Kina censuron serialin për fëmijë “Peppa Pig”, promovon qëndrime anti-qeveritare dhe rebele

Seriali vizatimor për fëmijë, “Peppa Pig”, është hequr nga një prej platformave më popullore të medias sociale në Kinë, Douyin.

Kështu sipas mediave kineze, rreth 30 mijë video të serialit janë censuruar dhe nuk do të shfaqen më.

Sipas autoriteteve, karakteri vizatimor nisi të lidhej me një nënkulturë të përdoruesve të internetit. Grup shoqëror për të cilin thuhet se kanë qëndrime anti-qeveritare, rebele apo “sjellje të fortësh”.

Ata theksojnë se figura e Peppa Pig është përdorur në meme, video dhe shumë kontekste të konsideruara si vulgare. Dhe është kthyer në simbol të personave që bien ndesh me vlerat e shoqërisë, janë dembelë dhe që përgjithësisht nuk kanë një punë të qëndrueshme.

Kjo nuk është hera e parë që një personazh vizatimor censurohet në Kinë, pasi më herët, “Winnie the Pooh” u ndalua sepse në shumë meme krahasohej me presidentin Xi Jinping./a2news.al

LEXO EDHE: Ky serial po thyen rekorde shikueshmërie në Netflix