëmijët. Nënat malësore, edhe kur flasin për gjëra të zakonshme, e kanë për zakon të kthehen në tregimet legjendare nëpërmjet fjalive e thënieve të ndërkallura që fillojnë me të famshmin “niç” (<ndiç < ndiej ç‘), që sjell në bisedë pasazhet më të pikuara të eposit të kreshnikëve.
Marrëdhëniet rapsod-auditor kanë qenë gjithnjë të gjalla dhe kanë përbërë një ecuri të pandërprerë në të gjitha mjediset malësore. Pa auditor nuk ka rapsod dhe çdo auditor i ri, natyrisht, i shtron rapsodit kërkesa të reja për formën gjuhësore.

Kënga epike, duke kaluar nga një këngëtar në tjetrin si edhe nga një brez këngëtarësh më i vjetër te një më i ri, ka pësuar vijimisht edhe përditësimin përkatës, duke u përtërirë në anë të ndryshme të shprehjes gjuhësore, të stilit etj. Si dëshmi të këtij përditësimi janë, ndër të tjera, shtresëzimet dhe bigëzimet leksikore e frazeologjike aq të shpeshta në gjuhën e eposit, ku shohim se, në të njëjtën këngë, ka edhe fjalë vendore (lokale) të së folmes së ngushtë, edhe variante a leksema më të përhapura e që i përkasin një arealeje më të gjerë, deri edhe mbarëshqiptare. Kështu, në vargjet e eposit:
“Paka n’ andërr një tubë berresh,
Tufa ishte treqind delesh”

Aty ndeshim herë tufë delesh, herë tubë berresh: e para (dele) është një fjalë më e njohur, e përbashkët si fonetikisht, ashtu edhe nga ana semantike, kurse e dyta (tubë berresh) është e njohur në një areale më të ngushtë, kryesisht në trevat e gegërishtes veriore.

“Nga studimet tona kemi arritur në përfundimin se në gjuhën e epikës, qoftë risitë (inovacionet), qoftë ruajtjet (konservacionet) janë të lidhura më tepër me brendinë, me stilin dhe me mëtimet artistike, gjë që shkakton lëvizje më të shumta në fushën e leksikut dhe të morfosintaksës. Sistemi fonetik, ndërkaq, mbetet i njëjtë me atë të gjuhës së folur të trevave përkatëse, për arsye se ai nuk mund të kryejë funksione artistike-stilistike si ato që përmbushen me anën e leksikut. Këngët e kreshnikëve na japin një pamje të gjerë të asaj mënyre të shprehjes gjuhësore popullore ku politesa dhe arroganca, miklimi dhe ironia, shpotia dhe sarkazma etj., paraqiten me mjete gjuhësore të qëlluara, të gjetura mirë e të bukura, me larmi e përpikmëri, që dëshmojnë për një shije të hollë artistike, po edhe për traditë të lashtë të shprehjes së përpunuar, të gjuhës si mjet arti. Nga ky këndvështrim, nuk e teprojmë kur themi se këngët e kreshnikëve janë përmendore madhështore e kulturës së gjuhës shqipe”, shprehet profesor Gjovalini.