Kanga e sprasme e Bekim Fehmiut, cikël me poezi nga Ilir Breca

ilir breca

Ju ftojmë të lexoni një cikël të gjedhur poezish nga Ilir Breca.

T’DASHUNOJ

T’dashunoj edhe pas kaq mijra vjetsh
Qyshkur “t’du-së” tem i ke thanë “nashtë”
T’dashunoj edhe mas nji mijë e nji netsh
E edhe mas nji mijë e nji prrallash kam me t’dashtë

T’dashunoj se s’mundem dikend tjetër me e dashtë
Pos teje qe veç dashni s’m’ke jep
T’kam dashtë e t’due me t’njëjtën urrejtje t’lashtë
Me t’cilën dreqi zotit i dha gazep

T’dashunoj dhe e mshefi ktè n’labirinte t’pshtjellta
Me i ba tjertë t’mendojnë se jam veç njeri-kashtë
Nga ata që i tutin sorrat nëpër ara t’mjellta
Ndërkohë përjetë t’jetës me t’rujtë e me t’dashtë

ME T’PASË

Me t’pasë kisha dashtë
Ngat kur shpirti s’del
Ku vorroset shiu mbi fletë
Aty m’u pshtetë mbi jastak
Nji film i mirë reminishencë
Fminore dhe ni kangë e qetë
Dy rrugë e njona e sigurt
Nji t’du e ikja rrugë e prisht
Kumbona e kishës n’sfond
Ni ezan sabahi që ta ndjell gjumin
Ma shum se që t’merr
Bari i rritt, ti lozonjare si n’tekste
T’trixave n’vitet 80′, o Zot
Ti ekziston veç n’menjën tem
Aq hare sa me rrejtë botën
Që un s’jom duke fantazu
Gabimisht me t’pasë
Ngat kur shpirti s’del
E mundohesh aq shum
Me dekë.

KUSH M’DASHTI MU

Kush t’dashti ty, aq rrallë aq pak
Dertet me kon i kajte, pa gjumë
Rimat t’rrejnë, t’asocojnë n’harmoni
Gjithçka kputet, rrshet si pa t’keq
Strofat me katër vargje megjithat
Rujnë diçka prej doktrinës mbi katër Kuptimet.
Bota e përtejme duhet besu s’paku
Për arsye krejt linguistike dhe sistemit
T’krijimit t’fjalëve t’reja n’shqip po edhe
Për erën e zambakut dhe ftonit
Kush m’dashti mu që me guxu me shkru
Për dashni, asht e kotë siç shkrihet
Keksi n’tamël e t’shijon aq lehtë po s’t’nginë.
Ata që duhen rrinë
Nëse jo bashk’
S’paku vet.

MONOLOG I GJONIT HANGOVER

Tue klenë se gluha jonë s’kish gja te endeglueme
Se Shkrimit Shejt
Thash…
Kaja dertin bre ksaj pune!
Ça me’j qit veti kasavet
Për nji milet… për kon? për kon?
Për qita qi stërnipat e tyne
Kan me ja rreh veti ma muslimon
Se turqtë a?
Le Gjon… thash! Le!
Dheze naj duhon
Pije naj venë
Qite do djath naj ulli, naj kepë taze
Mos e pi kurr n’t’thatë
Qysh t’ka msu baca Kolë
Thatë e pin veç aj qi s’ka
Ja qi shet menë… jo kishe boem
Jo kishe mu shej s’ma len
Pi Gjon… dhe çohu nesër me krytë
300 killa e me surratin si bishë
Shko n’kishë
Dhe predikoju kingjave t’shkretë
Për at’ jetë
Qi do t’vjen
Folju çka kan qef me ni
Folju
Munohu me’j knaqë te ton
Hiqu prrallav, hiqu shkronjav
Hiqu kasavetev amon!
Shtin rruza n’pe… po t’han palla
Kur e sheh qi e ke tepru
Shtoja edhe do
Për t’arbnesht kurr tepër s’o!
Durojnë shum kur s’duhët
E mërdhezën për pak sen
Ti rri… pi ven
Edhe duhon
Gjon
Por jo n’t’thatë
Bacës Kolë jetën e gatë
Mezja ja ka majtë
S’ka shitë men baci kurrë…
Pi Gjon!
Pi burrë!

