Në Kosovë protestat kohët e fundit janë bërë të shpeshta. Ato po përdoren për të shprehur pakënaqësitë, megjithatë rezultatet nuk po vërehen krejt kjo si pasojë e mosdakordimit të Qeverisë me sindikatat.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSPK), Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), po kërkojnë nga Qeveria të dialogojë me to, pasi që ata vlerësojnë se bashkëpunimi ndihmon në hartimin e ligjeve e zgjidhjen e problemeve.
Atdhe Hykolli, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ekzekutivi duhet t’i hap dyert karshi sindikatave, derisa ka paralajmëruar edhe veprime sindikale.
“Sindikatat deri tash janë solidarizua me Covidin, edhe tash ka ardhur fundi dhe Qeveria duhet t’i hap dyert që të bën dialog me sindikatat, që mos të kalojnë në veprime sindikale, dhe ne jemi duke e parë situatën dhe ndoshta do të veprojmë në formë sindikale”.
Ai bashkëpunimin sindikatë-Qeveri po e sheh të rëndësishme, pasi që sipas Hykollit, sindikatat janë aset i rëndësishëm për shtetin.
“Qeveria duhet patjetër të bëjë dialog me sindikatat, sindikatat janë aset shumë i rëndësishëm i shtetit dhe mund të ju ndihmojë shumë qeverisë në punën e tyre për Ligjet, por edhe për formën e punës”.
Por, kryeministri nuk po i qëndron premtimeve të tij që i kishte dhënë para se të vinte në krye të ekzekutivit, thotë kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Azemi në një prononcim për EO, thotë se nuk kanë pritur që Qeveria të jetë kaq barikaduese kundrejt tyre, derisa pohon se qysh nga java e ardhshme do të fillojnë me greva e protesta nëpër spitale e QKMF.
“Ne jemi shumë aktiv në kërkesat për takime, e jona është që t’i kryejmë obligimet tona, ne po flasim për punëtorët e sektorit privat, sepse do ta presim edhe të dielën dhe pas të dielës për shkak që kemi zgjedhjet, jemi të organizuar dhe do të pasojmë me protesta dhe me greva. Ne mendojmë që ndoshta qysh javën e ardhshme do të fillojmë me greva nëpër spitalet, ambulancat pasi që qeveria e Kosovës nuk po e përmbush një premtim. Është një gjendje shumë e rëndë, pasi që nuk e kam pritur se kjo qeveri do të jetë kaq barikaduese ndaj punëtorëve të sektorit privat, megjithatë është në nderin e saj”.
“Ne mund ta kuptojmë se shpeshherë nuk mund të jemi në nivelin e duhur, por mos ulja në zgjidhjen e problemi po të bën me dije nga këndi im se Qeveria e Kosovës, ka marr vendim që mos t’i trajtojë asnjë problem”.
“Ne jemi takuar disa herë me kryeministrin para se të vijë në kryeministri dhe premtimet e tij kanë qenë se prioritet do të jetë bashkëpunimi me sindikatat dhe këtë ai nuk po e bënë”.
I pari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se nëse Qeveria vazhdon me këtë sjellje, atëherë do të kthehet greva tri javore në arsim.
“Qeveria duhet të ndërroj qasje ndaj sindikatave, ngase ne jemi në bashkëpunim me ta dhe po mundohemi që mos të ketë protesta masive për hir të situatës. Unë jam i sigurt, që nëse vazhdohet kështu me barikadimin e Qeverisë, me mos takimet me sindikatat, sidomos rreth Ligjit për Paga dhe çështjeve të tjera atëherë unë kam frikë, se në arsim do të kthehet ajo greva tri javore, dhe ne këtë nuk e dëshirojmë”.
“Pra për t’i ikur të gjitha mundësive të këqija, Qeveria duhet të ulet me sindikatat dhe shohë se cili është fati i Ligjit të Pagave, dhe nëse ka edhe kërkesa të tjera buxhetore ne i kuptojmë, pra ikja nga dialogu me ne e ka krijuar këtë situatë e cila rëndohet, dhe protestat e tilla mund të jenë edhe më masive, por e keqja më e madhe se protestat është nëse sistemi shëndetësorë apo arsimor, bllokohet në tërësi nga grevat e mundshme”.
Mirëpo, Jasharaj po vlerëson lartë bashkëpunimin me ministrinë e Arsimit.
“Kam biseduar me sindikatat e tjera dhe unë po flas vetëm për SBAShK, dhe i kemi dërguar shumë letra kryeministrit, e ministrit Murati, mirëpo asnjëherë nuk kemi marr përgjigje pozitive, por me Ministrinë e Arsimit i kemi bashkëpunimin e sinqertë mirëpo nuk ka kapacitete buxhetore që të realizojë kërkesat tona”.
Shqetësuese qasjen e Qeverisë ndaj sindikatave po e sheh, Ali Gashi, i cili është kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës (SPAK).
Ai tha se Qeveria po sillet, sikur të ishin kundërshtar dhe jo partnerë siç ndodh në shumë vende. Me urgjencë ai po e sheh miratimin e Ligjit për Paga, e që siç thotë me këtë do të përfundonte padrejtësia.
“Kjo është për të ardhur keq, pas që siç e dini edhe ju se kjo qeveri ka ardhur me premtimin për ndryshim, por që ndryshimi nuk shihet. Pakënaqësia sindikale është në rritje duke marr parasysh edhe fenomenin e fundit që kemi të bëjmë me rritjen enorme të çmimeve. Qëllimi jonë është që të avancohet çështja e legjislacionit që ka të bëjë me të punësuarit në Kosovë. Ligji i pagave nuk i rregullon çështjet individuale por e rregullon komplet spektrin e të punësuarve, në nivel të Kosovës dhe përfundon padrejtësia që deri tash ka ndodhur dhe ne nuk jemi duke lypur lëmosh, por jemi duke lypur ligj”, tha ai.
“Ne nuk jemi kundërshtar, por jemi partnerë social të Qeverisë dhe kjo është fillimi dhe në rast se nuk reflekton qeveria atëherë do të fillojmë me i implementuar masat e tjera sindikale. Unë nuk mund ta kuptojë qëndrimin e qeverisë, dhe mbyllja e qeverisë në raport me sindikatat është shqetësim pasi që sindikatat në krejt botën janë partnerë të qeverive”.
LEXO EDHE: SBASHK-U MERR VENDIM: ME 4 DHJETOR DO TË KETË PROTESTË