Katër kryevepra të trashëgimisë sonë shpirtërore së shpejti do t’i propozohen UNESCO-s për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë kulturore botërore.
Vetëm pak javë më parë, kur Irani regjistroi në UNESCO dotarin, një vegël tradicionale të ngjashme me çiftelinë, u ringjallën debatet për regjistrimin e disa pasurive shpirtërore shqiptare, si lahuta apo çiftelia. Komunitete të interesuara akuzuan Ministrinë e Kulturës se nuk po mbron trashëgiminë tonë kulturore, të cilën po na e “rrëmbejnë” të huajt.
Sipas specialistëve të trashëgimisë kulturore, përveç faktit që veglat muzikore, ashtu si edhe këngët dhe legjendat migrojnë bashkë me mbartësit, duke u bërë pjesë e kulturave të vendeve ku ato vendosen, asgjë nuk e pengon Shqipërinë që të propozojë pranë UNESCO-s elementë të trashëgimisë së saj kulturore. Përballë këtyre akuzave, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e konsideroi jo pa rëndësi faktin që tregohet ndjeshmëri ndaj trashëgimisë kulturore.
Ndjeshmëri, së cilës në mbledhjen e fundit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale iu përgjigj jo vetëm duke shtuar listën e trashëgimisë kombëtare me të tjerë elementë, të cilët në vrullën e zhvillimit teknologjik rrezikojnë të zhduken dhe kanë nevojë për mbrojtje, por edhe me miratimin e katër “dukurive” të denja për t’u kandiduar si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Dhe bëhet fjalë për “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”; “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”; “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj, “Kcimi i Logut” etj.”; “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”. Tashmë po punohet për plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapim afatet e kandidimit.
Eposi i Kreshnikëve
Kush nuk kishte një lahutë në odë dhe nuk këndonte këngë kreshnikësh, nuk meritonte respekt. Lahuta dhe kënga ishin një kod, që nuk mund të shkelej. I tillë ishte “Eposi i Kreshnikëve”, një cikël këngësh epike heroike legjendare, që konsiderohet si një ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Sipas specialistëve të fushës, “Eposi i Kreshnikëve” është jehonë poetike disashtresore e jetës së përbashkët (shek. VI-VIII), por edhe e konflikteve disashekullore ndëretnike, pas ardhjes së sllavëve në Ballkan.
Konflikt ky, që, sipas historianit Aleks Buda, është acaruar më tej deri në shek. XIV, sidomos në shek. XIII-XIV. Epikologu gjerman M. Lambertz shprehej se këto këngë “rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth viteve 700-800”.
Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Europë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore. Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme. Mendohet se ai është i pranishëm në zonat si Malësia e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera. Përveç territorit të Shqipërisë, cikli këndohet edhe në zonat e Kosovës si Pejë, Gjakovë, Prizren, Deçan, Rahovec e të tjerë. Në qendër të këtij eposi, qëndrojnë dy vëllezërit Muji dhe Halili.
Në epos tregohen historitë e të dy vëllezërve, por edhe episode të tjera, si “Vaji i Ajkunës”, që qan të birin, Omerin. Këngët më të njohura të këtij cikli janë “Martesa e Mujit”, “Fuqia e Mujit”, “Orët e Mujit”, “Martesa e Halilit”, “Muji e tri zanat e malit”, “Halili pret Pajo Harambashin” Sipas dëshmive të mbartësve popullorë e të studiuesve, këto janë kënduar tradicionalisht e janë dëgjuar me kënaqësi e nderim të veçantë jo vetëm ndër kuvendet e gjera popullore, ndër dasma e festa të tjera apo pranë oxhakut të kullave karakteristike malësore netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës. Ja pse shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikesh, konsiderohej si “shtëpi e lanun”, që s’meriton respekt.
Fatkeqësisht, për shkak të zhvillimeve historike dhe shoqërore, interesi për “Eposin e Kreshnikëve” është i vonë. Përveç fragmentit të shkurtër që botoi Gustav Mayer më 1896 (“Albanesiche Studien” VI), mbledhja edhe botimi i këtij eposi realisht filloi në krye të shekullit XX, sidomos në vitet ’20. Ndër botimet kryesore të gjertanishme janë: “Epika legjendare”, vëllimi I dhe II (1996, 1983), “Chansonnier épique albanais” (antologji frëngjisht, 1983) “Këngë kreshnike” (Prishtinë, 1974).
