Shfaqja teatrore “Antigona” vjen këtë fundjavë në skenë te “ArTurbina” për publikun. Mbrëmjet e së shtunës dhe të dielës, “Antigona” vjen me gjithë fuqinë që një tragjedi, e sjellë në kohët moderne mund të ketë. Lufta për pushtet, revolta ndaj tiranit, dashuria të gjitha ngjyrat që një shfaqje mund t’ju falë.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell në fundjavë për publikun veprën, që është shkruar nga Jean Anouilh, përkthyer nga Ekrem Basha dhe me regji nga Andrea Brusque. Antigona në skenë është me interpretim nga Laura Nezhës, rol që i ka dhënë një tjetër sukses aktores. Për të vijuar dhe me aktorë të tjerë në role si; Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu, Adriana Tolka, Endri Çela dhe Klejdi Metaj.
Te “Antigona” me interpretimin e aktores Laura Nezha, është historia e një vajze të re që thotë jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon dhe kjo liri e të shprehurit do t’i kushtojë jetën. Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët. Me një tjetër vepër teatrore të suksesshme, aktorja Laura Nezha për këtë rol është shprehur, se është me fat që interpreton Antigonën.“Antigona” e Jean Anouilh është një përshtatje e tragjedisë së Sofokliut me të njëjtin titull. E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të Antigonës, Polinikut.
Gjithashtu vepra u interpretua si përfaqësuese e luftës e lëvizjes së Rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi gjatë kulmit të pushtimit nazist. Varianti i Anouilh i “Antigonës” prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse, jo bardhë e zi. “Antigona” është njëra nga seria e pjesëve dramatike të Anouilh, që kanë si bazë mitologjinë greke.
E vlerësuar shpesh si kryevepra e tij, “Antigona” çimentoi reputacionin e Anouilh si autor dramatik. Vepra qe sukses i menjëhershëm, kur u vu në skenë së pari në Paris, në vitin 1944.
Mesazhet e veprës
Vepra “Antigona” këtë fundjavë vjen për publikun te “ArTurbina”, por me herët regjisorja Andrea Brusque ka pohuar se përcjell mesazhe, që kalojnë kufijtë.
“Jam e pasionuar me Antigonën e Jean Anouilh, sepse kjo heroinë kontemporane përcjell mesazhe që i kalojnë kufijtë. Është historia e një vajze të re që thotë jo, që kundërshton. Ajo thotë atë që mendon, dhe kjo liri e të shprehurit do ti kushtoj jetën, një jetë që nuk ia vlen ta jetojë ndryshe”, pohon Andrea Brusque.
Sipas regjisores, të gjithë e kanë brenda vetes një Antigonë. “Përballë Antigonës edhe më i fuqishmi bëhet i dobët, sepse e vetmja që nuk e bëjmë dot është të detyrojmë dikë të jetojë. Unë besoj se të gjithë ne kemi brenda vetes një Antigonë, e cila kur zgjohet na inkurajon të bëjmë zgjedhje radikale. Ky konflikt midis tiranit dhe revolucionarit është diçka që na prek thellësisht, pasi ka të bëjë me të gjithë ne”, shprehet mes të tjerave Andrea Brusque.
Sipas saj, autori Jean Anouilh luan mrekullisht me kodet e tragjedisë. “Me humor dhe me distancë ai të kujton së të gjithë personazhet do të vdesin dhe kjo është e pashmangshme, por lajmi i mirë është që ne, spektatorët, jemi gjallë, ndaj ka ende shpresë”, vijon Brusuqe për veprën teatrore. Jean Anouilh (1910 – 1987) ishte autor dramatik, teoricien, kritik dhe shkruante për zhanrin e filmit e televizionit. Ai interesohej për rolin e individit në shoqëri dhe përplasjen mes idealizmit dhe realizmit brenda individit.