Kisha një jete pa kohë, ditët nuk kishin emra, as data…

grua ankthi

Nga: Esmeralda Shpata

Me një kandil të vjetër mbi kohë

Ngrinin kokën lart dhe më shihnin. Isha ngjitur në majë të shtyllës, disa metra përballë shtëpisë së frekuentuar.
Ca metra poshtë meje. Ai që nuk e ngrinte kokën për të më parë, nuk e pyeste veten se si ka mundësi dhe vazhdonte rrugën pa u çuditur, kjo ishte e kuptueshme.
Lart, në shtyllë.
Në atë majë shtylle, duart e mia ishin kthyer në tel bakri të kuq, trupi më ishte mbushur me vajguri, zemra ishte bërë një shtupë fitili. Isha si kandili para shtëpisë, ai që zëvendësonte një llambë neoni. Drita që bëja, ishte e zbehtë.
Nga këndi ku rrija varur, nuk mund të ndriçoja historitë që shihja poshtë, në tokë. Me dritën time të zbehtë, arrija të shikoja se si shastiseshin njerëzia sapo dilnin nga dera. Kjo më bënte të mendoja pamjen që merrnin me vete para pasqyrës dhe me ç’pamje ktheheshin aty prapë.

Fillova të ulja besnikërinë ndaj dritës që lëshoja. Mund ta kisha gjetur rastësisht, gjithmonë kam menduar se zgjohet herët. Kur agon, bie, dhe unë nuk shoh më asgjë, fikem vetvetiu. I jam mirënjohëse ditës. Askush nuk e ngre kokën lart për të parë një kandil të vjetër vetëndezës në majë të shtyllës. Kisha një jete pa kohë, ditët nuk kishin emra, as data.
Poshtë!

E kuptoja se njerëzit te shtëpia përballë lindnin dhe plakeshin, zëvendësonin njëri-tjetrin. Dilnin nga dera të hutuar dhe ndiqnin rrugën, ku bëja pak dritë.
As lart, as poshtë!
Veç të shihte dikush, dikush nga ata që shkëputet nga këndi. Të shihte dhe të mirëpriste gjithçka që ndodhte, të rrinte në këmbë duke mbajtur drejtpeshimin në mënyrë të shkëlqyer.
Sakaq, shprehja dyfishe shfaqet, përfytyrimi i barkut tim me vajguri mbushet plot me dritë. Fitili digjet për pak kujdes, duart prej bakri të kuq vënë kallo nga pesha ime.
Megjithatë, sa herë që jam vetëm dhe kthehem në një send a gjallesë për të ndërtuar gjendjen time, nuk ka pikë dyshimi se gjej një vend të paarsyeshëm për të ndenjur. Mbi atë shtyllë të lartë, u gjenda një kandil i vjetër nga ata që kanë dalë nga përfytyrimi i kohës. Zgjedhja ime është t’u ngatërrohem nëpër këmbë njerëzve që hyjnë e dalin në shtëpinë e shumëfrekuentuar.
Unë asnjëherë nuk kursej te vetja, shtoj që duhet shpjeguar një vend i zbrazët, i papërshtatshëm për të qenë i tillë.
Po të kisha bërë diçka të hairit, do ta kujtoja që ç’ke me të, në mos të gjithën, diçka po. Para së gjithash, atë që shquhej nga drita ime e zbehtë.

ObserverKult

Esmeralda Shpata - me titullin martohemi
Esmeralda Shpata

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SI NUK E DESHA ATËHERË… AJO KA IKUR…