KANGA E SPRASME E BEKIM FEHMIUT


N’darkë pina supë peshku me domate
dhe hangra levrek dhe porsi ai i ndjerë
kur u gjet n’grep, a n’rrjetë, ni dreq e merr vesh
pramë veç u shpshtolla n’shtrat kur rashë me fjetë
me menimet epileptike t’ni njeri t’thjeshtë
që don me fjetë e e trumhasë tutë
e nji andrre ku me buzën e vjerrtë
n’nji çepen e çojnë përpjetë
e lyp pak ujë, se ajri për peshk
asht dekë. Nejse, se kët gja e din çdo’j lemë n’ujë!

Vakteve t’fundit, n’u thanshin kohë
çdo gja po shkon për marak sikur qi ka shku
edhe kohëve t’para! para se me lindë unë
e njikohshëm me shpikë kohën, pjesë e s’cilës jom!
“Me shpikë pjesën, pjesë e s’cilës jom!
“Lumin qi s’hihet kurrë dy herë n’ta” veç pe kqyri
kokulun si Kokalari, shtojcën e kulturës n’kamp.
Po ha, po pi, kjo asht traditë e fisit tem
Ku filozofia barbare s’mujti kurr me hy
Me vnu n’mëdyshje nëse po mbllaqitem me gojë t’haptë
Me çprushë nëse p’e lpijë jogurtin n’musteqet mbi buzë
Me m’kallzu ç’osht miti i kosit t’hollë
Me’j dekonstruktu renat e flisë me mazë t’trashë
apo gogsimën grrithse t’kokakollës fallc!

Po lexoj! sy edhe veshë llapoq
mjekrra po shoh t’u lshu gjithnji ma tepër
njeriu i fisit tem, fillozof e terrorist
me fjalë autoktone plot Ll-ja e Rr-ja qi gjithnji ma pak po shqiptohën
edhe libërtha, bibliografi qi shpallin lexime t’forta
guida apokalipsesh, edhe naj vic
Xhulieta serioze që ecin shtremt
n’kuptimin me këmbët qi u priren n’shpic
ama pakëz, hjeshëm, sa për epsh.

Po rri, po ngoj, po flas
Jeta asht: ta gjejmë lumninë prej sinkopës n’pashk
t’abuzojmë mjaftushëm me dah t’rakisë
si idealet e grusë t’mirë qi e vnon foshnjën n’gjumë
e burrin e pret e qetë
por i cili ka flejt n’kerr me xhama t’msheltë
n’parking dhe gjointi i ka metë dheztë e fati i prin
mos m’u sosë!

“S’po bon seks… jo si përpara… u trashe
e menxi frymë po merr… edhe pak e ka me t’ra naj sheqer…
qelbesh si derr, megjithëse unë erë
thive kurr s’u kam ni, se unë s’jam shkinë…
por jom e re… e din ti… po ta boj qefin… kur t’qujë gorilla jem…
o i ngratë” – i ankohet ajo dashnorit t’saj, me buzë n’vajë!
Ai tjetri andrron… atje n’parking…
për ujë… e n’andërr i jepin ujë t’njelmtë
deri kur radioja: … … …

Po shkrujë, dhe fletët i preki me dorë
gjumi m’asht borë, vorreve ku krymyllat shetisin përmi mermer
ma ndjellin m’u pshtjellë si burbuq i drandofillit
mrena lvozhgës sem… m’u mledh… m’u kallë
numrojë miza unë, BEKIMI, n’pashallëkun e Beogradit
në ni sobë t’vogël, e m’rrokë mall
për Bistricën dhe zambaktë qi qelin
(aroma e tyne ma mushë zemrën plot gëzim…la la la laaaa
la la la laaalaaaa….)
dhe shpejtoj me vjerrë buzën n’çepenin e hekurt
ku ka krym, po s’ka t’gjallë!
(more po t’kom ni shpirt)

E shahirat…….. i qitën n’dyzen
n’urnë…….. për Prizren:
e sa t’jetë jeta ujnave me u en

TË JESH ROMAK


Bota njiher u mbyt n’kataklizmë Khajam
Emrin tand akoma s’e shkrujmë siç duhet
Pervers udhtimi drejt bukurtingëllimit
Kuptimi si tentene
n’ràm po rrin kujtushëm.

