Muzikanti i mirënjohur shqiptar në Greqi, Dasho Kurti, befason sërish. Në 15 shtator shoqëron këngëtaren e njohur greke Glikeria, në një koncert surprizë në amfiteatrin e Liqenit në Tiranë.
Si gjithmonë, me tone të ulta, modesti e shumë energji pozitive, Kurti ofron një tjetër bashkëpunim gjigand në shërbim të promovimit të paqes, harmonisë e miqësisë që lidh dy popujt tanë.
Në një bisedë për “DiasporaShqiptare.al” ai zbulon pak nga përpjekjet për koncertin, që ishte jo vetëm surpriza e radhës, por edhe një ëndërr shumëvjeçare që bëhet realitet në një kohë shumë të vështirë.
– Dasho Kurti, në kohë pandemie udhëtoni me të madhen Glikeria drejt Tiranës…
– Po, për mua mund të them se ishte një ëndërr që bëhet realitet. E kisha merak që kur bashkëpunoja me Jorgos Dalaras dhe me ndihmën e institucioneve përkatëse greke e shqiptare arritëm të shfaqim për publikun muzikdashës shqiptar atë koncert aq mbresëlënës. Atëherë mendoja sa mirë do ishte të këndonin të gjithë emrat e mëdhenj të pentagramit grek njëzëri me publikun shqiptar. Muzika vetëm bashkon, sjell mirësi, harmoni.
– Megjithëse bashkëpunon prej shumë vitesh me këngëtaren Glikeria kjo është hera e parë që e sjell në atdheun tënd?
– E vërtet, do të jetë hera e parë që do ngjitemi në skenë shqiptare së bashku. Ndjej shumë sadisfaksion dhe kam emocione të mëdha. Po ashtu kemi dhe shumë surpriza për publikun shqiptar.
– Si u realizua kjo ide?
– Mendoj se një rol të rëndësishëm luajti dhe fakti që këndoi shqip në programin televiziv të “Mega Channel”.
LEXO EDHE: Ikona e muzikës greke këndon në shqip “25 gërshetat” (Video)