Të gjithë lexuesit tanë, adhurues të kinemasë, i ftojmë të kenë guximin, për të parë filmat e mëposhtëm: horror!
Jo vetëm kaq, ngjarjet mbi të cilat bazohet drama, janë ndodhi të vërteta… Ju, thjesht, keni fatin t’i shihni si fantazi… por, në fakt, ato kanë ndodhur në realitet.
Po veçojmë, titujt si më poshtë:
The Zodiac Killer (2007)
“The Zodiac Killer” terrorizoi gjithë botën, pasi vrau disa vetë në Kaliforninë e Veriut, në vitet ’60 dhe ’70. Madje, u dërgonte mesazhe të kriptuara policisë dhe medieve, për t’i tallur. Ky film triller, tregon historinë e një hetuesi që përpiqet të gjejë fajtorin. Krimet janë ende të pazgjidhura, sot e kësaj dite.
The Exorcism of Emily Rose (2005)
Filmi është bazuar në historinë e vërtetë të Anneliese Michel, që vdiq rreth viteve ’70. Michel pësoi një krizë kur ishte 16 vjeçe, që i shkaktoi epilepsi në lobin temporal. Për shumë vite, ajo dëgjonte zëra dhe vuante nga depresioni. Mjekimet nuk patën asnjë efekt. Në këtë moment, familja e saj u bind se Michel ishte pushtuar nga një demon. Prindrit thirrën disa priftërinj, të cilët, patën 67 seanca eksorcizmi gjatë 10 muajve. Michel vdiq dhe prindrit me priftërinjtë u akuzuan për vrasje, si pasojë e neglizhencës.
The Possession (2012)
Ka pa fund, legjenda dhe histori me kutitë ‘dybbuk’, që thuhet se kanë shpirtra. Në vitin 2001, Kevin Mannis bleu një kuti të këtillë dhe filluan t’i ndodhnin gjëra vërtet të pashpjegueshme. Ato ndodhi, frymëzuan filmin “The Possession.”
The Conjuring (2013)
Në vitin 1971, një familje me pesë vajza u shpërngul në një shtëpi të vjetër në Rhode Island. Në shtëpi fillojnë të ndodhin gjëra të çuditshme, takime me fantazma, madje dhe një pushtim. Për nëntë vjet, familja vuajti nga këto fuqi të mbinatyrshme që ngjallën interes te dy hetuesit e ndodhive paranormale, Ed dhe Lorraine Warren, me të cilët, nis filmi. Në fakt, vetë Lorraine Warren, shërbeu si konsulente në film, ndaj ky film është jo vetëm i tmerrshëm, por edhe i vërtetë.
The Exorcist (1973)
Në vitet 1940, Roland Doe, një 14-vjeçar, u pushtua nga një shpirt. I shfaqeshin gërvishtje kthetrash në trup dhe objekte lëviznin pa u prekur në dhomën ku qëndronte ai. Ai dhe familja e tij tentuan të shpërnguleshin, por forcat e mbinatyrshme i ndoqën. Këto ndodhi u dokumentuan nga një prift. Mbi Rolandin u performuan dhjetëra eksorcizme, prej nga u frymëzua romani që më pas, solli filmin me të njëjtin titull./konica.al