Khalil Gibran: Mos e braktis shpresën, mos iu dorëzo dëshpërimit…

Nga Khalil Gibran

Kam qenë këtu që nga fillimi dhe këtu do të qëndroj gjer në fund të ditëve, sepse ekzistenca ime nuk ka fund. Shpirti njerëzor nuk është tjetër veçse një pjesë e pishtarit flakërues që Zoti e veçoi nga vetja në aktin e Krijimit.

O vëllezërit e mi, kërkoni këshilla nga njëri-tjetri mbasi atje është rruga e daljes nga gabimet dhe qarjet meskine. Dituria e të shumtëve është skudi dhe parzmorja juaj kundër tiranisë. Sepse kur ne kërkojmë këshilla nga njëri-tjetri, ne zvogëlojmë numrin e armiqve tanë.

Kush nuk kërkon kurrë këshilla, ai është i trashë. Budallallëku i tij e bën të verbër para së vërtetës, të keq, mendjemadh, krenar, të rrezikshëm për çdo njëri.

Kur t’iu ketë mbërthyer mirë halli, përballojeni me guxim dhe vendosmëri, sepse kjo është rruga e zemrave të forta.
 
Kërkoni këshilla nga të moshuarit sepse sytë e tyre kanë fiksuar pamjen e viteve dhe veshët e tyre kanë dëgjuar zërat e jetës. Edhe nëse këshilla e tyre nuk ju kënaq, prapë se prapë kushtojeni vëmendje…

Mos prisni asnjë këshillë të mirë nga një tiran apo nga një keqbërës, nga një kapadai apo nga ndonjë që ka humbur çdo lloj nderi.

Mjerë ai që i kërkon këshillë një keqbërësi, mbasi mbështetja tek keqbërësi është një marri e turp dhe të dëgjosh ato është një tradhëti.

Duke qenë se unë nuk jam i pajisur me kulturë të gjerë të mprehtësisë së gjykimit dhe të një eksperience të madhe, kurrë unë nuk do të mund të bëhem këshilltar i njerëzve.

Afrohuni lehtësisht dhe jini gati kur rastësia dhe opurtuniteti i’iu bën me shënjë. Kështu do të mënjanoni shumë gabime.

Miku im, mos ji si ai që i ulur pranë oxhakut shikonte zjarrin që po shuhej, e la të fikej, dhe pastaj filloi t’i frynte hirit.

Mos e braktis shpresën, mos iu dorëzo dëshpërimit për shkak të asaj që ke kaluar, mbasi të qash për atë që të iku është më keq se dobësitë njerëzore.

Të dua, vëlla, kushdo qofsh ti edhe sikur të përkulesh në kishë apo të gjunjëzohesh në tempullin tënd, apo të lutesh në xhaminë tënde. Të dua.

Unë dhe ti jemi bij të të njëjtit besim dhe rrugët e ndryshme të fesë nuk janë veç gishtat e dorës së dashur të një Qenieje Supreme, një dorë e shtrirë për të gjithë, që u ofron të gjithëve tërësinë e shpirtit me ankthin e bashkimit të të tërëve.

Zoti u ka dhënë një shpirt, mbi krahët e të cilit të fluturoni nëpër qiejt e Dashurisë dhe Lirisë.

A nuk është e dënueshme atëherë që me duart tuaja të coptoni krahët tuaj dhe të lejoni që shpirti juaj të zvarriset si një insekt sipër tokës?

O shpirti im, jeta është si një njeri që vrapon nëpër natë: sa më shpejt të vrapojë aq më tepër i afrohet agimi.

*Titulli i origjinalit: “Thëniet e fundit të mjeshtrit”

(Shkëputur nga libri ‘Fjalët e mjeshtrit’ të Khalil Gibran )

Përktheu: Met Gjergji

Përgatiti: ObserverKult


gruaja ime dashuria nga khalil gibran

Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: SI TA NJIHNI MENDJEN DHE ZEMRËN E NJË NJERIU?

ObserverKult ua sjell disa thënie nga autorë të ndryshëm:

Nëse nisesh të përshkosh shumë rrugë, nuk do të bësh asnjë./Paulo Coelho

Dashuria është vetëm një dobësi, nëse nuk gërshetohet me ambicie./ William Congreve

Krijimi i diçkaje që akoma nuk ekziston duhet të jetë ambicia e të gjithë atyre që janë gjallë. /Paulo Freire

Caktoni vetes qëllime të larta dhe mos ndaloni derisa t’i arrini./Bo Jackson

Dëshira për t’u dukur të aftë shpesh na pengon të bëhemi të tillë. /François de La Rochefoucauld

Ti je aty ku je, sepse aty ke dëshirë të jesh. Po të doje të ishte diku tjetër, do të ndryshoje./Mark Victor Hansen

Jeta të mëson se nëse nuk u mëshon rremave të barkës sate, nuk do të luash nga vendi./Katharine Hepburn

Për të njohur mendjen dhe zemrën e një njeriu, mos shiko çfarë ka arritur por çfarë synon të arrijë. /Khalil Gibran

Thëniet e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult