
Nga Katharine Hepburn
Një herë, kur isha adoleshente, bashkë me tim atë po prisnim në radhë të blinim bileta për në cirk. Përpara nesh, të sporteli, kishte mbetur vetëm një familje. Kjo familje pati një ndikim të thellë tek unë.
Ishin tetë fëmijë, të gjithë nën moshën dymbëdhjetë vjeç. Rrobat e tyre, edhe pse të thjeshta, kullonin pastërti. Ata ishin një trupë e vogël, e disiplinuar, e rreshtuar në çifte pas prindërve, të kapur për dore me pafajësinë e ëmbël. Arrijë ta shihje ngazëllimin e tyre për idenë e kllounëve, kafshëve dhe mrekullitë që do të zbulonin atë mbrëmje. Kjo ishte padyshim hera e tyre e parë në cirk, një mbrëmje që do të shënonte përgjithmonë jetën e tyre të re.
Babai dhe nëna ishin në krye të grupit, të drejtë dhe krenarë. Nëna e kapi dorën e të shoqit, me sytë e saj shkëlqenin nga mirënjohja, si për të thënë: “Ti je heroi im, kalorësi me pancir”. Burri buzëqeshi, duke ndritur nga lumturia teksa shihte ngazëllimin e fëmijëve të vet.
Me të mbërritur në banak, burri me një zë plot krenari deklaroi:
— Do të doja tetë bileta për fëmijë dhe dy për të rritur.
Arkëtari njoftoi çmimin dhe papritmas atmosfera ndryshoi.
Dora e gruas rrëshqiti butësisht nga dora e tij, koka e tij u përkul dhe ai vetë humbi buzëqeshjen. Buza i dridhej pak, sikur po përpiqej të fshihte shqetësimin. Ai iu afrua dritares së biletave, në mëdyshje dhe pëshpëriti:
– Sa thatë?
Arkëtari përsëriti shumën dhe në atë moment burri kuptoi se nuk kishte para sa duhej. Si mund t’u drejtohej fëmijëve të tij, kaq shpresëplot, e t’u thoshte se nuk mund të shkonin në cirk atë mbrëmje?
Babai im, duke parë skenën, futi dorën në xhepin e tij dhe nxori një kartëmonedhë njëzet dollarëshe. Pa thënë asnjë fjalë, me maturi e lëshoi përtokë, u përkul për ta marrë dhe më pas vendosi një dorë të lehtë mbi supin e burrit:
– Më falni, zotëri, mendoj se ju ka rënë kjo.
Burri e kuptoi menjëherë. Nuk ishte një fletushkë, por një gjest dinjiteti, ndihmë e matur në një moment shqetësimi. Sytë e tij u mbushën me lot. Ai e kapi dorën e babait tim, e shtrëngoi fort kartmonedhën dhe, me një zë që dridhej, pëshpëriti:
— Faleminderit, zotëri. Faleminderit shumë. Kjo do të thotë shumë për mua dhe familjen time.
Unë dhe babai im u kthyem në makinë. Nuk kishim më para për të blerë biletat tona, por kjo sakrificë nuk kishte rëndësi. U kthyem në shtëpi, zemrat tona të mbushura me gëzim të thellë, shumë më të madh se ai që mund të kishte ofruar shfaqja e cirkut.
Atë ditë mora një mësim të paharrueshëm: madhështia e vërtetë qëndron në aktin e dhënies.
Dhënësi është gjithmonë më i madh se marrësi. Nëse doni të jeni vërtet të mëdhenj, më të mëdhenj se jeta, mësoni të jepni. Dashuria nuk matet me atë që shpresoni të merrni, por me atë që jeni gati të ofroni, të jepni gjithçka.
Fuqia për të dhënë, për të bekuar të tjerët është e paçmueshme. Ka një gëzim të pashprehur në aktin për të bërë dikë të lumtur, në këto gjeste të thjeshta që ndriçojnë një jetë. Mësoni të jepni, pa pritur.
Nga muri i Agron Tufa
ObserverKult
Lexo edhe:
LETRA E KATHARINE HEPBURN PËR SPENCER TRACY: A JE I LUMTUR, MË NË FUND?