Krahas botimeve me materiale faktike, filluan edhe studimet e “Eposit të Kreshnikëve”. Në fillim ato qenë kryesisht shënime të thjeshta e mbresa, që erdhën duke u thelluar e u zgjeruar disi gjatë viteve ’30, për të arritur sot nivele më të kënaqshme. Kurorëzimi i gjithë kësaj punë studimore u bë me simpoziumin “Epika heroike shqiptare”, (1983), ku morën pjesë edhe mjaft studiues të huaj dhe materialet e të cilit u botuan të plota në përmbledhësin “Çështje të folklorit shqiptar”, (1986).
Sa pompoze, aq edhe elegante, imponuese dhe femërore, me formën e një kambane, që hapet si dallgë. Xhubleta, veshja tradicionale e grave të Veriut të Shqipërisë, është një nga ato thesare që ka tërhequr jo pak vëmendjen e shqiptarëve e të huajve, por që, fatkeqësisht, për shkak të teknikave të ndërlikuara të realizimit, të lëndës së parë, por mbi të gjitha për shkak se numri i realizuesve të saj po zvogëlohet gjithnjë e më tej, rrezikon të mbetet thjesht pjesë e së shkuarës.
Ndaj edhe xhubleta, një nga veshjet më të bukura tradicionale shqiptare, do të prezantohet në UNESCO së bashku me mjeshtërinë e realizimit të saj, si një dukuri unikale artizanale, si dhe me format e përdorimit të saj nga gratë dhe vajzat. Pjesë e dosjes që po përgatitet për UNESCO do të jetë po ashtu “Kcimi i Logut”, i cili nuk mund të kuptohet pa këtë veshje tradicionale.
Veshja me xhubletë, e njohur në Malësinë e Madhe edhe me emrin “veshja malësore” për gra, paraqet njërën nga veshjet përgjithësisht më të lashta, të një tipi mesdhetar, që kaloi mijëvjeçarë për të mbijetuar deri në ditët e sotme. Sipas specialistëve, kjo veshje paraqet një trashëgimi kulturore, të mbijetuar në kulturën materialë prej Ilirëve te shqiptarët. Supozohet se është e vjetër më se 4000-vjeçare. Është një veshje e punuar nga shajaku (zhguni) në katër liq, e dekoruar me fije spiku të zi e me një formë kambane, e valëzuar, sidomos pjesa e prapme e saj.
Me gjatësinë deri nën gjunjë, ashtu e valëzuar dhe me pjesët tjera të veshjes deri te koka me rubën e mëndafshit (mnashit) me krahoca të vendosur lirshëm, trupi i malësores merr formën e një maje bjeshke të valëzuar dhe ashtu me kromatiken e saj natyrale, aq bukur ngjeshet për truallin malësor, duke krijuar kështu një qëndrim sa madhor, aq edhe krenar.
Transhumanca-Shtegtimi
Shtegtimi apo transhumanca (nga folja transumare, domethënë të kapërcesh) është një formë e kullotjes, bazuar në migrimin sezonal të njerëzve dhe bagëtive të tyre. Ky migrim i përsëritur mund të ndryshojë në distancë dhe bëhet midis rajoneve me kushte të ndryshme klimatike. Duke ndjekur shtigjet e bagëtive, blegtorët i çojnë kafshët e tyre në kullotat më të mira gjatë gjithë vitit.
Kjo siguron që bagëtitë të marrin ushqimin më të mirë të mundshëm dhe shmang shfrytëzimin e tepërt të burimeve të zonës. Transhumanca nga brigjet e Adriatikut dhe Jonit drejt brendësisë së territoreve janë itinerare shekullore, të krijuara nga popullsitë baritore të Ballkanit perëndimor për t’u larguar nga tokat e thata përgjatë bregdetit dhe nga dimrat e ashpër në kullotat alpine. Është një fenomen i praktikuar nga shumë popullsi në Mesdhe, që daton nga periudha helene. Blegtoria në Epir ishte aspekti ekonomik më i zhvilluar dhe më i organizuar.
