Miti i Sizifit, mbreti mizor që u ndëshkua përjetë për shkak se e mërziti Zeusin

I dënuar të ngjisë përgjithmonë një gur të madh në një kodër të pjerrët, Sizifi është një figurë e mitologjisë greke, që përfaqëson një mision të pamundur. Ndëshkimi për të në Botën Nëndheshme ishte: Sa herë që ai afrohej majës së kodrës, guri që po ngjiste lart, rrëzohej sërish në fund të saj, duke e detyruar ta fillonte sërish detyrën nga e para.

Pra Sizifi u ndëshkua për ta kryer në përjetësi këtë detyrë të pamundur. Por çfarë bëri ai për ta merituar këtë ndëshkim të rreptë? Dhe kush ishte Sizifi? Sipas mitologjisë Greke, Sizifi ishte themeluesi dhe mbreti i parë i Efirës (që thuhet se ishte emri origjinal i Korintit).

Ai ishte djali i Eolusit, mbret i Thesalisë dhe Enaretes. Sizifi njihet më shumë si një person shumë dinak. Në disa burime të mëvonshme letrare (pra pas epikës së Homerit), Sizifi konsiderohet si babai i Odiseut (babai i të cilit thuhet tradicionalisht të jetë Laerti), një figurë tjetër në mitologjinë greke, i njohur për dinakërinë e tij.

Sizifi u vendos në fokusin e Perëndive kur shkeli xenia-n, konceptin e mikpritjes dhe bujarisë, që mikpritësit janë të detyruar të tregojnë ndaj mysafirëve dhe udhëtarëve për të treguar se ishte një mbret i pamëshirshëm, Sizifi i vriste në shumë raste miqtë e tij.

Kjo gjë nuk i pëlqeu Zeusit, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen e këtij kodi sjelljeje. Ai vendosi të merrte masa kundër Sizifit, por kjo pas një incidenti të veçantë. Mbreti i Perëndive kishte rrëmbyer Eginën, vajzën e Asopusit, një Perëndi i lumit, që ishte njëherazi djali i Poseidonit.

Sizifi i premtoi Asopusit t’i tregonte se çfarë i kishte ndodhur vajzës së tij, me kushtin që të krijonte në qytetin e tij një burim të jetës së përjetshme, kështu, ai i zbuloi aktin e ulët të Zeusit. I zemëruar nga gjesti i Sizifit, Zeusi urdhëroi Thanatosin, Perëndinë e Vdekjes, që ta çonte atë në Botën e Nëndheshme.

Kur Thanatosi shkoi tek Sizifi, ky e pyeti se si funksiononin zinxhirët e tij, ndërsa Thanatosi po i tregonte mbretit se si funksiononin zinxhirët, Sizifi e lidhi me shpejtësi në ato zinxhirë.Vdekja ishte tani rob i Sizifit, dhe askush nuk mund të vdiste.

Në fund, u desh ndërhyrja e Aresit, Zotit të luftës. Kjo pasi luftërat nuk ishin më “interesante”, në kushtet kur nuk mund të vdiste askush. Ndaj ai e liroi Thanatosin. Në një version tjetër të mitit, ishte Hadesi ai që u dërgua ta marrte Sizifin, megjithëse edhe ai u mashtrua nga mbreti.

Pasi u la i lirë, Thanatos/Hades e përfundoi misionin e tij, gjithsesi, Sizifi dinak ishte në gjendje ta mashtronte sërish vdekjen. Duke e ditur se nuk do të ishte në gjendje ta mbante të burgosur për shumë kohë Thanatosin/Hadesin, ai i dha disa udhëzime bashkëshortes së tij, Meropit, të cilat do të zbatoheshin kur ai të çohej në botën e nëndheshme.

Në vend se t’i kryente një varrim normal, Sizifi i tha Meropit që ta linte kufomën e tij të pa varrosur, dhe të hiqte dorë nga ritet e nevojshme funerale. Kur shkoi në Botën e Nëndheshme, Sizifi iu afrua Persefonit dhe iu ankua për që i kishte bërë gruaja trupit të tij.

Ai kërkoi të rikthehej në mbretërinë e të gjallëve, në mënyrë që të mund ta ndëshkonte gruan e tij, kjo kërkesë u pranua dhe Sizifi u kthye në mbretërinë e të vdekshmëve. Ai vazhdoi të jetojë deri në moshë të thyer. Në një version tjetër, Sizifi e qorton bashkëshorten e tij për neglizhencën e saj.

Por për shkak se refuzoi të kthehej në Botën e Nëndheshme, ai u mor me forcë nga Hermesi. Kur u çua aty, Zeusi kishte shansin të hakmerrej ndaj Sizifit, për ta ndëshkuar mbretin, dhe për t’i dekurajuar njerëzit e tjerë që të tentonin të talleshin me Zotat, Zeusi dha një ndëshkimmjaft të çuditshëm. Sizifi duhej të ngjiste duke rrokullisur një gur të madh në një kodër të pjerrët.

Sa herë që ishte afër fundi të detyrës së tij; shkëmbi rrotullohej tatëpjetë si me magji, dhe ai duhet ta fillonte nga e para, duke e bërë të pamundur çlirimin nga ai ndëshkim. Po cili është morali i historisë së Sizifit? Natyra e kotë e detyrës së përjetshme të Sizifit, është sigurisht një dënim i tmerrshëm.

Por sot disa njerëz, kanë një këndvështrim interesant mbi kuptimin e mitit të Sizifit. Në vend se ta shohin këtë ndëshkim si një provë se Zeusi hakmarrës triumfoi mbi mbretin mizor, disa njerëz e interpretojnë këtë mit si një kujtesë mbi nevojën e këmbënguljes kur përballesh me një mision që ia vlen, edhe pse në pamje të parë duket i pamundur.

Ndërsa Sizifi mund ta ketë merituar ndëshkimin e tij, ka njerëz që besojnë se kur sfidat shihen jo si ndëshkim, por si një fakt i jetës, njeriu duhet të përballet me vështirësinë, të punojë shumë, dhe të mos dorëzohet kurrë. Ndryshe nga historia e Sizifit, ata njerëz që e bëjnë një përpjekje, do të kenë një rezultat./Ancient Origins – Bota.al/


Lexo edhe:

FRANG BARDHI, AI QË E MBROJTI SKËNDËRBEUN NGA SLLAVËT