“Ke stasam kako smrtta”, poezitë e Donika Dabishevcit flasin në maqedonishte

donika dabishevci rezna

Poezitë e poetes dhe studiueses Donika Dabishevci tashmë flasin edhe në gjuhën maqedonase. Kjo falë Shtëpisë Botuese Rezna, në krye me Hashim Baftiarin, në përkujdesjen e së cilës libri “Kam me ardhë si deka”, e Dabishevcit është botuar në Maqedoni.

“Ke stasam kako smrtta” titullohet libri i përkthyer nga shkrimtari dhe studiuesi Ahmet Selmani, i cili po ashtu ka dhënë edhe një mendim kritik e analitik në parathënien e librit.

Redaktore e librit është Marta Markoska, lektore Liljana Pandeva, ndërsa për dizajnin është përkujdesur Arbër Murturi.

EROSI I GJËMSHËM

Nga Ahmet Selmani

(Parathënia e librit)

ahmet selmani

a) Shtabuizimi i moralizmit

Për letërsinë shqiptare, me disa përjashtime tepër të vogla, mund të thuhet se në përgjithësi ka qenë një letërsi kryekëput moraliste, sidomos ajo që u krijua gjatë periudhës së ashtuquajtur socrealiste, kur pikërisht kjo frymë ishte mbizotëruese, si pjesë e platformës ideologjike të luftës kundër degjenerimit të rinisë dhe popullit. Në këtë mënyrë, krahas mendësisë kanunore të trashëguar prej kohësh, në njërën anë, edhe letërsia si e tillë, në anën tjetër, u bë ndihmëse në krijimin e këtij miti i cili fatkeqësisht ende vazhdon të mbetet si një tabu pothuajse e paprekur. Por, meqë tani ajo synon të hapet gjithnjë e më tepër për sa i përket trajtimit të temave dhe motive të ndryshme, sidomos ndaj atyre që janë me karakter personal e intim, vetvetiu shtrohet si një nevojë e domosdoshme për ta kapërcyer këtë rreth të tkurrur e të mbyllur, ose për ta shtabuizuar rrënjësisht këtë sferë tematike të ndaluar për arsye jashtëletrare.

Pikërisht në këtë kontekst e shohim edhe paraqitjen e poeteshës Donika Dabishevci me librin e saj “Kam me ardhë si deka”, ku mbase shfaqet me një tendencë të fuqishme shtabuizuese, në radhë të parë duke e dëshmuar individualitetin e veçantë krijues, por njëherësh edhe duke e zhbllokuar dukshëm letërsinë shqiptare nga ky mit i ngurtë e kokëfortë, thjesht për ta bërë atë si një letërsi të lirë në kuptimin e plotë të fjalës, e cila tanimë mëton të kërkojë dhe hulumtojë botën shpirtërore të njeriut në të gjitha sferat e mundshme. Pra, krijimtaria poetike e kësaj autoreje në këtë aspekt vjen si një çmitizim tematik e motivor, ose si një dekonstruksion, siç do ta quante Zh. Derida. Dhe gjithë këtë e bën me frymën e saj thellësisht lirike dhe personale duke prekur në thelb atë çështje e cila ende konsiderohet e turpshme dhe amorale. Thjesht, ajo jeton kryekëput vetëm për dashurinë si ndjenjë dhe si përjetim.

E gjithë kjo vjen vetvetiu, spontanisht, natyrshëm, lirshëm, gati si një shtysë hyjnore nga lart. Fundja, edhe në Bibël thuhen këto fjalë të hyjit: Ky është urdhri im: Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju dua unë! Diçka e ngjashme shkrep edhe në qenien e saj dhe zbret në këtë makrotemë poetike për të shprehur dashurinë e vet deri në marrëzi.

  1. b) Togfjalëshi i betimit

Poezia e Donika Dabishevcit shpallet në mënyrë paralajmëruese nëpërmjet togfjalëshit “Kam me ardhë si deka”, të cilin e hasim që nga titulli i këtij libri, për t’u shndërruar pastaj në një kumt determinues dhe futurologjik. Dhe nga ky aspekt mund të nënkuptohet fare qartë se kemi të bëjmë me një qëndrim të prerë dhe absolut, i cili shpërthen vrullshëm nga një qenie e trazuar në shpirt, e cila megjithatë udhëhiqet nga një bindje e thellë dhe nga një vendosmëri e paparë. Kjo na e kujton Pablo Nerudën i cili thotë se dashuria është e fortë si vdekja. Në fakt, aty bashkohet ndjenja dhe arsyeja, lufta dhe vizioni, dëshira dhe realiteti.