Ti akoma s’je nisë e nuk po t’shkohet
T’kom thanë njiqind herë që parajsa asht e debillav
Sa ma i cekt aq ma afër bregut kundruall.
Dehja gjithsesi i takon historisë
si fundvit pa bredha qofshin edhe plastik:
E di na s’mujm m’i pre malet
Për dy gota e ni gzuar,
por sidoqoftë.

Po t’ishte gjallë stërgjyshi sot
Do t’i mbushte 134 vjet
ndërsa ti the se n’kit botë duhet të na udhëheq dashnia
marrë parasysh se dy herë veç
t’u ka dokë që ke dashuru dhe asnjiher tjetër,
Hiç!
Suksese! – kish m’i thanë stërnipit sot
Suksese dhe t’priftë e mara n’udhtimin
Drejt bukurtingëllimit.

Mjafton t’thuash ‘po du’
Që m’u shnoshë shpirti.

A T’ASHT PËRHUMB FTYRA JEM TASHMA?

Tepër, oh, tepër poezi e gjatë e e pshtjelltë për me lexu najkush tjetër pos teje!

A t’asht përhumb ftyra jem tashma?
A!?
Si ndonji puçërr qi përshkllihet me blur-efekt n’foto!
A!?
Vaktin e ka pasë!
Si çdo gja kur vakti i vjen…
E për çudinë tem
unë hala po t’maj n’men !

(Tashma po shkrujë poezi pa rima
Qe ty kurr’ s’t’a kan therrë
jo për naj prirje moderne
as me shitë pordhë
por…
qysh me përshtat diçka qi u prishë
A thu me tinguj muj me mishë?!)

A t’asht përhumb ftyra jem tashma?
A!?
Kur atij i ulësh përbri, përballë a përmi
E di
S’mundesh ma me m’gjetë
Përpos kur vetëm n’shtrat t’jesh pshtetë
E llusterit t’padhezt ja ngulë sytë
E t’kujtohet naj proverb i jemi i coft
Për qirat qi dhezën kur s’ka rrymë
Për llamat qi shuhën pa gaz
Për vetminë e yjev t’largta
Qi gjithher’ aq seriozisht i ke marrë
Por proverbat s’jon ftyra
As sy, ndaj s’kan ngjyrë!

A t’asht përhumb ftyra jem tashma?
A!?
Kur kujton rrenën tem ma t’bukur
Qi njeriu s’un mastrubon
Tuj përfytyru atë qe e dashuron!
E e vnon n’kanarë
Kët rren t’pazarar
Dhe keshë
E aj tjetri t’pytë: ça t’gjet?!
E ti e rren dhe prapseprap kesh apet
Medet!

A e din kur t’desin persona t’dashun
A?!
Qi mas do kohe ja’u harron zonin diqysh
Dhe kqyrë, rrëmon me gjetë kaseta t’vjetra
Inçizime darsmash, synetishë, kanagjegjash
Me’j nxon momentet kur flasin
Me ja u përkujtu zonin
Dhe edhe pse ja u ninë, s’t’doket
Qi osht zoni i tyne
A pe din?!
Edhe pse ftyra e tyne osht përhumb
Dikun larg
Përzi me qehre xhenazesh
Përzi me buzëqeshje t’ekzagjerume
Përzi me dhe, kryma dhe drrasa
Me lotë dhe ngashrime
A pe din?!

Eh,
Mu hala m’kujtohet ftyra jote
Edhe zani yt… edhe pytja: e ti a m’don?!
E si ni i etun për ujë por qi pin raki
Çdo gruje i thom:
Edhe un t’du ty
Dhe përher e nij t’njejten pytje:
E kush t’tha qe t’du!
Dhe e marr birrën n’limenkë
E çohna e shkoj pa përshendetje
Dikon tjeter me gjetë e me’j thanë:
Edhe un t’du ty.
E pos ti s’je aty
Ti qi duhesh me ma pri:
E ti a m’don?!

Oh kuku për fatin tonë
Ja e lumja ti
Qysh rrnon!
Hallall
Niqin her’ hallall!
Qi s’ki çka kujton!

A t’asht përhumb ftyra jem tashma?
A!?
vaktin e ka pasë
Si çdo gja kur vakti i vjen…

ObserverKult

Kliko edhe:

VIDEO-POEZI: ILIR BRECA LEXON POEZINË E TIJ: “A T’OSHT’ PËRHUMB FTYRA JEM TASHMA?”