“Karrigeja e pasme”, tregim nga Arlind Farizi

Arlind Ferizi

Nga Arlind Farizi

E hodhi shikimin për herë të fundit te karrigeje e pasme e veturës. E pa siluetën e saj tek hante vetveten nga këmbët deri te kërthiza e pjesën tjetër e bëri portret dhe e mori me vete që ta varte në murin e jetës së saj të brishtë ku i ndërmendej poeti „ruaju moj ….“ . U nis pas një përplasjeje si ajo e bing–bengut për të fjetur gjithçka pastaj, përplasje e derës së veturës nga ajo dore e vogël qe ia pata mësuar përmendësh vijat papilare me te ngatërruara se të fatit tim.

Iku me biblën e mashtrimit ndër sqetull dhe ca fjala të thëna në shpoti, s’di a i thash më të mirat e dashurisë që dija, por di që heshta si s’kisha heshtur dhembshëm. Iku për të lënë edhe një tregim të shkruar, me pikë. Tregimi radhës do ishte për një të paemër tjetër…Gjurmëve të hapave të saj iu vu pas dëshira e cila u arratis nga unë. Tash ç’mund të dëshiroj? Ta luste për një kthim. Paloburrë ! Kujtoja asaj atë këngën : „ ruaju moj se vajzat…“

Vetura e tij qëndroi ende ndezur, e parkuar anësh një trotuari ku ecnin të vetmuarit, kokulurit dhe disa të zhgënjyer të tjerë. Nuk donte nisjen, nuk kishte dhe ai fuqinë e duhur për të nis këtë makinë ku karrigeje e pasme ishte bosh. Aty nuk është me ajo që vjedhurazi hipte. Aty është veç boshllëku që ajo la. Një vrime ozoni më përpinte sa herë kthej kokën prapa. Ajo nuk është me aty për t’ia ndezur gjithë senzorët e mundshëm… Ajo nuk është më në atë qosh veturë ku zihen ngushtë dhe shkruante s.o.s në xhamin e avulluar. Ajo nuk është më karrigen e pasme të veturën, në vendin ku jepte shpirt prej qejfit. Aty më nuk ka zanore… Aty nuk ka më gjysma që shkriheshin në një të vetme. Aty nuk ka më ngutje, telefon që bie, ndjekje, gps, ….Aty është veç poeti që s’po e këndon krejt këngën: “Ruaju moj se vajzat më të bukura ….“

Ka një bosh, ka një karrige kur do ulen vetëm njerëz të zakonshëm. Udhëtarë të ngratë që makinën e përdorin për të mbërritur thjesht diku. Makina ishte dhoma e vogël e ngushtë e kujtimeve të tij. Fshehur pas xhamave të zinj rrinte dashurie. Ashtu, syzmadhuar prej frikës së ndjekjes dhe kohës së shkurtë ajo ngutej të kryente huxhumshëm çdo gjë. Kishte vetëm ndërprerje të vogla kur binte telefoni, ose thirrje babait, të vetmit njeri të cilit ia kishte frikën.

Ajo iku, ndërroi dhe numrin e telefonit, restartoi ndenjën, madje instaloi dhe viber të ri ku do dertonte kiss-in e saj njerëzve tjerë, përemrave vetor në numrin shumës. Ajo iku, e kishte vendosur tashmë, do ishte e çdokujt pos e tij, do bënte çdogjenë me tjerët pos me të, sepse qe mëshiruar me artin e të jetuarit me gabime. Ajo kishte vendosur të ikte e poeti e ndiqte për t’i thënë: “ruaju moj se vajzat më të bukura, i vret bukuria vet…” Tani mund të japim shpirt. Poeti vdiq!

ObserverKult


Lexo edhe:

FARIZI: E PËRPARSHMJA E ÇDO FILLIMI DHE PËRTEJI I ÇDO FUNDI