Khalil Gibran: Ju më pyesni se si u çmenda… ja si ndodhi

dashuria nga khalil gibran

Ju më pyesni se si u çmenda. Ja si ndodhi:
Një ditë, shumë kohë më përpara se të lindnin perënditë, ndërkohë që ndodhesha në një gjumë të thellë, zgjohem, befas, dhe shikoj se më kishin vjedhur të gjitha maskat. Po. Të shtatë maskat që i kisha bërë vetë dhe që i kisha përdorur në shtatë jetë të ndryshme. Nisa të bredh rrugëve mbushur me njerëz, duke bërtitur:
– Hajdutë! Vjedhacakë! Hajdutë të poshtër!
Burra dhe gra qeshnin me mua dhe shumë të tjerë ia mbathën për t’u mbyllur nëpër shtëpi, të trembur prej meje.
Kur mbërrij te sheshi i tregut, një djalë, qëndron në këmbë mbi tarracën e një shtëpie dhe, duke më treguar mua me gisht, bërtet, sa ka në kokë:
– Shikoni! Shikoni! Është një i çmendur!
Ngre kokën për të parë se kush bërtet dhe ndodh që, për herë të parë, dielli puth fytyrën time të zbuluar; atëherë, shpirti im u përflak nga dashuria për diellin dhe unë nuk i doja më maskat e mia. Dhe në dalldi të plot, bërtas:
– Qofshin bekuar hajdutët që më vodhën maskat!
Ja pra, kështu ndodhi që unë u çmenda.
Dhe te çmenduria unë gjeta lirinë dhe sigurinë e vërtetë. Lirinë e vetmisë dhe sigurinë për të mos më kuptuar të tjerët; sepse ta dini që kush na kupton, skllavëron një pjesë të qenies tonë.
Por le të mos jem shumë krenar për këtë siguri timen, sepse edhe hajduti i burgosur nuk është shpëton dot nga vjedhja e një hajduti tjetër.

Në shqip: Bajram Karabolli


Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: TË KTHEHET MBRAPA E KA EDHE MË TË PAMUNDUR…