Libri më i ri i autorit Imer Topanica, “Këpucët e vdekjes”, botuar nga Shtëpia Botuese Littera tashmë gjendet në librari.
Disa fjalë për librin
Ndryshoret e kësaj përmbledhjeje shkapërcejnë thjesht tematikat e vendngjarjet nga një tregim në tjetrin, për me viju te zhanret, stilet, madje vetë varietetet gjuhësore që vë në punë autori, duke lënë mbresën e krijimeve të nxjerra prej duarsh të ndryshme.
E ndërsa lëvizim nga Sarajeva në Prishtinë, nga Podujeva e pasluftës te Konstantinopoja në ditën e madhe të hapjes, e më tej në Galipolin e periudhës së Perandorisë, lexojmë tregime historike, satirë, vinjetë, një përrallë, rrëfimtari me ndërfutje të prozës poetike, madje kapërthurje të vetë prozës me poezinë. E, prej llojshmërisë së ofruar, ajo e ndjesive të përftuara nuk mbetet më pak e larme.
Si edhe në krijimtarinë e mëparshme, autori përdor një dorë të sigurt me të dy varietetet letrare të traditës, çka kanë bë dhe bëjnë edhe të tjerë, por ajo që e spikat te kjo përmbledhje është se me të njëjtën siguri ndoron edhe një të tretë varietet, atë të ngjizjes së dy të parëve, me çka kësaj epoke të ndërveprimeve mbarëshqiptare i vjen si i pari lajmëtar në letërsi.
Përmbledhja me tregime “Këpucët e vdekjes” sheh botimin mbas dy vëllimeve me poezi dhe dy romaneve të Imer Topanicës.
Fragment nga tregimi “Vdekja e nji artisti”
Tetë orë ma vonë, kur qiellit të braktisun yjsh mbramja e kish shtrue sofrën e zezë për vejushën hanë, kambët e lodhuna më çojnë risht kah libraria. Hetoj shikimin zemërak e të lodhun të shitësit flokëbardhë tek më zhbiron. Nuk guxoj me kthye krye. Faqe librarisë ndodhet nji shitore ushqimore e cila më pret me po aq ftohtësi sa më priti mbramja. Blej bukë e cikërrime tjera dhe sapo bahem gati me i pague, zani i arkëtarit më tingëllon i
njohun fort. Çoj kryet dhe shikoj: piktori e poeti Kalemi, miku jem ma i mirë të cilin kam vite pa e takue.
– Po ti?
– Eh… – buzëqesh trishtueshëm. Të vetmen përmbledhje me poezi, që kish pa dritën e botimit vite ma parë, ia patëm sponsorue ne, miqtë e vet. Me pikturë qe nda edhe ma keq.
– A po shkruen?
Rrudhi krahët. Deshta me e ngushëllue po s’gjeta forcë. U kapëm ngryk. Dola. Bana do hapa dhe u ktheva te libraria.
– E due këtë përmbledhje! –me gisht kah nji raft i naltë tregova nji kopje të librit me poezi të mikut tem. Plaku, mbi të cilin ende hetohej i shqetë njai tis idhnimi, u zgjatue
dhe kapi me mollëza gishtash përmbledhjen në fjalë.
– E kam lexue, asht i hatashëm. S’e di a ka shkruejtë libra tjerë ky autor?
– Jo! – ia prita ftohtë.
– Si jo? E njeh a?
– Të siguroj që s’ka shkruejtë kurrgja ma!
– E pse?
– Se ky artist ka ndërrue jetë tashma.
– Ka vdekë?
– E kanë vra.
Mimika iu shpërndërrue prej zemërimit në huti, e nji varg pyetjesh bahet se kishin me m’u gjuejtë mbi shpinë, të mos dilja shpejt me e lypë pikëllimin, mikun tem besnik.
Biografia e autorit
Imer Topanica kësaj radhe na vjen si prozator. Libri “Këpucët e vdekjes” është përmbledhje tregimesh që e shpie lexuesin nga Sarajeva në Prishtinë, nga Podujeva e pasluftës te Konstantinopoja në ditën e madhe të hapjes, e më tej në Galipolin e periudhës së Perandorisë.
Redaktor i librit është Gazmend Bërlajolli ndërsa për ballinën dhe dizajnin është kujdesur Fahredin Spahija.
Imer Topanica (1983), është autor i librave: UDHËTARËT (roman), Princi, Tiranë 2013; TUFË DRITE (poezi), Rrokullija, Prishtinë 2014; SHËNIME TË PAMJAFTUESHME (poezi), Armagedoni, Prishtinë 2019; LAVDI MARRËZIVE (roman), Muza, Prishtinë 2020.
Poezi, tregime e vështrime kritike i janë botuar në revista letrare në Prishtinë e Tiranë, si: ObserverKult, Jeta e re, Illz, Akademia, Verbi, Koha Ditore, Zëri etj.
Një pjesë e veprimtarisë së tij flet tashmë edhe në anglisht, turqisht e serbokroatisht.
Për një kohë të gjatë ai e ka ushtruar edhe zejen e gazetarit dhe redaktorit në shumë media, ndërsa aktualisht mban pozitën e kryeredaktorit në gazetën online «Fol Drejt».
«KËPUCËT E VDEKJES”, është vepra e pestë e tij të cilën po ia dhuron lexuesit. Këtë projekt e përmbylli përgjatë qëndrimit njëmujor në rezidencën për shkrimtar në Stamboll, në kuadër të programit për mysafirët artistë nga pesë vende, përkatësisht: Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor – READ.
_______________
Redaktor i librit është Gazmend Bërlajolli ndërsa për ballinën dhe dizajnin është kujdesur Fahredin Spahija.
Librin mund ta gjeni tashmë nëpër librari dhe po ashtu edhe ta porosisni online.
ObserverKult
lexo edhe:
“KËPUCËT E VDEKJES” I IMER TOPANICËS, SË SHPEJTI NË DUAR TË LEXUESVE
“LITTERA” BOTON: BELLIZIN, TOPANICËN, EMININ, MALIQIN, ADEMIN DHE DABISHEVCIN