Kiço Londo: Teatër online? Shfaqjet nuk janë për celular

Në një kohë që teatrot janë të mbyllur për një kohë të pacaktuar për shkak të koronavirus, drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental, Kiço Londo, mendon për një rihapje ndryshe, duke ofruar shfaqje në hapësira jashtëteatrore.
Katër pjesë për të rritur “Jul Çezar”, “Antigona”, “Salome”, “Shumë zhurmë për asgjë” dhe dy shfaqje për fëmijë janë gati për skena alternative. Ai pret vetëm dritën jeshile nga Ministria e Kulturës.
“Këtë kohë ne e kemi shfrytëzuar për t’u ndalur, për të menduar, për të shijuar natyrën, për të dëgjuar zhurmën e boshit dhe asgjënë. Megjithatë, ne do të jemi gati për shfaqje në natyrë duke respektuar distancën e spektatorëve nga 1.5 metra kurdo të marrim dritën jeshilë nga Ministria e Kulturës. Shfaqjet ne i kemi në repertor dhe mund të luhen te teatri i liqenit në Tiranë, mund të luhen në Apoloni, në Durrës, në Antigone, në Butrint, në Kalanë e Lezhës dhe të Shkodrës. Është fat që kemi shfaqje që janë menduar për hapësira të mëdha”.
I pyetur se pse Eksperimentali nuk ofroi shfaqje online si shumë teatro të tjerë, Londo jep edhe një shpjegim.
“Është çështje koncepti. Nuk mendoj se teatri mund të transmetohet nga celulari dhe për celularin. Ata që e bëjnë, bravo, është një mënyrë që disa të bëjnë diçka për disa të tjerë. Ne kemi ruajtur qetësinë në këtë kohë pandemie, kemi dëgjuar zhurmën e asgjëje, kemi ndjekur hapësirën boshë, gjallërimin e natyrës, cicërimat e zogjve. Është një kohë çehoviane. Do të flitet gjatë për këtë kohë, por nuk mendoj se është koha tani për të folur për këtë kohë”, thotë ai.
Por çfarë do ndodhë nëse për shkak të vështirësive ekonomike të vendit, do të shkurtohen buxhetet e kulturës? Londo, përgjigjet me një histori të famshme nga lufta e dytë botërore.
“Pyetja juaj më kujton një histori të luftës së Dytë Botërore në Angli. Thirri Çurçill njerëzit e financave dhe u tha që i duhej buxhet shtesë, u kërkoi ta gjenin. Mbas dy ditësh, ata ia dorëzuan kryeministrit anglez dhe i thanë, ja ky është buxheti shtesë. Ai i pyeti ku e morët, ku e hoqët dhe i thanë se e morën nga kultura. Dhe ai tha, atëherë pse e bëjmë luftën?”.

JUL ÇEZAR
“Në pastë këtu në këtë mbledhje ndonjë mik me zemër të Cezarit, atij i thoni që Bruti e desh Cezarin jo më pak se ai. Dhe në më pyettë ai mik përse Bruti u ngrit kundër Cezarit, përgjigjja ime është kjo; Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër… Qaj për Cezarin, se më donte; gëzohem se qe dorëmbarë; e nderoj, se qe trim; po e vrava, se qe ambicioz. I dhashë lot për dashurin’ e tij, gaz për mbarësin’ e tij, nder për trimërin’ e tij dhe vdekje për ambicien e tij”. (“Jul Cezar”, përkthim i Fan Nolit).
Kiço Londo e pati nxjerr tragjedinë ‘antidiktator’ nga skena e teatrit në shesh. Ishte një mesazh i fortë në një kohë trazirash. Dhe nuk ishte një shesh i çfarëdoshëm, por sheshi mes teatrove dhe sheshi para Ministrisë së Brendshme. Ishte sheshi ku prej dy vitesh mbahen protesta të përnatshme në mbrojtje të vetë teatrove që qeveria pat vendosur t’i rrëzojë për të ndërtuar një të vetëm, me një procedurë të debatueshme dhe kundërshtim të vazhdueshëm. Prej aty, Bruti do të thërriste “Jo se e desha Cezarin më pak, po se e desha Romën më tepër”, por prej aty, më herët Cezari do pati thënë “Edhe ti Brut? Atëherë, bjer Cezar”.
Kiço Londo që nuk e rrëzoi kurrë Cezarin, e që prapë e deshi, e qau dhe e nderoi, do t’i vinte fre ambicies së tij, jo sepse e donte atë më pak, po sepse e donte Romën më shumë. Mbase një prej veprave më të forta politike, shënoi premierën në një kohë krize në Tiranë ku përfshiheshin institucionet kryesore të vendit.
Prej sheshit mes teatrove, që qenë dënuar me shkatërrim, Bruti, Mark Antoni dhe vetë Cezari do t’i drejtoheshin njëri-tjetrit, në një shfaqje krejt të veçantë që zhvendosej në katër ‘skena’ të ndryshme të oborrit mes dy teatrove kombëtarë derisa mbërrin në këmbët e Ministrisë së Brendshme.
A do të restaurohet republika, apo vendi do të shkojë në luftë civile? Kjo mbetet ende për t’u parë. Se kush është Bruti, Çezari, e Mark Antoni dhe cili do jetë fati i Romës, nuk dihet. Skenat e tragjedisë lëviznin duke e bërë publikun të zhvendosej pas çdo skene e duke qenë dëshmitar i një shfaqjeje të veçantë.
Nuk është e thjeshtë të rrëzosh ‘monarkun’, por tanimë, në kohë pandemie kur as nuk mundesh ta rrëzosh monarkun, “Jul Çezari” mund të rrëzojë mbylljen e teatrove duke sjellë skena alternative për mesazhe të vjetra. Jashtë në natyrë, ku armiku i jashtëm që ka mbyllur shqiptarët brenda në shtëpi, duke i lënë jashtë teatrove, kinemave, librarive e vendeve të artit, Jul Çezari mund të flasë jashtë sallave, për hir të teatrit dhe nevojës për art./gazetashqiptare