Kapaku i sarkofagut antik vazhdon të mbetet koritë e kroit të Topliçanit

I sjellë tash e një muaj në vëmendjen e institucioneve, kapaku i sarkofagut vazhdon të shërbejë si koritë uji në kroin në qendër të fshatit Topliçan

Për thuajse tri dekada nuk kishte tërhequr vëmendjen e askujt. Ishte thjesht një koritë për kroin në mes të fshatit Topliçan në Komunën e Lipjanit. Megjithatë, vaska e gurtë, sipas vlerësimeve preliminare, besohet të jetë e moçme 1600 vjet. Në krye të herës, ajo kishte shërbyer si kapak a mbulojë e një sarkofagu me mbetjet mortore të një njeriu të këtyre anëve.

Megjithëse është gjetur qe një muaj, kapaku i arkëmortit të lashtë ende nuk është zhvendosur siç ishte premtuar nga institucionet e Kosovës, shkruan ‘Koha’.

Më 31 gusht, Vjollca Aliu, drejtoreshë në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS, kishte thënë se gjatë javës do të realizohej procesi i zhvendosjes së kapakut të sarkofagut në Topliçan.

“Besoj se gjatë javës do të përmbyllet ky proces, duke përfshirë anën procedurale, përkatësisht ligjore”, kishte thënë Aliu për ‘Kohën’, teksa kishte shtuar se kostoja financiare për një gjë të tillë është e përballueshme. “Tutje presim rekomandimet e institucioneve kompetente për mënyrën e bartjes, për prezantimin në opinion, si dhe nevojën e mëtutjeshme të studimit”.

Por as dhjetë ditë më vonë, institucionet nuk e kanë zhvendosur atë.

“Jam jashtë vendit. Më shumë detaje rreth bartjes dhe prezantimit do të jenë në dispozicion javën tjetër”, ka thënë të enjten Aliu nëpërmjet një SMS-je.

Më 12 korrik, u raportua se kapaku i arkëmortit të lashtë ishte vënë re fillimisht nga historiani lipjanas Avni Bajrami.

Një ekip i Institutit Arkeologjik të Kosovës kishte dalë në vendin e ngjarjes për të vlerësuar kapakun që banorët e fshatit e përdornin si koritë.

Pas matjeve, ky kapak doli të ishte i gjatë 2 metra e 23 centimetra dhe me gjerësi 1 metër e 16 centimetra.

Për arkeologun, Milot Berisha, kjo gjetje duhet t’i përkasë Ulpianës së vjetër, e cila, gjatë periudhës romake, ishte një prej qendrave kryesore komunikuese mes Kostandinopojës dhe Romës.