E gjithë kjo lëvizje bëhet në emër të dashurisë së flaktë dhe të pastër; për ta rrënuar mitin moralist dhe për ta ndërtuar realitetin lakuriq. Megjithëse vetë dashuria në thelb është një koncept me kuptim të butë, ose një antipod i vetëkuptueshëm që e sfidon pothuajse çdo përfytyrim të mundshëm ndaj vdekjes, autorja e zgjedh pikërisht këtë formë të gjëmshme për ta dëshmuar sesa e lartë është kjo ndjenjë brenda qenies së saj. Pra, zotohet fare troç se do të vijë si deka, e cila është e pashmangshme, vetëm për një qëllim të caktuar, pra për dashurinë si vizion personal. Në të vërtetë, ky kumt shëmbëllen si një eros i gjëmshëm; i bukur dhe i frikshëm njëkohësisht. Prandaj, një përcaktim kaq të lartë që e hasim brenda poezisë së D. Dabishevcit, s’besoj që mund të gjendet ndokund tjetër. Meqë ky togfjalësh poetik ngërthen semantikën e betimit paraprak, atëherë gjithsesi na bën kureshtarë të shohim se cila është ecuria e saj drejt kësaj sakrifice në emër të dashurisë.

  1. b) Uni/ dashuria/ erosi

Vëllimi poetik “Kam me ardhë si deka” i D. Dabishevcit na shpie në një rrafsh të zgjedhur motivor i cili mund të perceptohet si një trini e përbërë nga uni (femëror), dashuria (ndenja) dhe erosi (epshi). Kjo do të thotë se qasja është kryekëput vetanake dhe intime, gati si një lloj ditari lirik për dashurinë personale. E gjithë kjo kundrohet nga aspekti psikologjik, filozofik dhe poetik, duke e shpalosur sipas një shkallëzimi të vazhdueshëm përplot drithërima e shkundullima të fuqishme. E gjithë forca e kësaj dashurie identifikohet nëpërmjet subjektit femëror që i flet të dashurit (burrit), duke ia shpalosur vrullshëm të gjitha shqetësimet dhe trazimet që i sillen vërdallë brenda shpirtit, duke ia treguar dëshirat e zjarrta erotike, por edhe vizionin filozofik për dashurinë në kuptimin e plotë kozmogonik.

Mbi të gjitha, në këtë rast mund të kuptohet teksa del në shesh uni i veçantë femëror teksa thotë “diellore jam unë”, për ta manifestuar atë në shumë situata e rrethana. Pohimi  këtillë është antitezë e fuqishme (s’jam nemë e zezë), me çka e hap rrugën e mëtejme për ta shpalosur tërë botëkuptimin determinues ndaj dashurisë me të cilin udhëhiqet vazhdimisht.

Duke u ndodhur ballë për ballë me të dashurin, krahas shqiptimit aq të theksuar të unit femëror, ajo gradualisht e radikalizon edhe poetik, duke shprehur haptas preokupimin dhe dëshirën shpirtërore, gjithnjë duke e qortuar dhe duke u përpjekur ta ndërgjegjësojë me një sinqeritet të jashtëzakonshëm. E gjithë kjo madje arrin edhe deri në shkallën e një kërcënimi apo gjykimi të prerë:

N’fushëbetejë shtratin kam me e kthy
n’llavë ke me u zhba e kam me t’përpi
si kulçedër zjerm kam me lshu
ti ke me kanë njeri veç mrena n’mu
e jashtë s’ke me metë gja
as ti as qenja jote

Në këtë mënyrë autorja i zhvesh të gjitha moralizimet e mundshme dhe përcakton qartë rolin e vet parësor e natyror, unin njerëzor dhe femëror, që si e si ta zbulojë forcën e madhe shpirtërore me të cilën vepron, krenarinë personale në kuptimin e vërtetë feminist. Barazinë gjinore ajo nuk e kërkon me parulla verbale e të thata, por me përcaktime shumë të prera substanciale:

Ti ke me kanë unë
e unë kam me shndritë veç me ty mrena

Pra, sido që ta shohim këtë çështje, do të bindemi se uni i saj ka kuptim vetëm me të dashurin pranë; nuk ka asnjë frikë, nuk ushqen asnjë kompleks, nuk turpërohet, nuk zmbrapset. Kjo është simbiozë shpirtërore dhe fizike të cilën autorja e rishfaq edhe më tej duke i përcaktuar qartë thirrjet e saj që kanë të bëjnë me këtë. Çdokund është ngulmuese me filozofinë e vet rebeluese e erotike, e kërkon gjithmonë atë që e ndien dhe e dëshiron që ta ketë me të dashurin:

Mos u tkurr,
Shpërthe si vrushkull gjaku!
Shndritma zemrën,
Përflakma trupin.

