Pas rindërtimit, kisha e shekullit XV çelet për besimtarët

“Dikur moti abaci benediktine, përmendet ndër dokumentet historike të paktën që në shek. XV – kisha e Shëlbuemit në Selitë.”

Kisha e hershme u rindërtua nga familja e Nikollë Bushkolës, nga Lëkunda.

Kisha e Shëlbuemit në Selitë të Mirditës, e ndërtuar rreth viteve 1830 – por përmendur shumë më herët, si më lart – është rikthyer në identitet dhe pritet të hapë dyert për besimtarët e krishterë, pikërisht në ditën e festës së Shëlbuemit, më 13 maj.

E lënë në harresë nga institucionet prej 7 dekadash, ky objekt kulti ruan vlera të rralla historike të trashëgimisë kulturore, teksa pas shembjes nga regjimi komunist, kishës i kishin mbetur themelet dhe pak nga muret anësore, transmeton ‘konica.al’.

Kjo nuk i pengoi banorët e fshatrave të Selitës, që edhe përgjatë diktaturës të shkonin në kishë, për të kryer ritet fetare si të parët e tyre, teksa pas demokracisë u rikthyen ritualet fetare, tashmë në liri.

Në një kohë kur shteti dhe institucionet heshtën për vite me radhë, për të rikthyer këtë objekt kulti në identitet, mendoi familja e Nikoll Bushkolës, i cili, së bashku me të birin Agustinin dhe vëllezërit, vendosën që me një pjesë të kursimeve të fituara në emigracion të rindërtonin këtë kishë.

Punëtorët që morën përsipër ndërtimin e kishës, veç banorëve të zonës, janë edhe banorë të besimit mysliman të Dibrës e Matit, të njohur për bashkëjetesën në harmoni me vëllezërit e tyre mirditorë dhe mjeshtra të punimit të gurit.

Objekti i rindërtuar do hapë dyert për besimtarët katolikë, nga mbarë Mirdita dhe Shqipëria.

LEXO EDHE: Kisha e ”Shën Nikollës” në Voskopojë e restauruar, ndër më të bukurat në Shqipëri