Gati katër muaj pasi është zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, regjisori Fatos Berisha ka njoftuar se s’mund ta pranojë këtë detyrë ndërsa ka theksuar se refuzimi vjen për arsye profesionale.
Berisha e ka njoftuar me anë të një e-maili Këshillin Drejtues të këtij institucioni i cili e kishte përzgjedhur, ashtu sikurse edhe Ministrinë e Kulturës, ku përveç që shkruan se për arsye profesionale nuk mund të shërbejë në këtë pozitë, bën me dije se për këtë do ta bëjë edhe një shkresë zyrtare, transmeton Koha.net
Këtë pritet ta bëjë (sot) e mërkurë.
Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Fisnik Ademi, ka thënë se të mërkurën do të kenë shkresën zyrtare të Berishës. Sipas tij, bëhet fjalë për mosmarrje të detyrës.
Se si do të veprojë në këtë rast Këshilli Drejtues, Ademi ka thënë se për këtë do të bisedohet në mbledhjen e së enjtes.
Realisht TKK-ja, ka mbetur pa udhëheqës artistik qysh nga 18 qershori i këtij viti kur i përfundoi mandati katërvjeçar regjisorit Agon Myftari. Me 21 qershor në këtë pozitë qe zgjedhur Berisha. Asokohe Këshilli Drejtues që e kishte vlerësuar Berishën më shumë se të gjithë kandidatët tjerë priste që ai ta “çojë Teatrin në një nivel më të lartë”.