Ky fakt konfirmohet nga autorë antikë si: Varroni, Plini, madje edhe Çezari. Që në lashtësi përmenden kullotat e apolonianëve, që ndodheshin jashtë qytetit, buzë Vjosës, kullotat rreth Butrintit. Gama e gjerë e praktikave, njohurive, aftësive, elementeve etnografike, emrat e vendeve, festivaleve, gastronomisë dhe ngjarjeve që lidhen me transhumancën, së bashku me përfitimet e saj socio-mjedisore, ka bërë që Italia, Austria dhe Greqia të propozojnë transhumancën si kandidat për listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Këto lëvizje migratore kërkojnë që blegtorët, çobanët, barinjtë, familjet, të kenë një njohuri të gjerë dhe të thellë për nevojat e kafshëve të tyre; karakteristikat e habitateve dhe klimave të ndryshme; dhe menaxhimi i qëndrueshëm i tokës dhe burimeve të tij natyrore. Transhumanca kryen shumë funksione sociale dhe mjedisore. Nga pikëpamja mjedisore, ajo formon peizazhe, ndihmon në parandalimin e zjarreve në pyje dhe krijon korridore ekologjike.
Dukuri unikale në lëmin e tipologjive të trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare e përhapur në zonën e Tropojës e më gjerë në Malësinë e Gjakovës, e pëlqyer kombëtarisht dhe më gjerë. Vetë propozimi për shpalljen e saj si “Kryevepër të trashëgimisë shpirtërore kombëtare” ka gjetur mbështetje në komunitetin e gjerë në Tropojë, mbartësve dhe artistëve popullorë, drejtuesve vendorë si dhe komunitetit shkencor në vend.
Kcimi i Bjeshkës me Tupan të Tropojës
Vallëzimi popullor tradicional tropojan, ashtu si ai në mbarë trevat shqiptare, spikat për energjinë, dinamikën, por edhe nga larmia zbukurimore e veshjes popullore, kostumit karakteristik tradicional popullor. Kcimet e moçme dardane janë praktikuar në raste dhe vende të veçanta. Këto kcime janë të lidhura ngushtë me fusha të tilla si poezinë, prozën popullore, tregimet gojore, lojërat popullore, ritet e ritualet e bjeshkës, dyluftimet në mejdan, mitet e mitologjisë, ciklin e kreshnikëve, bëmat e heronjve të legjendave etj.
Ritmika më autentike, dinamike dhe shpërthyese në kcimet tropojanedardane përjetohen dhe përcillen me tupan apo lodër ose daulle. Këto kcime tropojanë vijnë nga periudha të hershme deri në ditët tona, duke e kaluar këtë vlerë të padiskutueshme të trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare brez pas brezi.
Ky lloj kërcimi krijon dy ekstreme natyrore gjinore “lirizmin vajzëror” dhe “epizmin burrëror”, bazuar në natyrën e Alpeve Shqiptare, si shpatet e thepisura të Valbonës dhe uji kristalor i saj, duke treguar mentalitetin që karakterizon këtë zonë, temperamentin dhe të gjitha karakteristikat e tjera, të cilat lehtësisht përqasen në këtë gjini të folklorit, duke qenë si një nga komponentët kryesorë të identitetit tonë kombëtar.
Nisur nga këto vlera, Bashkia Tropojë dhe një grup pune i ngritur nga kjo bashki, me përbërje artistë, interpretë, mbartës folklori, profesorë, pedagogë etj., kanë paraqitur një propozimin në Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shpirtërore pranë Ministrisë së Kulturës për të shpallur “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës” si “Kryevepër të trashëgimisë shpirtërore kombëtare”.
Ky hap u ndërmor pas kërkesës nga ana e Bashkisë së Tropojës dhe grupit të punës ngritur nga ajo, që Dosja e Valles së Tropojës të paraqitej për shqyrtim në UNESCO, me qëllim që ajo të pranohej në listën e kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore botërore./Panorama