Pa dyshim, kjo është një kërkesë me tone shumë qortuese e cila shpërthen nga thellësitë e brendshme, nga vetëdija e zgjuar për dashurinë. Thjesht, ajo ndihet e etur për këtë gjë, ndaj nuk ngurron ta thotë me një zë skajshmërisht të çiltër:

Shihmi buztë qysh m’janë shkrumbue
Unë lypi shpagim për tanë këtë etje

S’do mend, kundruall të dashurit ajo përherë qëndron e gatshme me qenien shpirtërore dhe fizike, madje gjithmonë duke u zotuar me qëndrimin e vet kërcënues: me shfry n’ty, me t’përcëllue, me t’fshikullue, me t’thy, me t’çky, me t’urrejt, duhet me t’vra, kam me t’kryqzu, kam me t’mbytë etj., por njëherëzi edhe me frymën e pastër dashurore: me t’dashtë, me u shkri, me vlu, me shpërthy, me t’dhanë frymë, me t’dhanë shpirt, me t’dhanë jetë etj. E gjithë kjo flet për një vendosmëri të jashtëzakonshme e cila e shpie atë drejt një gatishmërie vetëflijuese. Në një mënyrë kjo na e kujton se dashuria është dënim, siç shprehet M. Jursenar. Dhe si rezultat i kësaj, ajo thotë:

Hi n’gjak – marr hak
E se la pa e ba

Këtë e artikulon në emër të dashurisë së zjarrtë, për të cilën ajo është në gjendje të bëjë çmos derisa ta realizojë ashtu siç e mendon dhe përfytyron në vetvete. Dhe këtë e identifikon vetëm nëpërmjet të dashurit i cili mbase është kult, zot dhe totem i saj. Duke u nisur nga kjo, këndej ajo shprehet jo më kot me një ndjeshmëri të pashoqe :

Zoti jem,
Ti m’ban me e dashtë emrin burrë

Në këtë rrafsh duket se ajo nuk i përulet askujt në botën e saj erotike, thjesht jeton vetëm me lirinë e saj femërore, me forcën e madhe të dashurisë, me ndërgjegje absolute e cila është ngulitur thellë në kokën e saj. Në të vërtetë, sipas asaj që vërehet, këtu thjesht ka vetëm një gjë që i përulet pa drojë:

T’vetmin pushtet që njoh
Është trupi yt

Pra, vetëm në këtë kontekst është e gatshme të epet deri në fund, me tërë qenien e vet (shpirtin dhe trupin). Për këtë arsye, ajo nuk ngurron të lutet në këtë formë:

Merrmë
Prekmë
Dujëm
Çmendëm
Hi aty – ku veç ti di me hi
Banm’ me u n’ie gru

Ose edhe në shumë raste të tjera kur zjarri erotik arrin kulmin e vet. Prandaj nuk hamendet fare për ta shpalosur dëshirën e shtrenjtë duke thënë:

Le t’fiken yjzit nji për nji
Kalle zjerrm trupin tem
Mos kij mëshirë,
Po du me u ba hi.

Kështu arrin ta krijojë gjithë semantikën poetike të unit femëror, ndjenjës dhe erosit si një dielaktikë e ngushtë jetësore e cila reflektohet fuqishëm në vizionin artistik të Donika Dabishevcit.

  1. c) Perceptimi i gjuhës

Libri poetik “Kam me ardhë si deka” i D. Dabishevcit është një strukturë gjuhësore e veçantë për faktin se na bën ta perceptojmë jo vetëm si identitet folësor e shkrimor, por edhe si mikrostrukturë e mirëfilltë poetike. Meqë shkruan kryekëput në gegnishten e Kosovës, vetvetiu dëshmohet edhe identiteti gjuhësor i autores e cila nuk zhvendoset nga rrafshi gjeografik dhe autokton, ose nga logocentrizmi i saj, nëse mund të themi, por aq më tepër e thekson atë me një zell të jashtëzakonshëm krijues.

