Këto janë vargje dashurie për ata që s’dashuruan kurrë…

artan gjysel hasani

Nga Artan Gj. Hasani

këto janë vargje dashurie për ata që s’dashuruan kurrë
dhe për ata që kujtuan se shumë dashuruan…

për ata që kishin frikë të rrinin vetëm
dhe për ata që nevojën për të pasur dikë
me dashurinë gjithnjë e ngatëruan…

për ata që i jetuan vitet e gjata krenarisht
duke vrarë çastet më të bukur të jetës…

dhe për ata që i qëndruan besnikë njëri- tjetrit
por kurrë vetvetes…

për ata që përçmuan çdo lule
që bahçja e tyre s’e kishte…

dhe për ata që s’mundën të kuptonin
që edhe tradhëtia një dashuri e re ishte…

i kam dashur vërtet shumë të gjithë
dhe u kërkoj ndjesë nëse ndonjëherë i kam lënduar
në plagët që mendonin se s’i kishin…
nëse ua kam trazuar gjumin pa ëndrra që flinin
kur pengjet më të thella të shpirtit të tyre
shkujdesur në vargje i kam shkruar…

i kam dashur vërtet shumë të gjithë
njerëzit që s’më deshën
lulet pa aromë
zogjtë që s’mund të fluturonin
burrin e femrës që më dashuroi
dhe kurrë nuk e urreva
atë që me timen shkoi…

i kam dashur vërtet shumë të gjithë
si ç’ka bërë edhe një poet tjetër më parë,
edhe kur keq për mua kanë menduar…
edhe kur në turrë të druve më kanë vënë…
edhe kur me gisht si delen e zezë më treguan
dhe kurrë nuk i fajësova që rastisën aq të bardhë

ObserverKult


Lexo edhe:

ARTAN GJYZEL HASANI: MBASE DO T’I SHKRUASH TI POEMAT E MIA…

mbase do t’i shkruash ti poemat e mia
kur unë të mos jem më…

diçka do të ndodhë kur t’i vësh pranë
shpirtin tim dhe mendjen tënde
e pamundur të mos ndodhë
se fundja njerëzore janë
edhe mund të gabojnë
dhe të bien në dashuri bashkë

POEZINË E PLOTË MUND TA GJENI KËTU