Duke shkruar për erosin dhe dashurinë, ajo ndihet më e sigurt dhe më e natyrshme kur thotë “t’lakmoj n’gegnishte”. Kështu mbase ia del ta ndërtojë përplot elegancë edhe mikrostrukturën poetike e cila ngërthen shprehje fjalësore dhe frazeologjike të cilat janë tipike kosovare, qoftë me shprehjet grishëse, qoftë me ato mallkuese, me çka vargut të saj i jep një bukuri të rrallë estetike dhe forcë të veçantë semantike. Me anë të këtij ligjërimi gjuhësor ajo del në syprinë me gjithë qenien e vet krijuese duke dëshmuar katërçipërisht se brenda poezisë mund ta rikrijojë gjuhën e mjedisit të saj, ta rikuptimësojë në aspektin poetik dhe t’i japë perceptim më të gjerë.

Kështu, kur e hasim që në titull shprehjen frazeologjike “Kam me ardhë si deka” vetvetiu e kuptojmë se ajo përdor kodin e saj semantik për ta shprehur fuqinë e dashurisë që ndjen në çdo moment. Përkapja e këtillë na orienton drejt shtresave e nënshtresave poetike të cilat janë të shumta te kjo autore. Pa dyshim, e gjithë kjo na bën ta përjetojmë fare natyrshëm këtë libër poetik i cili vjen nga një mjedis etnik ku zëri individual i autores është mishërim artistik i një tërësie kolektive, e cila ka shumë ndjeshmëri dhe shqetësim për realitetin e brendshëm të njeriut.

E gjithë kjo na bën të mendojmë se Donika Dabishevci mbetet zë i veçantë lirik në poezinë e sotme shqiptare, duke e ngritur atë në nivelin e lartë artistik, me çka arrin ta prekë lexuesin, t’i dhurojë atij shpirt, t’i ngjallë vizion të qartë, ta këndellë për dashurinë në kuptimin më real.


edeni kam me ardhë si deka
Botimi i parë i librit “Kam me ardhë si deka”, OM, Prishtinë, 2015

Libri “Kam me ardhë si deka” i Donika Dabishevcit, u botua për herë të parë në vitin 2015 nga Shtëpia Botuese OM, në Prishtinë, ndërsa ka pasur vlerësime të shumta nga kritika dhe lexuesit. Në vitin 2023 u ribotua nga Shtëpia Botuese Littera.

donika dabishevci çika jem kam me ardhe si deka donika dabishevci

Para maqedonishtes, ky libër është përkthyer në gjuhën italiane nga Gëzim Hajdari i cili ka shkruar edhe parathënien, dhe është botuar nga Shtëpia Botuese Essemble në kuadër të kolanës Alter Poesia. “La tua Robinja”, titullohet libri botuar në Romë.

I njëjti libër së shpejti do të botohet edhe në esperanto, nga Shtëpia Botuese Kava Pech në Çeki, në përkthim të esperantistit të njohur shqiptar, Bardhyl Selimi dhe në kujdes të botuesit Petr Chrdl.

Poezi nga ky libër, kryesisht në formë ciklesh tashmë janë përkthyer në 11 gjuhë. Ato flasin në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, esperanto dhe janë botuar në antologji apo revista letrare të vendeve përkatëse.

m'dhimbesh donika dabishevci a m'do edeni duhemi prishtina, S’t’i ndjeu kush andrrat e t'gjithë n'vrap me marrë jetë prej teje! Me u katrithë, me u përmbushë e me u ngi frymë n’ty.

Donika Dabishevci është  poete, studiuese, dr. në letërsi, kryeredaktore e Portalit për Kulturë ObserverKult, Shtëpisë Botuese Littera dhe themeluese e Festivalit Poetik të Prishtinës.

Ka botuar librat: ‘Krizantema të plasura’ (1996); “Imazhe të brishta” (2004);
“Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015); “Kam me ardhë si deka” (2015) ; “La tua robinja” Romë, (2017); “Dashnisë së nji nate”  2020
, “Ke stasam kako smrtta” (2023)

Me poezitë e saj është prezantuar në festivale vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa me punimet e saj shkencore në një numër të madh konferencash e seminaresh që kanë të bëjnë me fushën e Albanologjisë dhe Medias.

ObserverKult

Lexo edhe:


EROS E THANATOS NË POEZITË E DONIKA DABIS
HEVCIT

RIBOTOHET LIBRI “KAM ME ARDHË SI DEKA” I POETES DONIKA DABISHEVCI

DONIKA DABISHEVCI: POEZIA ËSHTË MJET ME I LUFTU TË PAPËRBALLUESHMET, ELIKSIR ME I PËRBALLU TË PASHMANGSHMET